E Premte, 08.19.2022, 12:57am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
GOJA TË RRJEDHTË MJALTË, PO PUNA ËSHTË BËRË BALTË
Nga RAMIZ LUSHAJ

E Hënë, 10.14.2013, 06:44am (GMT+1)


Në të drejtën e tij demokratike, partiake, qoftë edhe kanunore apo çkado tjetër: kryetari i grupit parlamentar të LSI, z. Petrit Vasili, nga profesioni humanist e nga politika pragmatist, harkoi ylber në qiellin e politikës së ditës me istikamin: Rama e Basha të takohen ndërveti “për të eksploruar një dakordësi” për ligjin e Nëpunësit Civil. Goja të rrjedhtë mjaltë, o Petrit Vasili, po puna është ba krejt baltë. Dihet se mbi baltovina të stërlloçuna prej kohësh nuk mund të ngrihen ura komunikimi. Këtë fakt ma mirë se kushdo e kupton vet Ilir Meta, që ia dinë thellutat këtij ligji në tri rolet e tij si kryenegociator i vjetër apo i ri: në Pozitë-Opozitë-Pozitë.

Para disa muajsh trinjakëria ligjore (edhe ky ligji për “Statusin e nëpunësit civil”) ishte një hendek i flliqtë politik në mes mazhorancës e opozitës që ia fikte dritën jeshile Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE. Lideri lsist, Ilir Meta, si moderator klasik e modern, mbi këtë hendek me thelluta e ngriti më 2 maj 2013 një “urë” të atillë që çoi tek konsensusi i 30 majit 2013 në Parlament. Asokohe, me kryenegociatore LSI-në e sapo tërhjekun nga koalicioni qeverisës dhe me dhanien e këtij konsensusi PS bojkotuese, PD me aleatët e saj të djathtë paguan një kosto të ndjeshme elektorale në zgjedhjet parlamentare me të vetmin qëllim mbipartiak, kombëtar, euro-atlantik: të fitojë Shqipëria. Grykësia e tepërt politike e LSI apelon prapë më 11 tetor 2013 për një rol tjetër kryenegociator të saj, për një konsensus tjetër në mes mazhorancës së majtë e opozitës së djathtë. LSI me ç’kod ligësie iu rikërkon kaq shpejt e fortas PD e aleatëve të saj të djathtë të paguajnë një kosto tjetër të dytë edhe ma të madhe, të shumëfishtë, veçanarisht kësokohe kur është në Opozitë e në riorganizim pas humbjes së thellë të 23 qershorit 2013 dhe e majta e riardhun në pushtet po si sillet ndaj saj si pushtuese e shtetit, si partizanët e ’44-tës kur erdhën në pushtet me luftë.

Me konsensusin e parë të akt-lidhun në maj 2013 e me këtë të dytin, pas besëthyemjes, që artikulohet në tetor 2013, në të dy rastet, fitimtare e pa sojshme dhe pa firo mbetet LSI, e cila erdhi 5 vjeçe në koalicion me PD dhe, pavarësisht disa arritjeve, u (keq)soll sa e siç deshti në pushtetin e përbashkët qeverisës. Në rreth 4 vite në pushtet LSI veprimtaroi në politikë e praktikë kryesisht si një“parti elektorale”, aqsa pas divorcit politik i mori Partisë Demokratike jo pak merita dhe i la shumë përgjegjësi asaj në Elektoriadë pas 1 prillit 2013 kur aliazhoi aleancë të re me PS në opozitë. Gjithashtu, LSI, si forcë politike e re dhe lidershipi i saj euro-ballkanik, (për)fituan nga mazhoranca e djathtë në harkun kohor 2009-2013 “imunitet” disaplanësh: politik, elektoral, juridik, etj. sikur të kishim të bënim me një projekt të fshehtë ndërkontinental (!) LSI, me akt-marrëveshje, i mori Partisë Demokratike 20 për qind të piramidës administrative qeverisëse, (në disa institucione edhe ma shumë), përndryshe krahasimohet: sa ç’është përqindja e deputetëve të saj në parlamentin e sotëm të mbisunduar nga e majta. Tashti, LSI në moshë 9 vjeçe e lideri i saj në dekadën e tretë të karrierës politike, në rast se arrihet një konsensus tjetër për miratimin e Aktit Normativ për shtyrjen 6-muajshe të ligjit të Statusit të nëpunësit civil, do të jenë ma të fituarit se të gjitha forcat e spektrit politik shqiptar, pasi numri i lsistëve do të tejrritet numerikisht jo vetëm në pesë ministritë e institucionet e shumta që drejtohen prej saj në qendër, 12 qarqe e 36 rrethe të Shqipërisë.

