E Enjte, 09.16.2021, 10:46pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
MERCENARËT ORTODOKSË TË ASADIT
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 10.07.2013, 12:44pm (GMT+1)



Konfliktet lokale janë gjithmonë më të komplikuara sa mund të duken në pamjen e parë dhe konflikti i Sirisë jep shembullin e një konglomerati faktorësh dhe aktorësh, hijesh dhe prapaskenash, që të befasojnë vazhdimisht. Në datën 2 tetor gazeta izraelite "The times of Israel" botoi një artikull të shkruar nga Brian Whalehack , i cili jep me detaje pjesëmarrjen e vullnetarëve nazistë grekë në përkrahje të forcave të regjimit të Bashar Al Asadit në Siri. Ai bën të ditur se një grup grek i ekstremit të djathtë, i quajtur "Black Lily", ka organizuar dhe dërguar në Siri një batalion me vullnetarë greke, që të luftojnë përkrah forcave të qeverisë së Asadit. Vullnetarët grekë kanë marrë pjesë në gjithë betejat e mëdha në jug dhe në perëndim të Sirisë në dy vitet e fundit. Gazeta greke "Democratia" jep një intervistë të gazetarit të saj Panagiotis Liakos me anëtarin e bordit editorial të grupit "Black Lily", Stavros Libovisis, i cili deklaron se "vullnetarët grekë po luftojnë përkrah vëllezërve tanë sirianë të armëve".

Pjesëmarrja e mercenarëve grekë të së djathtës ekstreme përkrah forcave të regjimit të Damaskut paraqet një element interesant të zhvillimit të luftës civile në Siri. Është interesant si në aspektin ideologjik, ashtu dhe në aspektin politik, diplomatik, teologjik dhe strategjik. Duke shpjeguar motivet e pjesëmarrjes së mercenarëve grekë në luftën civile në Siri, organizatorët japin disa arsye. Në gazetën "Sun" të datës 29 shtator, Bill Weinberg shkruan se përfaqësuesit e "Black Lily" shprehen se shkojnë në Siri, sepse ortodoksët sirianë po luftojnë në front të parë për një Siri nacionaliste. Një shpjegim tjetër, që jep organizata e ekstremit të djathtë grek, është se grupi më i madh kristian në Siri është Kisha Ortodokse Greke dhe prandaj anëtarët e organizatës kanë shkuar të luftojnë në Siri. Motivi bazë jepet pra solidariteti, ndjenja dhe obligimi fetar ortodoks, që i nxit ata të lenë Greqinë e paqes dhe të shkojnë në Sirinë e luftës, në kontinentin tjetër. Në këtë frymë ata shprehen se mijëra ortodoksë rusë dhe ukrainas janë deklaruar të gatshëm të shkojnë në Siri dhe të mbrojnë Asadin.

Padyshim, organizimi dhe aktivizimi i mercenarëve ortodoksë në Siri paraqet një fenomen interesant, sepse regjimi i Bashar Al Asadit, që sundon Sirinë, i përket komunitetit alavit, që është sekt dhe pjesë e besimit mysliman, dhe natyrisht formon një paradoks, që vullnetarët ortodoksë shkojnë të luftojnë në përkrahje të një regjimi autokratik mysliman. Është e njohur se në diversionin propagandistik, që zhvillohet nëpër botë rreth luftës në Siri, ka pasur dhe ka përpjekje për ta paraqitur luftën civile jo si betejë mes demokracisë që kërkon populli dhe shtypjes që kërkon të ruajë regjimi, por si përplasje mes grupeve dhe sekteve fetare të botës myslimane. Por edhe e parë në këtë prizëm, nuk mund të mos shkaktojë habi fakti që mercenarët ortodoksë kanë zgjedhur të marrin anën e regjimit të Asadit. Në këndvështrimin e mercenarëve ortodoksë, regjimi i Asadit përfaqëson "myslimanët e mirë", të cilët duhet të mbrohen nga vullnetarët ortodoksë, kurse forcat popullore, që kërkojnë liri e demokraci përfaqësojnë "myslimanët e këqij", të cilët duhen luftuar nga vullnetarët ortodoksë. Me një fjalë, vullnetarët ortodokse bëhen vullnetarisht instrument i një strategjie, jo vetëm të Damaskut, për të mbrojtur një regjim diktatorial dhe shtypës, i cili ka shkaktuar afro 200 mijë viktima dhe katër milionë refugjatë deri tani dhe në mënyrë kriminale ka përdorur armë kimike kundër civilëve, duke vrarë afër 1500 vetë, gra e fëmijë, në 21 gusht të këtij viti.

