E Premte, 08.19.2022, 12:46am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
'GJENERATA E RE' - PROBLEME TË VJETRA!
Nga Dr. PËRPARIM KABO

E Mërkurë, 10.09.2013, 08:01am (GMT+1)


Është thënë se idetë e mëdha vijnë në botë mbi këmbët e pëllumbave. Atëherë ndoshta, nëse do të zgjasnim veshin, do të dëgjonim, në mes të poteres së perandorive dhe kombeve, një zhurmë të lehtë që do t’i ngjante rrahjes së krahëve, do të dëgjonim rrëmujën e ëmbël të jetës dhe të shpresës. Disa do të thonë se kjo shpresë mbahet gjallë nga një njeri, disa të tjerë nga një popull. Në të kundërt, unë mendoj se ajo lind, merr jetë dhe qëndron gjallë nga mijëra të vetmuar, veprimet dhe veprat e të cilëve, çdo ditë mohojnë kufijtë dhe shfaqjet më të turpshme të historisë dhe në sajë të tyre shkëlqen fluturimthi e vërteta gjithmonë e kërcënuar, që secili, ngre për të gjithë mbi vuajtjet dhe gëzimet e tij”, shkruante Albert Camus.

Në vitet e tranzicionit shqiptar, drejt një demokracie reale që funksionon bazuar në liritë dhe të drejtat e njeriut, shfaqjet e turpshme të historisë nuk kanë munguar. Ato kanë ardhur si urrejtje dhe si përjashtim, si aventura dhe dështime, si naivitete dhe mendjemadhësi boshe, si tango e trishtë e shpresës dhe zhgënjimit. Njohja reale që të shpie tek të vërtetat, kalon nga dyhapëshi, iluzion-deziluzion.


Vetëm pas këtij pësimi, njeriu bëhet esëll dhe ndërton në vetminë e tij disa të vërteta realisht të kërcënuara, herë nga pesha e luftës së përditshme për mbijetesë, herë nga zhbërja e mosdinjiteti në realitete pafuqie dhe injorimi. Normaliteti i mungon shoqërisë sonë, si njësi sociale që është e ndërtuar bazuar në ligje; sa kohë që jeta, e drejta e parë, është e kërcënuar, dhe forcat e specializuara mbërrijnë në vendin e krimit për të administruar mbetjet e tija, pasi gjithçka është konsumuar. Ato ende nuk prevenojnë aktet kriminale, fal punës së përkushtuar gjurmuese e zbuluese. Kjo shpreh për së gjalli se jemi jashtë normalitetit civil. Shoqëria jonë e tranzicionit duket si një “lokomotivë” që punon me mazut, e cila ka dalë nga shinat dhe është thjesht një mal me hekurishte, e që nëse nuk hyn në udhën normale, mund ta zhvatësh për skrap. Krimi vrapon, siguria publike zvarritet.

Krimi vepron, Policia e Shtetit i shkon pas. Krimi nuk ka frikë, njerëzit janë të frikësuar. Krimi ka pasuri monetare pa hesap dhe me to përdor dhe telefonin e policisë, për të njoftuar kriminelin që të largohet kur shkohet për ta arrestuar. Jeta është në rrezik për cilindo, edhe për kalimtarin e thjeshtë, dhe politika në këto 23 vite tranzicion veç sa armatosi njerëzit me armë zjarri në duar, dhe me barutin e marrëzisë në mendje e mentalitet. Një shoqëri e dalë binarësh, ku shpagimi është filozofi sjelljeje, e ka të vështirë të ravijëzohet në dimensione dhe parametra të tjerë, të zhvillimit apo e frymuar nga ide të mëdha që dëshirojmë t’i quajmë “Rilindje”! “Të gjithë nuk besojnë tek të gjithë”! Kjo është një tezë e antropologjisë moderne të tregut, për ato shoqëri ku mungon edukata dhe kultura e puritanizmit fetar; ndaj të gjithë janë vigjilentë të mos gënjehen, sa kohë që të gjithë në komunikim gënjejnë. Por nëse gënjejnë institucionet dhe njerëzit e deleguar atje me misionin e administrimit të sovraniteteve të njeriut, duke hapur gojën më shumë se është e nevojshme dhe në vend të ideve të mëdha thonë veç fjalë, ide të kapërcyera, ose programe që nuk bëjnë sens, e gjitha kjo situatë na sjell tek iluzion-deziluzioni. Kohë e humbur!

Përvojë e fituar. Shanse që ikin. Ritëm i ulët dhe cikël i mbyllur, për shumë nga ata që koha dhe fati i sjell në drejtim. Në të parën dalje të tij në një forum, ministri aktual i Ekonomisë, propozon një “Benelux të Ballkanit”. Le të vigjilojmë mbi këtë propozim. Termi “Benelux” është bashkimi i inicialeve të emrave të shteteve Belgium, Netherlands & Luxembourg, Be-ne-lux. Një shembull kooperimi që mund të frymëzonte për më gjerë, për një bashkëveprim në kuadrin e “Kooperimit Europian”. Kanë qenë tri personalitete të kohës me aktivitet të gjatë, zoti Johan Willem Beyen, ministër i Punëve të Jashtme të Holandës, jetoi në vitet 1897-1976; zoti Paul Henri Spaak (1899-1972), ministër i Punëve të Jashtëm të Belgjikës në vitet 50-të të shekullit të kaluar, për rreth 20 vjet; si dhe zoti Josef Bech nga Luksemburgu, që konsiderohet edhe si një nga baballarët e “European Economic Community” – EEC -Komuniteti Ekonomik Europian, ideatorët që mbi shembullin e Beneluxit punuan për një Europë të Bashkuar. Ideja e Beneluxit u konceptua që në 1944-ën, por u themelua në 1948-ën, e duke qenë se pati rezultate të prekshme në fushën e bashkëpunimit ekonomik, shihej si një model edhe në rang europian.