Fatkeqësisht urën e konsensusit pozitë-opozitë për ligjin e nëpunësit civil po e shkatëron edhe kryeparlamentari i ri, Ilir Meta, të cilën e vetngriti 6 muaj ma herët, sepse tashti është ba edhe ma i fuqishëm nga ç’duhet për politikën e viteve të fundit dhe, në disa raste, i domosdoshëm për demokracinë e brishtë shqiptare. Dihet: kush e shkatërron urën e vet e ka tepër të vështirë me e ngrit për të tjerët. Pra, Ilir Meta për këtë ligj, ashtu sikurse edhe Edi Rama, janë mëkatarë të shumëfishtë, të parrëfyem e të pafalun, prandaj nuk mund të hiqen kaq “ëngjëllorë” me ftesa publike elektronike deri të përditshme apo të orë pas ore për kryenegociator, takime dypalëshe, për konsensus. Kjo mund të arrihet vetëm kur ura e kompromisit të mos ngrihet mbi baltovina, vetëm kur ura e konsensusit të jetë pa kurthe e kluce nga mazhoranca e majtë. Përndryshe: pikërisht i zoti i “shtëpisë tuaj – LSI”, iu ka nxjerrë ju zoti Vasili me vikat në oborr të politikës dy ditë rrjesht për me e gjuajt “topin” në fushën e Opozitës e, ndoshta, për me shenjue edhe gol në portën e saj nga “skuadra e Rilindjes”. Ftesa e juaj si LSI është afër e larg mednjes të përcillet drejt opozitës së djathtë si jehonë e këmbanës së PS me gëzhoja plumbi gjakësor apo klasor të etërve e bijëve të saj.

Dy ftesa publike nga LSI i vijnë për dy ditë PD, opozitës së djathtë, ndërkohë që lideri i saj Ilir Meta, kryenegociatori i majit 2013, në bashkari me Edi Ramën, po ban “lojna politike” pa cak e pa sens me të ashtuquajtun “konsensus” dhe me veprimet me ligjin e Statusit të nëpunësit civil. Kjo duket tek teatraliteti politik e juridik i mazhorancës së djathtë ndaj ligjit, fallciteti e mafioziteti i partneritetit me opozitën e djathtë, etj. Këto shfaqen në disa raste: Në vendimin e Qeverisë më 30 shtator 2013 me Aktin Normativ që e shtyn për 6 muaj hyrjen në fuqi të ligjit për Statusin e nëpunësit civil. Saktësisht, deri më 1 prill 2013 në “Ditën e Rrenave”… në kalimin e Aktit Normativ në Komisionin e Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë pa votat e opozitës. Tek futja e Aktit Normativ për votim në seancë plenare parlamentare, edhe në kushtet politike të bojkotimit të opozitës dhe mos votimi për mos plotësim të 84 votave në kit’ seancë u paraqit publikisht e politikisht si “hapësirë tolerance” e dyshes politike Rama-Meta për një javë “kohë për reflektim” për arritjen e konsensusit me opozitën, etj. Natyrisht, të gjitha këto e të tjera plus, burimojnë një ftesë të pasinqertë për konsensus nga LSI me thirrje në konferenca shtypi e nga PS me “letër të hapur” për të mbulue punën e mbyllun mbi gropën e thellë me pasoja politike e sociale të zhvillimit e integrimit të krijuar nga keqpërdorimi demokratik, politik e juridik i këtij ligji me konsensus të thyem me mafiozitet e dhunshëm prej mazhorancës së majtë.
 
LSI e lëshon ftesën e saj për kapital politik të vetin si forcë politike dhe për liderin e saj, që jo vetëm e ka me qejf të madh rolin e kryenegociatorit, por edhe i shkon për shtat politik. Takimi e dialogu Rama-Basha për konsensus, sipas tekstit të kësaj ftese publike shumë pragmatiste e tepër demagogjike, i duhet mazhorancës të paraqitet si “një demonstrim i pjekurisë politike” në Shqipëri,të merret si “një mesazh i mirëpritur nga partnerët europianë” dhe “do t’i jepte fund debatave për Ligjin e Nëpunësit Civil”(!) Pra, një ftesë për të mbyll debatet e jo për të zgjidh problematikat. Në çdo vend demokratik euro-atlantik kërkesat e opozitës do të shiheshin me përparësi. Opozita e djathtë nuk mundet ta rivotojnë këtë ligj të Nëpunësit Civil që është një nga kushtet për integrim në Europën e Bashkuar, sepse do të humbiste integritetin e saj politik e social para antarësisë së vet e votuesve shqiptarë, në ardhmërinë e vet.

