E Djelë, 12.04.2022, 08:53pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
SFIDA E RAMËS DHE NJË FTESË PËR SHOQËRINË CIVILE
Nga MENTOR KIKIA

E Enjte, 08.01.2013, 09:00am (GMT+1)



Jo vetëm për shkak të premtimeve elektorale, të cilat janë detyrim moral i partisë fi tuese për t’i përmbushur, pritshmëritë e popullit tek qeveria e re e saposhpallur, janë të mëdha. Ndoshta më të mëdhatë që nga koha kur ky vend u qeveris për herë të parë nga një qeveri që vinte nga zgjedhje të lira, më 1992. Janë jo thjesht pritshmëritë e popullit të majtë (për dreq këta politikanë e kanë ndarë dhe nuk kanë hiç turp t’i drejtohen popullit si i majtë dhe i djathtë), ata që për hir të moskalimit të pushtetit vazhdojnë ende të jenë në opozitë, që do të thotë vazhdojnë të jenë të papunë. Pra, jo thjesht pritshmëritë e atyre që presin t’i zënë vendin e punës një demokrati. Janë pritshmëritë e shumë të tjerëve, të cilët me të drejtë janë të zhgënjyer nga qeverisja e Berishës dhe pushteti absolut i tij. Pritshmëritë janë të formave, niveleve dhe llojeve të ndryshme.

Më të varfrit presin rritjen e përkrahjes sociale. Fshatarët presin më shumë investime për të ndërtuar sistemin e kanaleve vaditëse e kulluese, presin subvencione për të mbështetur punën dhe shndërrimin në para të mundit dhe djersës së tyre. Tregtarët e vegjël presin lehtësimin nga taksat, biznesmenët e mëdhenj presin të mos vendoset taksa progresive, sipërmarrësit të cilëve u ka borxhe qeveria presin të marrin paratë. Të gjithë presim që të përmirësohet shërbimi shëndetësor, presim që të rritet cilësia e arsimimit të fëmijëve, presim të gjendet zgjidhje për çështjen e ndotjes, të pastrohet vendi nga mbeturinat që e kanë mbytur nga maja e malit deri në bregdet. Shkodranët presin të mos përmbyten më, edhe nëse KESH-i do të jetë i detyruar të hapë sërish portat. Ata që kanë ndërtuar shtëpi pa leje presin t’i bëjnë ato të ligjshme, edhe pa paguar asgjë. Ata që s’kanë marrë pronat presin të bëhen pronarë. Ata që duan të jetojnë ne një shtet me rregulla presin zbatimin e ligjit. Ata që s’kanë punë presin punë, edhe pse shumë prej tyre nuk dinë të bëjnë asgjë veç hamallit…. E çfarë nuk pritet nga qeveria e re që do të drejtojë zoti Rama. Dhe jo vetëm sepse Rama i premtoi këto dhe shumë më tepër se kaq, por sepse të gjithë mendojmë se meritojmë të kemi një jetë më të mirë dhe në një vend më normal. Dhe shumë njerëz presin që këto të ndodhin si me magji. Sepse mendojnë se Berisha ishte kuçedra që kishte zënë ujin dhe sapo asaj t’i pritet koka e fundit, burimi do të çlirohet dhe përroi do të gurgullojë. Në fund të fundit me këtë lloj fryme u ndërtua dhe u përshkua edhe fushata e opozitës së drejtuar nga Rama.

Në mesin e kësaj vere të nxehtë kolumnistët në gazeta kanë vazhduar ritualin e kritikave ndaj qeverisë së Berishës, duke i mëshuar edhe më tej profecisë, se e gjithë e keqja kishte qenë ajo dhe se ditët e mira tashmë thjesht do të vijnë. Pa dashur të mbjell asnjë lloj pesimizmi mbi atë që mund të sjellë qeveria e re dhe duke iu bashkuar ushtrisë së atyre njerëzve që vazhdojnë të ushqejnë shpresë se në këtë vend mund të jetohet edhe më mirë, do të doja të ngrija një tjetër problem, atë që ne gjithmonë e shmangim dhe për pasojë kur punët shkojnë keq, drejtojmë gishtin e akuzës vetëm tek një njeri i vetëm.