Ishin këto tri vende që në Konferencën e Mesinës në 1955-ën, u përpoqën ta bindnin Britaninë e Madhe t’i bashkohej EEC-së që në atë kohë. Janë të njohura përpjekjet e zotërinjve Beyen e Spaak. Në fakt kjo ndodhi pas shtatë viteve. Por le ta zhvendosim fokusin në realitetin tonë. Jemi në vitin 2013. Shqipëria aspiron dhe po përpiqet të plotësojë kushtet e vëna për të fituar statusin e vendit kandidat për në BE.

Janë 12 detyra prioritare, mes të cilave, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit galopant, një sistem drejtësie i besueshëm që bazohet tek ligji dhe që nuk është i përlyer nga mitmarrja ose anësimi politik-partiak në vendimmarrje, kthimi i pronës tek pronari i ligjshëm, që do të sillte krijimin e klasës së mesme, gjallërimin ekonomik të vendit falë futjes në qarkullim të pasurive të paluajtshme si kolateral për kreditim, si dhe rritjes së vetëpunësimit. Prej disa vitesh Shqipëria ka aderuar në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe megjithëse një treg i vogël dhe pa ndonjë peshë në eksportet, është pjesë e këtij organizmi global. Propozimi për atë anëtarësim, erdhi nga një zonjë e nderuar e fushës së ekonomisë dhe financave, nga elita e Partisë Socialiste. Besoj se ministri aktual i Ekonomisë e di këtë fakt dhe s’ka përse të kërkojë lidhje të ngushta të tregtisë së lirë me tri vende rajoni, kur një praktikë e tillë është e realizuar. Ne kemi marrëveshje te tregtisë së lirë me BE-në dhe me vendet fqinje, por se kemi një bilanc tregtar me salto negative (më shumë importojmë dhe më pak eksportojmë, ose nxjerrim valutë dhe marrim mallra, deri tek prodhimet bujqësore dhe frutat, a thua se jemi shkretëtirë dhe jo një vend bregdetar e në “zemër” të Mesdheut) dhe detyra është ta rregullojmë gjendjen duke ndryshuar modelin ekonomik, nga ai neo-liberal, tek ai social-demokrat. A ka kuptim që të flitet në këto kushte e rrethana për Benelux të tri vendeve të Ballkanit, Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, që sipas traditës do të formulohej, nëse vendin tonë do ta quanim Albania, si edhe të huajt na thërrasin; si Alkoma. Një mutacion ky dhe asgjë në lidhje me Beneluxin historik.

Ja përse idetë nuk vijnë me krahët e pëllumbave; dhe kjo ide pa “bukë” e ministrit tonë të Ekonomisë, tregon se nuk ka fizibilitet të ndërtuar mbi studime serioze dhe nuk ka një kuptim të gjendjes ku jemi, të statusit që kemi dhe detyrimeve që duhet të plotësojmë në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Entuziazmi është një gjë. Kompetenca është diçka tjetër. Në kushtet e ekonomisë sonë të mbytur në borxhe të brendshme dhe të jashtme, korente dhe afatgjatë, kur prodhimi vendës është i ulët, kur pasuritë nëntokësore si nafta dhe kromi janë keqpërdorur e nuk janë trajtuar si pasuri kombëtare; në vend që të dëgjojmë se cilët janë skenarët e mundshëm për rifutjen e tyre në qarkullimin ekonomik dhe ndalimin e shpërdorimeve masive apo lënien si mall pa zot, duke ua falur disa koncesionarëve të paskrupullt; pikërisht në këtë kohë, ministri ynë i Ekonomisë, përfaqësuesi i “gjeneratës së re” të politikanëve, jo pa përvojë, si në administratën shtetërore tatimore, në jetën parlamentare dhe në biznesin privat, na erdhi me propozimin e Beneluxit të Ballkanit.

Kohë e humbur. Ide pa ide. Inkompetencë e shfaqur me dëshirën për të bërë atë që nuk ka kuptim. Dhe me të drejtë, një profesor i ekonomisë, ish-parlamentar, z.Selami Xhepa, u tha në forum, se nuk bën sens të kthehesh pas, kur ne jemi në një situatë krejt tjetër dhe vetë Bashkimi Europian është ku e ku, me atë kohë të Beneluxit. Diakroni të tilla në gjykimin institucional, që rrokullisen në të shkuarën në vend që të shohin në të ardhmen, janë shprehje të mentaliteteve dhe ideve të kapërcyera; që ulin besueshmërinë e artikuluesve dhe zhveshin keqas ata që i sjellin si gjetje, duke manifestuar mungesë të dukshme kulture profesionale nga ana e tyre. Asgjë nuk ka mësuar ky përfaqësues i “gjeneratës së re” nga kultura socialdemokrate, në të cilën ka një shkallëzim nga “Welfare state” në “Welfare society”-tek “Possibilities society”; shteti i mirëqenies - shoqëria e mirëqenies, tek shoqëria e mundësive! Ky është modulimi që do të duhet të realizojë ekonomia e vendit tonë, me qëllim daljen nga honi ku është rrëzuar, gjetja e ekuilibrave makroekonomikë, dhe më pas mbi balanca të qëndrueshme të rinisë ngritja ekonomike.