Frymëzimi apo ethja fetare përdoret nga shtete me aspirata globale si Rusia, e cila ortodoksizmin e shfrytëzon si një nga instrumentet e saj të influencës dhe të politikës së jashtme ruse nëpër botë. Organizimi dhe dërgimi i batalioneve të mercenarëve ortodoksë në Siri duhet vendosur në këtë kuadër. Rusia është mbrojtësi kryesor dhe më aktiv i regjimit autokrat të Damaskut, sepse ka interesa të veçanta që ta mbajë në këmbë një regjim, i cili u ka lëshuar forcave ushtarake ruse të vetmen bazë ushtarako-detare, që ata kanë në Mesdhe. Është në kuadër të kësaj strategjie ruse të mbështetjes se Asadit me të gjitha mënyrat, format dhe forcat, që Moska me institucionet e saj legale dhe të fshehta ka organizuar një rrjet rekrutimi mercenarësh në shtete ortodokse, për të luftuar në ndihmë të regjimit të Asadit. Në funksion të kësaj strategjie antidemokratike nuk ka asnjë skrupull dhe në shërbim vihen edhe grupet dhe organizatat ekstremiste fetare dhe politike.

Në fakt ka një rrjet mobilizimi të pazakontë në shtetet ortodokse si Rusia, Ukraina, Greqia dhe Serbia, për të rekrutuar dhe dërguar forca mercenare në mbrojtje të regjimit të Asadit. Robert Tilford shkruan në "Ground Report" në 21 shtator se mercenarë rusë luftojnë në anën e regjimit të Asadit. "Ukraine's news reports" hodhi në 'Youtube' videon e kolonelit ukrainas Sergej Razumovski, i cili u bënte thirrje veteranëve ushtarakë ukrainas që të shkojnë të luftojnë në mbrojtje të qeverisë së Damaskut, në shkëmbim të pagave të majme, nënshtetësisë dhe favoreve të tjera. Mediat botërore kanë bërë të ditur se janë mijëra mercenarë rusë, bjellorusë dhe ukrainas, që luftojnë në radhët e ushtrisë së Bashar Al Asadit. Portali topix.com njoftonte në 12 shtator se në Siri po luftojnë 500 vullnetarë serbë në mbështetje të Asadit.

Është e njohur se mercenarët shkojnë dhe luftojnë për para në të gjithë botën dhe nuk kanë përgjithësisht skrupuj ideologjikë apo etnikë. Por ajo që bie në sy është se shtetet ortodokse i dërgojnë vullnetarët e tyre të luftojnë në mbështetje të regjimeve shtypëse dhe despotike në shtetet myslimane. E njëjta gjë ndodhi edhe në kryengritjen popullore Libi, ku qindra mercenarë nga Serbia, Rusia dhe Ukraina shkuan të luftojnë në mbështetje të regjimit të Gadafit. Nuk mund të mos bëjë përshtypje që këto shtete nuk i dërgojnë asnjëherë vullnetarët e tyre për t'u bashkuar me forcat demokratike dhe popullore, që duan të rrëzojnë regjimet antidemokratike.
Kemi të bëjmë me një interes gjeopolitik dhe strategjik dhe me një keqpërdorim të solidaritetit fetar me shtetin më të madh ortodoks dhe protektorin e madh të ortodoksizmit politik, Rusinë. Rusia nuk ka interes strategjik që në vendet e Lindjes së Mesme të vijnë në pushtet qeveri dhe sisteme demokratike, nuk ka interes që pranvera arabe të shtrihet dhe të konsolidohet në gjithë Lindjen e Mesme. Rusia i trembet perspektivës, ku një Lindje e Mesme demokratike dhe liberale do të përqafojë sistemet e vlerave dhe të aleancave me Perëndimin. Jo rastësisht Moska ka mbështetur gjithmonë regjimet despotike si ai i Sadam Hyseinit, Muamar Gadafit, Hosni Mubarakut dhe tani të Bashar Al Asadit.