Shumica e shqiptarëve dënuan si fajtor Berishën në 23 qershor dhe po kaq shumë presin tashmë gojëhapur nga Rama. Por çfarë do të bëjë e çfarë do të sjellë Rama? Pa asnjë dyshim, ai do të jetë përgjegjësi kryesor, si për dështimin ashtu edhe për suksesin e qeverisë së tij. Pa asnjë dyshim që Rama ka në dorë të ndërtojë një qeverisje të suksesshme, ose një qeverisje të dështuar. Ka në dorë të ndërtojë një qeveri të korruptuar, ose një qeveri me njerëz të aftë. Por, a do të jetë vetëm ai përgjegjësi, nëse në vendin tonë të përbashkët punët nuk do të shkojnë mirë? Ose më saktë, mund të pyesim: Po ne të tjerët çfarë do të bëjmë dhe çfarë duhet të bëjmë? Përtej retorikës patriotike kenediane “mos pyet ç’ka bërë vendi yt për ty, por ç’ke bërë ti për vendin tënd”, ka ardhur koha që ne si shoqëri të mendojmë seriozisht dhe të pyesim veten se cili është roli dhe përgjegjësia jonë në mbarëvajtjen e punëve të vendit tonë.

I trembur nga suksesi i madh në zgjedhje, i cili pjell edhe pritshmëri të mëdha dhe për pasojë edhe zhgënjime të mëdha, Rama që në fillim iu drejtua të gjithë njerëzve, për t’u bashkuar në një përpjekje kolektive për të ndryshuar vendin tonë. Nuk dua ta shikoj këtë si një përpjekje për të ndarë përgjegjësinë, por si një thirrje për të mos qenë vetëm në një rrugë të vështirë për ndryshimin e vendit. Dhe në këtë rast, pyetja ime se, çfarë dhe ç’mund të bëjë shoqëria, ose më saktë elita e saj, nuk ka të bëjë me mbështetjen e Ramës për të mposhtur frikën e dështimit, por për të përmbushur një detyrim ndaj vendit, që në fakt duhet ta ndjejmë të gjithë.

E thënë më shkoqur, nëse të gjithë, nga ai që përtyp fara luledielli në trotuar e deri tek më i dituri ndër ne, do të qëndrojnë në anë për të parë se si do të rrjedhë lumi dhe do të mallkojmë shoferin kur makina të ngecë në baltë, të jemi të sigurt se do të zhgënjehemi. Shqipëria nuk ka ende një shoqëri elitare që të mendojë si truri i saj dhe për fat të keq është politika ajo që përfaqëson gjithçka. Por sërish ka mjaftueshëm njerëz të zotë e kurajozë, për të përbërë një shtresë që përmbledh kapacitete mendore dhe fizike, (ajo që ne rëndom e quajmë shoqëri civile) të aftë për luajtur rolin e saj në shërbim të vendit. Kjo shtresë deri tani është përdorur (madje në shumicën e rasteve është vënë me vullnetin e saj në përdorim) nga politika, sa herë që asaj i është dashur të grimojë fytyrën e bërë pis. Kjo shtresë duhet të shërbejë si vetëdije e shoqërisë dhe të ndikojë, së pari në stimulimin e qeverisë, mbështetjen e saj për të përmbushur detyrimet ndaj popullit dhe vendit. Ajo duhet të luajë rolin e një lubrifikanti, të luajë rolin e një laboratori idesh dhe gjeneratori nismash progresive. Por kjo shtresë, duhet të luajë edhe rolin e një opozite realiste, për të nxitur vetëdijen qytetare për të reaguar dhe kundërshtuar në mënyrë masive veprimet e qeverisë që mund të bien ndesh me interesat e popullit dhe vendit. Nuk kemi asnjë dyshim që Ramës do t’i mungojë opozita. Por përtej opozitës politike, shoqëria civile duhet të luajë rolin e saj oponent jashtë ndikimit politik. Ne duhet ta mbështesim qeverinë dhe duhet ta pengojmë atë të dështojë. Të paktën këto 20 e ca vite, Shqipëria ka vuajtur nga indiferentizmi dhe servilizmi i njerëzve, që me autoritetin, integritetin dhe statusin e tyre publik mund të kishin luajtur një tjetër rol. Ka pasur njerëz që kanë qëndruar në kafene si spektatorë të një realiteti që kishte kaq shumë nevojë për mendjen dhe kontributin e tyre. Siç ka pasur njerëz që janë vënë me vetëdijen e tyre në shërbim, duke u përdorur, e për pasojë duke u bërë bashkëpërgjegjës për punët që nuk kanë ecur mbarë.