“Shoqëria e mundësive”, kërkon ndryshime strukturore të thella që vetëm me tregtinë me jashtë, qoftë edhe si vende të tipit Benelux, nuk ka lidhje! Edhe një prononcim tjetër, nga kryeministri i ri, zoti Edi Rama, në takimin me presidentin e Maqedonisë, kur u shpreh se detyrimi ynë në trajtimin e minoritetit maqedonas, është garanci për reciprocitetin me palën maqedonase në trajtimin e shqiptarëve në Maqedoni, ishte shprehje e një ‘aritmetike’ jo korrekte. Dokumenti bazik i KiE, “Konventa Kuadër mbi Pakicat”, përcakton se cilat janë pakicat kombëtare, cilat janë pakicat etnokulturore, çfarë është zona e pakicave, pse nuk ka zonë të lëvizshme të pakicave, pse nuk ka të drejta eksplicite të grupit të pakicave, por se ato janë pjesë e të drejtave të njeriut me formulimin se “askush nuk është i përjashtuar nga liritë e të drejtat e njeriut për shkak të përkatësisë etnike” dhe nuk ka të drejta kolektive por se individuale, përfshi të drejtën e gjuhës amtare, e besimit fetar, e të kulturës kombëtare. Shqiptarët në Maqedoni nuk janë pakicë kombëtare, ata janë një pjesë e kombit shqiptar që për arsye historike kanë mbetur në një shtet dykombësh siç është Maqedonia. Shtete me strukturë të tillë dy a më shumë kombe ka në Europë dhe kontinente të tjera. Shqiptarët në Maqedoni janë një strukturë e gjerë demografike, social-ekonomike e politike shtetformuese, me përfaqësim të gjerë në pushtetin lokal dhe atë qendror, ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor e mediatik. Ndërsa maqedonasit në Shqipëri luhaten diku tek 4000-5000 persona në një zonë ndërkufitare brenda Shqipërisë, në territore të vendit tonë, si edhe ndodh rëndom me pakicat kombëtare, që nuk mund të jenë në brendësi të interlandit. Shteti maqedonas duhet të jetë më serioz me Marrëveshjen e Ohrit, që është një detyrim palësh me bekim ndërkombëtar, ku BE me zotin Solana, aso kohe i dhanë fund ndeshjes me armë, dhe në tavolinën e bisedimeve i detyruan palët të ulnin gjakrat e të vendosnin të bashkëpunonin, duke pranuar se Maqedonia ishte vendi i përbashkët i maqedonasve dhe shqiptarëve. Censusi i fundit në Maqedoni risolli probleme të vjetra. Shumë maqedonas u deklaruan bullgarë dhe koha provoi anticipimin e zgjuar të të ndjerit Arbën Xhaferi, se Maqedonia rrezikon shpërbërjen nëse do ta shikonim në aspektin e kohezionit nga pikëvlerësimi i përbërjes së popullsisë si nacionalitete. Po ja që kryeministri ynë, kërkoi një reciprocitet mes maqedonasve në Shqipëri dhe shqiptarëve të Maqedonisë, duke krijuar një pështjellim për ata që janë specialistë të fushës dhe për institucionet e specializuara. Nuk ka dhe nuk ka pasur në asnjë rast dhe në asnjë kohë probleme me pakicën maqedonase në Shqipëri, as në të drejtat e gjuhës dhe besimit fetar, pronësisë dhe traditave, por as edhe në lëvizjen e lirë; aq sa shumë syresh, për interesa ekonomike dhe për një akomodim më të mirë kulturor e shpirtëror, kanë ikur në Maqedoni duke jetuar atje, por se edhe duke i mbajtur pronat e tyre bujqësore që i morën me ligjin 7501. Personalitetit nga Maqedonia duhej t’i thuhej me zë të plotë, se rastet e kohëve të fundit të dhunës fizike ndaj të rinjve shqiptarë, të cilët janë rrahur barbarisht nga grupe fondamentalistësh maqedonas që kanë shprehur një urrejtje të hapur ndaj racës sonë, nuk duhet të ndodhin më. Botimet skandaloze të Akademisë së Shkencave të Maqedonisë më fyerje dhe denigrime për kombësinë shqiptare, për historinë e gjenezën e tyre, kulturën dhe traditat e tyre, për autoktoninë dhe kontributet, janë “gjurmë të freskëta” të kujtesës së afërt, që nuk është se janë fshirë qoftë edhe me tërheqjen e botimit zyrtar për rishikim. Ndaj këto, zoti Kryeministër Edi Rama, do të duhej t’i ishin thënë zotërisë nga Maqedonia, sepse raste të tilla homologe nuk kanë ndodhur në Shqipëri. Me sa duket këshilltari me “emër mali dhe mbiemër kënete”, i zgjedhur mes polemikash për të këshilluar kryeministrin për problemet e rajonit, nuk është “specialist race” për problematikën e pakicave, aq delikate dhe aq e lidhur me receptorë ndjeshmërie të BE-së dhe KiE-së ndaj minoriteteve.

Ngjarjet e Përmetit me kishën dhe polemika e hapur, ku janë përfshirë historianë e akademikë, shumë shpejt do t’i shpjerë jehonat në institucionet e forumet e larta të BE, bash qysh në dhjetor, ku shpresohet se në bazë të raportit do të mund të jepet hyrje për të fituar statusin e vendit kandidat në BE për Shqipërinë. Ndaj edhe po të thuash se principi ynë në politikën e jashtme rajonale do të jetë “zero probleme në rajon”, nuk mund të jesh i sigurt, sa kohë që rajoni nuk është i qetë dhe Ballkani i mijëvjeçarit të tretë është po aq i mbarsur me mentalitetin e “maleve të egra”, si edhe do të thotë vetë emri “Ballkan”. Nëse të tjerët krijojnë probleme, se duan nga ujërat e tua territoriale dhe do ta rihapin çështjen, qoftë edhe duke ushtruar trysni përmes vetos në BE, ne çfarë do të bënim?! Do të thoshim “zero probleme”, do të “ulnim qafën”, do të mbyllnim gojën për të mos mbrojtur të drejtat tona? Besoj se “gjenerata e re” nuk ka këtë mendje dhe këtë vullnet-humbur për t’u përballur me realitetet që vijnë ndesh me të vërtetat historike dhe me të drejtat që mbrohen nga konventat ndërkombëtare. Të mësojmë nga “Libri i Trashë i gabimeve”! Kjo bën sens.

Në antropo-psikologjinë moderne, përcaktimi i identitetit realizohet nga përkufizimi: “Unë jam ai që nuk jam”. Pra nëse heqim atë që nuk jam, ajo që mbetet jam unë. PS në pushtet dhe në 1997 kështu tha, me gojën e njërit nga drejtuesit e vjetër dhe seriozë, z.Namik Dokle, se mjafton të mos bëjmë gabimet e PD-së dhe punët do të shkojnë më mirë sigurisht. Logjika qëndronte. Realiteti nuk erdhi i tillë.