Antinomi demokraci-antidemokraci duhet parë si kuintesenca e përplasjes së madhe mes Perëndimit dhe Rusisë në Lindjen e Mesme. Kjo ndihmon qartësimin e panoramës konfuze të luftërave civile atje dhe të faktorëve e aktorëve të tyre, për të dalluar interesat reale të palëve, që janë të përfshira në dinamikën e luftës civile në Siri dhe në vendet e tjera arabe. Kriteri bazë është nëse forcat e përfshira në konflikt, pavarësisht etiketave ideologjike apo fetare, janë me demokracinë apo me antidemokracinë. Kështu duhen vlerësuar edhe vullnetarët, që nga shtetet e ndryshme të Ballkanit shkojnë dhe rreshtohen në anën e njërës apo tjetrës palë në Siri.


Është naive, në mos keqdashëse, të spekulosh me besimin e luftëtarëve të lirisë për të komprometuar luftën e drejtë të forcave demokratike siriane, që kanë mbështetjen e botës demokratike, të SHBA, të BE dhe forcave demokratike. Lufta civile në Siri po evidenton komponentin e pandarë të të gjitha konflikteve lokale, atë të një lufte të ashpër propagandistike dhe psikologjike, që zhvillohet në mes palëve kundërshtare për të paraqitur në dritën e interesave të veta pamjet e luftës dhe të aktorëve të terrenit në Siri. Në këtë kurth propagandistik, me dashje ose pa dashje, bien edhe grupe levantinësh në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilët, të sponsorizuar nga shtete dhe institucione islamofobe, shprehin një pasion për komprometimin e forcave që luftojnë për liri dhe demokraci. Sepse vetëm mendje të sponsorizuara mund të prodhojnë sofizma të tilla, sipas të cilave regjimi shtypës i Asadit duhet të rrijë në pushtet, sepse përfaqëson pakicën alavite, dhe ai regjim ka të drejtë të sundojë sunitët, që përbëjnë shumicën e popullsisë, sepse po ta marrin pushtetin sunitët, alavitet do të diskriminohen si pakicë(!).

Diskriminimet fetare, të përdorura për analizën dhe kuptimin e luftërave civile në shtetet e pranverës arabe janë një udhërrëfyes i gabuar i logjikës. Batalionet e mercenarëve ortodoksë të regjimit të Asadit ndoshta mund t'i bëjnë levantinët me shtetësi shqiptare që të kuptojnë thelbin e gjërave dhe jo të joshen pas kozmopolitizmit lindor të markës ruse, serbe apo greke. Mercenarët janë mercenarë, qofshin myslimanë apo ortodoksë, dhe ata nuk përfaqësojnë as popujt e origjinës së tyre dhe as botën e besimit të tyre. Mandantët e tyre keqpërdorin fenë për nxitjen e urrejtjeve fetare dhe nacionale në shtetet përkatëse dhe në shkallë ndërkombëtare, dhe pikërisht kjo është gjëja e papranueshme në keqpërdorimet fetare të fenomenit të vullnetarëve të huaj, që shkojnë të luftojnë në Siri.

SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KNSH - PA PJESËTARË TË DIASPORËS?!Nga XHELADIN ZENELI (10.06.2013)
MBI DEBATIN PËR HAPËSIRËN EKONOMIKE SHQIPËRI-KOSOVËNga AFRIM KRASNIQI (10.06.2013)
Barometri diplomatikSTUPID DIMPLOMACY NOT ALBANIAN PROTESTERS!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (10.06.2013)
Ç'DO BËJË EDI RAMA ME GAFAT E DITMIR BUSHATIT NË NEW YORK– ASSESI TË MOS IA GËLLTISË!Nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.05.2013)
KRIS HILL - DIPLOMATI QË HAPI AMBASADËN E PARË AMERIKANE NË TIRANË, 1 TETOR 1991Nga FRANK SHKRELI (10.03.2013)
RRUGA E MUNDIMEVE E NDËRAKADEMIKËVE 'TË PAPUNË'(Nëpër faqet e librit të prof.dr. Rami Memushaj “Gjuha shqipe në shtratin e Prokrustit”)Nga Prof. Dr. ESHREF YMERI (10.03.2013)
TREG PANSHQIPTAR PËR ZHVILLIMIN E EKONOMISË KOMBËTARENga ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA (SHBA) (10.03.2013)
SHENJTËRIA E FONDACIONIT PLAVË-GUCINga RAMIZ LUSHAJ (10.02.2013)
NJË SHKRIM PËR VETE DHE PËR TË TJERËTNga RESHAT KRIPA (10.02.2013)
Barometri diplomatikCILAT JANË ATO 'TROJE FILOOSMANE SHQIPTARE' NË BALLKAN?!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (10.02.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Shtator 2021  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]