Rreziku është që qeveria ta shtyjë tej këtë kontribut dhe potencial të ofruar, pasi asaj mund t’i duhet të dëgjojë dhe ftojë në “vallen” e saj vetëm njerëz që e hedhin këmbën si i pari i valles. Atëherë është sërish përgjegjësi e kësaj shtrese të këmbëngulë për t’i imponuar nismat dhe idetë e saj. Por, ndërsa nuk duhet të paragjykojmë dhe të mendojmë atë që ne nuk duam të ndodhë, ajo që duhet të mendojmë është se si të bëhemi të gjithë të dobishëm, jo për Edi Ramën, por për vendin dhe veten tonë. Nëse mendojmë se Edi Rama po vjen si babagjyshi me thesin e dhuratave, gabojmë rëndë. Nëse ne mendojmë se ndryshimi i vendit është vetëm detyrë e Edi Ramës, ndërsa ne do të qëndrojmë në shkallët e amfiteatrit për të parë me dylbi ndeshjen e qeverisë me sfidat që ka përpara, jemi sërish të gabuar. Në të dyja rastet dështimi është më shumë i mundshëm. Dhe fatura nuk do të jetë aspak e Edi Ramës, por e jona, e të gjithëve. Dhe ne duhet të ndihemi patjetër përgjegjës për këtë dështim. 

MENTOR KIKIA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
CIRKUSI POLITIK NË NJU JORKNga FRANK SHKRELI (07.31.2013)
Barometri diplomatikKOSOVA NUK ËSHTË ATDHEU I SERBËVE, POR SERBIA!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (07.31.2013)
EDHE NJË PËRPJEKJE TJETËR PËR PAQË NË LINDJEN E MESMENga FRANK SHKRELI (07.30.2013)
SEKTI POLITIK ME EMRIN PDNga AFRIM KRASNIQI (07.30.2013)
TAP NUK ËSHTË ÇLIRIMI I DYTË I SHQIPËRISËNga SHABAN MURATI (07.29.2013)
LADORISHTI, NJË NDËRGJEGJE E NGARKUAR HISTORIKE...Nga LEBIT MURTISHI (07.28.2013)
PËR HERË TË DYTË DUA TË ZHDUKEM NGA KY VENDNga MENTOR KIKIA (07.28.2013)
MBLEDHJA BALLKANIKE E NIVELIT TË LARTË NË SLLOVENINga FRANK SHKRELI (07.26.2013)
KËRKESAT PËR LULZIM BASHËNNga SAMI REPISHTI (07.25.2013)
NJË MINISTRI PËR DIASPORËNLETËR E HAPUR nga ARTUR VREKAJ, Kryetar i shoqatës Atdhetare Kulturore KOMBI, Kryetar i shoqatës Atdhetare Kulturore KOMBI, Worcester, Massachusetts, SHBA (07.24.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2022  
D H M M E P S
        1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]