Korrupsioni dhe hedonizmi e rrëzuan PSnë nga pushteti në 2005-ën. Kështu deklaroi zoti Sali Berisha kur erdhi në pushtet, se “mjafton të mos bëjmë gabimet e socialistëve të korruptuar, që në 100 lekë, 10 lekë ua vjedhin qytetarëve, dhe se me paratë e korrupsionit ne do të sigurojmë fondet e investimeve publike”. Në fakt, korrupsioni u bë patologjik. Problemet e vjetra, jo vetëm që mbetën, por se edhe u trashën, aq sa sot janë një rebus keqas i pështjellur dhe që nuk mund të zgjidhet as me deklarata e as me filozofinë “Mos bëj atë që bëri pala tjetër për tetë vjet.” Edhe për pakicat e gjykimin mbi to, kemi një precedent jo të mirë. Para disa vitesh, në një forum ndërkombëtar organizuar në Tiranë, ish-kryeministri që sapo iku, u deklaroi të pranishmëve nga gjithë bota se “emigrantët ekonomikë në Greqi dhe gjetiu duhen trajtuar si pakica kombëtare”. Deklarata krijoi të qeshura, habi dhe dyshime të thella se si mund të braktiset një pjesë e kombit nga më vitalja, pasi dihet që emigrantët shkojnë për të punuar dhe jo për turizëm. Sipas kësaj logjike, në kushtet kur në gjithë botën ka emigrantë ekonomikë, duhet të rindërtohet struktura e të gjitha popullsive botërore, duke sajuar pakica kombëtare dhe duke i bashkëshoqëruar me ato kushte dhe atë përkujdes që njohin si detyrim Konventat Ndërkombëtare për të drejtat e pakicave. Po kur emigrantët ikën nga Greqia, ku ka qëndruar disa vite, dhe u vendosën në Gjermani ose Angli, çfarë ndodh sipas kësaj logjike? Nga pakicë kombëtare shqiptare në Greqi shndërrohet në pakicë kombëtare ne Gjermani, kur dihet se Greqinë e kemi në kufij ndërsa Gjermaninë gati 2000 km larg. Një tjetër rast kur zoti Sali Berisha për problemet e Himarës, deklaronte se “është e drejta e tyre po të duan të deklarojnë se janë kanadezë”, dhe atje, fanatikët ngrinin flamurin grek dhe kërkonin polici greke. Por kjo mendjelehtësi solli rastin me humbjen e jetës së të riut himarjot, një ngjarje tragjike që nuk duhej të ndodhte, me fyerjen e flamurit grek në Fier para ndoca javësh. Kulmi mbërriti në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, kur z.Berisha foli për kufijtë e Vilajeteve (njësi e organizimit territorial administrativ në kohën e Perandorisë Osmane) dhe tregoi se Shqipëria shkonte deri në Prevezë. Ai nuk u ndal dhe ngriti në një forum ndërkombëtar të sigurisë globale tezën e “homofobisë antishqiptare-albanofobia! Sigurisht që raste të turpshme si ai i ushtarëve grekë që këndonin një këngë me tekst makabër antishqiptar, janë/ ishin shumë provokues. Por se në forume ndërkombëtare dhe në raportet dypalëshe gjykohet politika zyrtare e shteteve dhe jo qëndrimet sporadike apo ekseset ekstremiste të nacionalistëve të vonuar. Deklaratat e drejtuesve të lartë të shtetit, sigurisht që lënë gjurmë.

Në të njëjtën kohë anashkalohet një e drejtë ligjore dhe e konsideruar nga Konventa Kuadër e KiE, për mësimin në gjuhën amtare nga pakicat dhe fëmijët e minoriteteve. Shikojmë në mediet audiovizive kronika që, në shkollat e Gjirokastrës, në fshatrat me popullsi minoritare nuk ka prej disa vitesh tekste në gjuhën greke. Nuk e dimë se si është situata në shkollat e pakicave maqedonase. Kjo problematikë duhet zgjidhur me kujdes e profesionalizëm, jo duke sjellë tekste nga kurrikula e shkollës greke në Greqi, apo ajo maqedonase nga shkolla maqedonase në Maqedoni, por se duke përkthyer në gjuhët greke dhe maqedonase tekstet shkollore të miratuara nga Ministria e Arsimit e Republikës së Shqipërisë. Të arsyetosh se pakicat kombëtare maqedonase në Shqipëri duhen trajtuar mirë, me qëllim që reciprokisht shqiptarët në Maqedoni të trajtohen mirë, do të thotë të heqësh një paralele me tezën e gabuar të disa mendjeshkurtërve, që deklaronin se “Ju nuk trajtoni mirë pakicën greke në Himarë, ndaj edhe ne nuk njohim të drejtat e shqiptarëve në Kosovë”, kur dihej se shqiptarët në Kosovë ishin shumicë absolute dhe jetonin në trojet e tyre historike, çka shpuri në krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Duhet kujdes, sepse idetë nuk vijnë me krahët e pëllumbave! Mendimi i konsultuar e ndihmon drejtuesin e çdo niveli.

Një brezi i ri, ose gjenerata e re, është një slogan që ka provokuar si kundërshtime të hapura, ashtu dhe qejfmbetje të fshehura. Partia Socialiste e Shqipërisë edhe më parë ka ditur të përfshijë në drejtimin e saj dhe të punëve të shtetit të rinj. Zoti Fatos Nano ishte shumë i ri kur mori drejtimin e PS, të sapokrijuar në hyrje të viteve ‘90-të me një përgjegjësi goxha të madhe historike, sepse ishte kufiri i ndarjes së sistemeve dhe nevoja e largimit gradual nga historia e përfunduar e PPSH-së. Ai pati besimin dhe kulturën për të bashkëpunuar me kolegë të brezit të tij, me personalitete të vjetër në moshë, por mbi të gjitha me të rinjtë që sot janë persona me kontribute dhe investime në jetën e vendit dhe të institucionalizmit. Ai liberali në shpirt, mendimtari në ide dhe kurajozi në prova, bashkëpunoi e besoi tek Ilir Meta e Pandeli Majko, tek Bashkim Fino e Ben Bushi, tek Ndre Legisi e Edi Rama. Kur zoti Nano e ftoi zotin Edi Rama, një djalosh të ri, të linte Parisin dhe të vinte në Tiranë, (gjatë bisedës së gjallë në prani të Liri Begesë, Nano e sfidoi hapur kur i tha pse nuk vjen të punosh në Tiranë), shumëkush e quajti këtë vendim për ta emëruar ministër të Kulturës, si një aventurë të radhës nga ana e zotit Fatos Nano, aq sa në heshtje ish-presidenti i vendit, zoti Rexhep Mejdani, e vonoi dekretimin e tij gati katër ditë. Zoti Nano nuk u vetëpengua që të propozonte si kandidat të mundshëm për president të vendit një diplomat të ri zotin, Artur Kuko. Ai nuk e pranoi se iu duk “peshë e rëndë” për “këllqet e tija”! Realiteti që vjen sot kur flitet për një “gjeneratë të re” është diçka më ndryshe. Flitet për një brez dhe jo për individë. Pas 23 vitesh tranzicion, një ndryshim i tillë strukturor në antropologjinë institucionale bën sens. Shkencërisht një brez antropologjik kërkon 25 vjet që të ndërtohet. Është për këtë arsye që në Shqipëri dora-dorës po maturohej në kuptim të përgjithshëm një brez i ri, që ka lidhje me brezat e mëparshëm në kuptimin njerëzor, por edhe në aspektin kulturor e mental. Personalisht e vlerësoj këtë promovim social të një brezi të rinj politikanësh. Ata do të sjellin dinamizëm, sepse kanë më shumë liri brenda vetes. Kanë më pak lidhje ose aspak me sistemin e djeshëm. Janë më të papenguar për shkak se nuk kanë “fatura borxhi” nga e kaluara, nuk janë pengje të lidhjeve të vjetra e të detyrimeve që burojnë nga praktikat orientale, “unë të kam pas bërë këtë nder ndaj ti duhet të më bësh këtë tjetrin sot”. Brezi i ri nuk ka frikë nga e kaluara e vet, ka duar të zgjidhura për të vepruar, për të kryer operacione të thella, radikale dhe të domosdoshme. Nëse tek “seniorët” e politikës dhe tek lidershipi” politik socialdemokrat shqiptar, nën zë flitet jo mirë për këtë ndërmarrje, madje dhe me diplomatë të huaj, kjo nuk është një gjë e mirë. Ky brez i ri politikanësh do të ripërtërijë edhe vetë Partinë Socialiste, duke dinamizuar strukturat, duke gjallëruar forumet, si dhe duke ndërtuar marrëdhënie më të frytshme e më funksionale me shoqërinë civile dhe elitat e saja. Po a ka një filozofi të brezit? Sigurisht që ka! Unë do të preferoja të citoja një nga këto përsiatje filozofike: “Pa dyshim që çdo brez mendon se është i paracaktuar të rikrijojë botën…

Brezi im e di se nuk do ta bëjë një gjë të tillë. Por, ndoshta detyra e tij është akoma më e madhe. Ai duhet të mos lejojë që bota të shpërbëhet. Trashëgimtare e një historie të korruptuar ku bien në sy revolucionet e dështuara, teknikat që janë çmendur, perënditë e vdekura dhe ideologjitë e rraskapitura, ku pushtetet mediokre mund të shkatërrojnë sot gjithçka, por nuk dinë më të bindin, ku zgjuarsia është ulur deri në atë pikë sa të bëhet shërbëtorja e urrejtjes dhe shtypjes, këtij brezi i është dashur, brenda vetes dhe rreth tij, të restaurojë, duke u nisur nga mohimet e vetvetes, paksa nga ajo që përbën dinjitetin e jetës dhe vdekjes”. Kush i ka thënë këto fjalë? Albert Camus. Kësisoj pengesash janë prezente në realitetin tonë, ndaj para se ta rikrijojmë realitetin (bota është shumë e madhe për ne) ta mbrojmë duke frenuar shkatërrimin e gjithçkaje, digresionin që ka kohë që ka nisur! Në këtë kuptim mund të flitet për një gjeneratë të re! Duhet shkruajtur kudo të ndalim rënien. Të ringrihemi gradualisht, duke realizuar disa objektiva madhorë. Shëndoshjen e financave publike. Rigjallërimin e ekonomisë, duke shfrytëzuar me kujdes për të tashmen e të ardhmen burimet natyrore. Rivlerësimin e pasurive kombëtare dhe pronave publike, pronave komunitare dhe ato individuale. Gjetjen e ekuilibrave të zhvillimit duke përmirësuar të sotmen dhe duke afruar të ardhmen. Kurimin e shoqërisë me kulturë, me art, me dije, me shkollim, me akademizëm, me kualifikime, me jetë të gjallë ku njerëzit janë të barabartë në dinjitetin njerëzor dhe të gjithëpërfshirë në mundësinë e vetëndryshimit. Më në fund të ndërtohen strategji reale zhvillimi afatmesme dhe afatgjata. Të ndërtohet një infrastrukturë gjithëpërfshirëse materiale dhe shpirtërore. Të ketë një kontroll dhe drejtim të orientuar nga “objektivat e mijëvjeçarit”. Po a është gati “gjenerata e re”, pyesin “adultët e politikës”?! Pyetja është e drejtë, adresimi është jo korrekt. Këto detyrime të zhbllokimit të situatës dhe të zhvillimit janë pengje të historisë së re, por edhe të historisë së vjetër, zotërinj “politikanë me mjekër”! Nëse ka një akumulim të korrupsionit, të shkatërrimit të natyrës, të korruptimit në sistemin e drejtësisë, të tharjes së burimeve monetare, etj., pyetja që qëndron pezull është: Ku ishit ju ‘senior të politikës’, çfarë bëtë ju që të mos lejonit këtë rrëshqitje në zgrip? Ku ishin profesorët tuaj, që nuk është se nuk e kuptonin se ç’po ndodhte? Adresimi aktual duhet të jetë, “të gjithë” që të ndalim shkatërrimin.

Politikanët e rinj me një frymë menaxheriale më të theksuar, duhet të ndihmohen me këshilla, me mendime dhe zgjidhje të provuara, dhe nuk duhet të nënqeshen pas shpine, duke pritur gabimin e radhës me qëllimin e mbrapshtë për të thënë atë që nuk duhet. Demokracia me shtetin ligjor dhe me liritë e të drejtat e njeriut nuk është si sistemi borgjez që u pengua historikisht nga restaurimi i monarkisë dhe humbi një kohë të konsiderueshme, deri sa u trupëzua plotësisht pa rrezik kthimi. Secili do duhet të kontribuojë në fushën e tij të aktivitetit me një frymë bashkëpunimi, me vullnet për të punuar në ekip dhe me përgjegjësinë ndaj atdheut dhe fateve të tij, me detyrimin ndaj historisë, e cila nuk fillon nga sot për në të ardhmen, por edhe nga e shkuara që ka lënë jo pak kosto dhe që ngarkon me përgjegjësinë e kontributeve dhe dështimeve ata që ishin dikur të rinj. Por se edhe gjenerata e re ka detyrime historike dhe përgjegjësi të fatit të saj dhe vendit. Nëse edhe të rinjtë përfshihen në korrupsion në mitmarrje dhe në lojën e informalitetit, kjo do të thotë që “rilindja ka ardhur e vdekur”. Të rinjtë në poste drejtuese duhet të realizojnë më në fund, ndërtimin e një administrate funksionale ku kriter është profesionalizmi, kompetenca, eksperienca e dokumentuar, karakteri integral, aftësia kreative, vizionariteti, qëndrueshmëria, dijet e përparuara, fryma antiautoritariste, tejdukshmëria, respektimi vlerave të hierarkisë, tek e pasmja; kombinimi i tri parimeve universale të hartuara nga Max Weber, themeluesi i sociologjisë moderne, përmendur si tillë edhe nga Anthony Giddens, miku i socialistëve të Shqipërisë, në intervistën e tij në një nga TV kombëtar të vendit tonë. Weber shprehej në lidhje me administratën se, ajo duhet të përbëhet nga menaxherët e karrierës, nga politikanë që kanë kaluar nga përvoja menaxheriale dhe nga eruditët. Kjo strukturë harmonizon spektrin operacional, vendimmarrjen politike, që nxjerr përfundime nga mekanizmi lëvizës dhe drejtohen të dyja palët nga mendimi erudit. Të marrësh një përgjegjësi shtetërore pse je thjesht i ri, kjo nuk jep garanci, por nëse je i formuar me shkollim special dhe brenda një kohe relativisht të shkurtër ke fituar eksperienca falë përfshirjes në rrjete ndërkombëtare institucionale të korporatave industriale apo financiare, vetëm kështu e meriton besimin publik. Ja një shembull që flet. Kohët e fundit në Serbi u emërua si ministër i Financave i riu 29-vjeçar Lazar Krstic, i përfshirë në listën e 100 ekonomistëve më të mirë në botë. Fillimisht si nxënës i shkollës së mesme, ai shpenzoi një vit akademik si exchange student i programit më të madh në botë AYUSA (autori i këtyre radhëve është që nga viti 1997 përfaqësuesi i këtij programi në Shqipëri. Aktualisht rreth 260 studentë shqiptarë kanë përfunduar studimet dhe janë edhe me grada shkencore Ph.D në SHBA falë këtij fondacioni). Më pas Zoti Krstic kreu studimet e larta në Yale University për matematik-ekonomi-shkenca politike dhe etikë. Në universitetin e Yales ai ishte një nga themeluesit e “Shoqatës së Studentëve Europianë” dhe ai ju bashkua “vëllazërisë së Delta Kappa Epsilon”, ish-anëtarë të së cilit kanë qenë katër presidentë amerikanë George H.W. Bush, Gerald Ford, Bill Clinton, & George W. Bush. Pas diplomimit ai punësua si konsulent financiar tek një kompani ndërkombëtare konsultimi, “McKinsey and Company”. Ky eksponent është përfaqësues i brezit të ri. A kemi ne një të tillë në qeverinë e re? Nuk kemi. Nuk bëj më koment! Mendimi është investim i gjatë, por dhe i thellë.

Nëse është e vërtetë që zoti Ilir Meta në detyrën kryetarit të Parlamentit ka afruar si këshilltar ligjor zotin Perikli Zaharia, një jurist karriere me kulturë të gjerë në jurisprudencë dhe me formim të erudicionit akademik, atëherë unë gjykoj se ka një filozofi të re drejtimi. Por mbi këtë shembull dua të tërheq edhe disa përfundime. Kur flitet për idetë, ato klasifikohen si shkencore dhe jo të tilla, ndërsa të reja apo të vjetra është një përkufizim tejet i papërcaktuar. Ka kuptim të flitet për ide largpamëse dhe ide dritëshkurtra, për ide transformuese që ndërtojnë strategji dhe për ide iluministe, që shpien më tej studimet teorike të akademizmit universitar apo të kërkimit shkencor. Një gjeneratë e re mund të sjellë mentalitet të ri dhe ide shkencore e aplikative nga më të përparuarat, po qe se kjo brezni ka investuar me punë serioze të thelluar e me ritëm të përshpejtuar. Personalisht, bazuar në përvojën time si mësimdhënës në tri akademi me brezat e rinj, kam argumentin, duhet ta parashtroj. Fillimisht të tregoj se ku kam dhënë mësim dhe kam qenë drejtor shkencor i Shkollës Politike të Këshillit të Europës në Tiranë, ndërtues i kurrikulës në këtë akademi. Gjatë tri viteve që qëndrova në të vura re me shumë optimizëm që kishte interesim, vëmendje, pjesëmarrje dhe debate. Por se kishte dhe dobësi thelbësore. U vu re që lexohej shumë pak, autorët më në zë në qarkullim brenda vendit nuk ishin lexuar e jo më studiuar, ndërsa autorë që ende nuk janë përkthyer në shqip, kur ua tregoja librin në origjinal, merrja si përgjigje habinë e tyre. Gjatë ditëve në këtë shkollë ata përfituan, por se shumë pak syresh kërkuan një listë me libra për të lexuar. Ndërsa egon për karrierë, për të marrë poste, e për t’u bërë ligjvënës e kishin të shprehur pa pengesa. Kam lektruar në Akademinë Politike të Partisë Socialiste që nga krijimi (përjashtim bëri ky vit për arsye familjare shumë të serioze) dhe kam vënë re interesim, predispozitë dhe vëmendje, por edhe kulturë të munguar teorike në politologji, në histori, në institucionalizëm, në politikat ekonomike e në filozofi. Libri mungon në jetën e tyre. Dija bazike nuk është ushqimi i mendjes. Studimet e thelluara dhe të pandërprera nuk janë ritual i tyre. Dhashë një cikël leksionesh në Akademinë e Fondacionit Soros me pakicat rome. Të gjithë djem e vajza me studime universitare të përfunduara ose në vazhdim. Gjeta mjaft interesa dhe bashkëbisedim të motivuar, por se po e njëjta situatë me dijet e librat në qarkullim, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Po si mendohet nga breznitë e reja që punët e shtetit janë të thjeshta? Se mjafton vrulli dhe dëshira? Mos gabimisht gjykohet se shoqëria borgjeze dhe kapitalizmi i tregut, apo demokracia institucionale, shoqëria globale dhe monetarizimi, energjia e rinovueshme dhe ndryshimet klimatike, problemet e ujit dhe ato të eko-sistemeve, të edukimit dhe barazisë gjinore, etj., janë problematika që gjejnë përgjigje e zgjidhje pa pasur nevojë për dije dhe shkencë, pa studime e pa përthithje të ideve avangarde në qarkullim?! Unë po ua them me një shprehje lakonike. Kapitalizmi i sotëm falë oberacionit nuk është më thjeshtë shoqëri e iluminimit etik, është një shoqëri që kërkon profesionistë, sepse amatorizmi me punët e shoqërisë së sotme është dështim me pasoja të rënda. Ritmi në kohët që jetojmë është shumë i lartë, po qe se ai nuk mbahet, mbetesh pas dhe shkon në fund i pakonsideruar. Ja përse gjenerata e re nuk mund të bëjë pa ata “me mjekër” në punën e mendimit dhe lëminjtë e shkencës. Kush ka frikë nga mendimi i përparuar është i dështuar. Kush e mirëpret këtë bashkëpunim, realisht çliron energji zhvillimi dhe krijon ekip funksional. Ndaj në rekrutimet e reja nuk është kusht; je i ri në moshë, bën! Je i vjetër në moshë nuk bën dhe anasjelltas. Çështja shtrohet: ke ide, ndërton projekte, ke dhënë prova. Brezi i ri që po përfshihet në punët e shtetit, duhet të largojë një herë e përgjithmonë nga filozofia e punës në administratën shtetërore “plutokracinë” – dërgimin e partisë në shtet, si ideologji, si politikë, si njerëz; ndryshe nga plutokracia monokratike e diktaturës komuniste do të mbetemi tek pluri-plutokracia e tranzicionit.

Do të ishte e papranueshme që “gjenerata e re” të largonte nga puna po të rinj, për t’i zëvendësuar ata me të ardhur rishtazi nga partia e tyre politike. “Të rinjtë kundra të vjetërve” mund edhe të gjejë pranim një farë soji (edhe kjo nuk është e drejtë, por nëse bëhet pengesë, duhet vepruar) por të rinj të të njëjtit brez të sillen në mënyrë përjashtuese kundra njëri-tjetrit, duke u kthyer në “mekanizma të komanduara” të zyrave të partive politike; një sjellje e tillë do të vinte në pikëpyetje të gjithë brezin. Në Ministrinë e Integrimit është titullare një vajzë e re, që e kam takuar vetëm një herë në jetën time, kur ajo ishte 16 vjeçe dhe ishte në dymendimin të shkonte në SHBA apo në Europë për studime. Dhe Zonja Klajda Gjosha shkoi në Angli. Pas një investimi të gjatë, aktualisht është ministre. Po në atë ministri janë dhe dy ish-studentët e mi, Anila Dollani dhe Andi Mazi, që janë në të njëjtën moshë me ministren. Të dy studentët që përmend kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera dhe janë trajnuar, specializuar e kualifikuar në nivel postuniversitar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ata kanë filluar punë atje kur drejtonte Partia Demokratike. Por nëse dikujt i duhet që t’i heqë ata për të sjellë të tjerë që aderojnë në partitë në pushtet, ky do të ishte një gabim i rëndë. Ata nuk janë punonjës partiakë, janë specialistë të rinj mjaft seriozë e të përgatitur, që premtojnë. T’ua thyesh karrierën në mes me paragjykime, apo me urdhëra që vijnë me lista partish, kjo bie ndesh me “shtetin ligjor”, që realizohet falë “demokracinë përmes ligjit” dhe jo “me porosinë e partisë së Maliqit”. Brezi i ri duhet ta shkundë shoqërinë shqiptare, administratën e korruptuar në universitetet publike e private, ku shiten vendet e punës dhe diplomat. Në gjykata, duke filluar nga Gjykata Kushtetuese, ku rrëzohen vendime të Gjykatës së Lartë sikur ato të ishin jo vendime ligjore e të bazuara, por thjesht formulime subjektive. Duhet që brezi ri të llogarisë pasuritë e patundshme dhe kontot bankare të politikanëve që notojnë në luks, me disa shtëpi, me makina me jahte, me llogari të “trasha” dhe që gjerbin kafenë e “halleve të popullit” tek lokalet luksoze e ish-”Bllokut”, duke dërguar SMS në iPhon me drejtimet që i orienton harta e flërtëve. Duhet hequr pjesa e kalbur. Duhen shkulur me rrënjë injoranca, mediokriteti, inkompetenca, tarafllëku, klientelizmi, nepotizmi, lokalizmi e krahinizmi, klanizmi dhe oligarkitë grabitqare, që e sfilitën vendin. Të rinjve do t’u kujtoja një porosi të një shqiptari me vlera e kontribute, Mehdi Frashërit, i cili shkruante: “Shqipëria do të shpëtojë kur të largojë nga pushteti ata që merren me broçkulla dhe do të shpjerë në ‘litar’ ata që vjedhin”! Në ditët tona nuk duhet t’i shpiem në litar, por në burg po. Dhe pasuritë e paligjshme t’ua sekuestrojmë me vendime gjykate, sepse janë paratë e popullit, janë taksat tonë, janë kreditë që i morën ata, por do duhet t’i paguajmë ne, madje në breza. Të rinjtë dhe jo të rinjtë, që kanë marrë përsipër të drejtojnë vendin të mos harrojnë atë që citova më lart se “idetë dalin edhe nga njerëzit e vetmuar, që ndërtojnë të vërtetat e tyre përballë gënjeshtrës së historisë zyrtare”. Gjeneratës së re i duhet këshilla dhe këshilltarët, ndaj po iu kujtoj se çfarë thoshte njëri nga themeluesit e shtetit modern, Makiaveli. E perifrazoj në linja të trasha. “Këshilltari duhet të dijë më shumë se Princi, sepse ndryshe përse duhet?!” “Princi duhet të ketë një nivel të tillë që ta kuptojë këshilltarin, ndryshe nuk përfiton gjë”, “Dhe nëse Princi hiqet se i di të gjitha, pse duhet këshilltari?”.

T’i japim fund historisë me princa, pashallarë, bajraktarë, sekretarë, kapo apo udhëheqësa. Të krijojmë një shoqëri normale të qytetarit dhe për qytetarin, me kushtetutshmëri, me ligj, me respektim të lirive dhe të drejtave të njeriut, me kulturë, me prosperitet ekonomik, me dinjitet civil, me humanizëm. Le të shkruhet më në fund në ajrin e kohës së shoqërisë shqiptare: Individi tek ne është i lirë dhe me dinjitet! Shoqëria e lirisë është sfida jonë epokale dhe jo detyra e gjeneratës së radhës, ndaj problemet janë ende të vjetra. Përgjegjësia është e një brezi të ri në mënyrë specifike, sepse gjeneratat mbështeten normalisht tek njëra-tjera, ky është një parim antropologjik dhe antropo-institucional, por se gjithsecili pavarësisht nga mosha, ka të drejtën legjitime të shpërfaqë profilin e tij dhe të jetojë historinë e tij të aktivitetit dhe karrierës. Kur hodhën themelet e Europës së Bashkuar, të BE-së ku ne duam të anëtarësohemi sot; baballarët e kësaj ndërmarrjeje epokale ishin burra të pjekur. Schumani ishte 64 vjeç, Monnet 62, Adenaueri 73, Churchilli u bë kryeministër në 1951-shin për herë të dytë në moshën 77-vjeçare, dhe Anthony Eden që e pasoi ishte po thuaj 60 vjeç. Willem Drees u zgjodh Kryeministër i Holandës në moshën 62-vjeçare, Alcide de Gasperi (që së bashku me Schumanin, Monnen dhe Adenauerin janë quajtur baballarët e Bashkimit Europian) u zgjodh kryeministër në vitin 1945 dhe ishte në moshën 64-vjeçare. Ky është një mësim fondamental. “Gjenerata e re” përballë problemeve të vjetra duhet të mbështet tek mendimi i personaliteteve me eksperiencë dhe me kulturën e nevojshme, për të gjykuar të sotmen dhe për të afruar të ardhmen. Ndryshe do të tregohen të “rinj të plakur” përballë të “vjetërve të rinj!”. Mendimi ka moshë!

Dr. PËRPARIM KABO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
AKUZË GJENOCIDI PËR KRIMET KOMUNISTE NË RUMANINga FRANK SHKRELI (10.08.2013)
Kushtuar motrës sime Drita Kripa PelinguMIRUPAFSHIM MOTËRNga RESHAT KRIPA (10.08.2013)
POLITIKA SHQIPTARE NË HIGH HEELS PËRPARA TRAGJEDISË LIVE TË SOFIE QENDROS Nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.08.2013)
SI SISTEMI I SË DREJTËS SË KONTABILITETIT MUND TË SHPËTOJË TË ARDHMEN E AMERIKËSNga ISH KONGRESMANI AMERIKAN ME ORIGJINË ARBËRESHE, JOSEPH DIOGUARDI (10.08.2013)
MERCENARËT ORTODOKSË TË ASADITNga SHABAN MURATI (10.07.2013)
KNSH - PA PJESËTARË TË DIASPORËS?!Nga XHELADIN ZENELI (10.06.2013)
MBI DEBATIN PËR HAPËSIRËN EKONOMIKE SHQIPËRI-KOSOVËNga AFRIM KRASNIQI (10.06.2013)
Barometri diplomatikSTUPID DIMPLOMACY NOT ALBANIAN PROTESTERS!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (10.06.2013)
Ç'DO BËJË EDI RAMA ME GAFAT E DITMIR BUSHATIT NË NEW YORK– ASSESI TË MOS IA GËLLTISË!Nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.05.2013)
KRIS HILL - DIPLOMATI QË HAPI AMBASADËN E PARË AMERIKANE NË TIRANË, 1 TETOR 1991Nga FRANK SHKRELI (10.03.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Gusht 2022  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31      
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]