Ftesa politike publike e LSI e 11 tetorit 2013 mbart e shfaq provokacione, diversione, makinacione politike. Ministre e Integrimit, Klajda Gjoshja e LSI-së (sëbashku me Ilirian Celibashin e PS-së, ministër Shteti për Marrëdhaniet me Parlamentin) u takuan e biseduan për ligjin e nëpunësit civil me partinë në opozitë, partinë e Shpëtim Idrizit. Kjo dyshe, sipas mediave elektronike, i ban ftesë kësaj partie që me pesë deputetët e saj të ishte në Kuvendin e Shqipërisë këtë të enjte të paraqitjes së ligjit për votim. Kërkojnë thyerje bojkoti me krahëmarrje politike të tipit majtist. Kësaj mazhorance me 84 vota të merituara e të manipuluara astenjiherë nuk kanë me i ba nder dhe as me ia rrit imazhin në sytë e botës euro-atlantike qoftë edhe përpjekja mediatike për të marrë deputetë apo vota nga opozita e djathtë, veçanarisht në raste të tilla si ligji për Nëpunësin Civil. Disa orë pas këtij takimi të dy ministrave të mazhorancës me PDIU del Petrit Vasili, kryetar i grupit parlamentar të LSI e fton publikisht për “takim në nivel të kryetarëve, kryeministri Rama dhe kreu i PD Basha”(!)

Kjo ftesë e LSI nuk ofron ndonjë zgjidhje, nuk jep një platformë, nuk shtron alternativa, etj. veçse në fjalatekst shihet vetëm si “një moment i rëndësishëm” që thjesht ka për të “rivendosur dialogun mes mazhorancës dhe opozitës”(!) Partia Socialiste për Integrim fton dyshen politike Rama-Basha që të ulen në dialog ndërveti “për të eksploruar një dakordësi” (!) Po çka ka ky ligj për t’u “eksploruar” në një takim të tillë mazhorancë-opozitë?! Këta janë politikanë e jo speologë. Çka po i kërkon kjo Aleanca për Shqipërinë Europiane kësaj Opozitës së Djathtë, pasi vet dy “dinosaurët” e të majtës, Edi Rama me Ilir Metën të “aleancës së 1 prillit 2013” e kanë prish “dakordësinë” e 30 majit 2013?!

LSI kur ndërmerr negociata për takime e dialog të tillë duhet të mësohet të sillet me kulturë për vete dhe ndaj opozitës dhe të mos lëshojnë kërcenime, të mos kalojnë në ekstremitete, si në ftesën e dytë të 12 tetorit 2013. Kjo do ta nxirrte LSI e liderin e saj jashtë misionit fisnik të kryenegociatorit dhe do ia shtonte ftesës dozat e përfolura të mungesës së sinqeritetit të saj, do ta kthente ashtu siç mund edhe të jetë: në një dredhi politike. Politikani punëtor e njerëzor, lsisti Petrit Vasili, jep këshilla se “gjakftohtësia duhet t’i prijnë debatit politik”, ndërsa vet nuk tregohet aspak i këtillë kur lideri i PD e i koalicionit të djathtë iu përgjigj brenda dy orësh letrës së kryeministrit socialist Edi Rama. Menjëherë u kthye në “petrit politik” dhe i etiketoi deklaratat e unifikuara të opozitës si “emocionale”(!) Krejt ndryshe flet realiteti i ditës së shtunde. A ka emocionalitet ma të madh politik e cinik se ky i Petrit Vasilit, që një ditë ma parë i thirr në dialog të dy palët sapo hyjnë në “dialog në distancë” Rama nga Vlora e Basha në Tiranë, hidhet e sulmon në media elektronike Opozitën e Djathtë?! Këtë akt politik publik Petrit Vasili e vetkryen krejt pa gjakftohtësi dhe me tepër emocionalitet ende pa u dhanë lajmi i kundërpërgjigjes së Bashës në të gjitha televizionet ma kryesore shqiptare, ende pa e dhanë përgjigjen e dytë Rama në “Twiter”!! Çuditërisht P.Vasili deklaron në ftesën e dytë se “nuk duhet pasur komplekse për të dialoguar” ndërsa vet tranohet nga kompleksiteti politik kur kreu i Opozitës nuk i kthen përgjigje ftesës së tij të një dite ma parë dhe i përgjigjet kreut të mazhorancës brenda dy orëve, aqsa e kthen ftesën në një kërcenim, në një demagogji politike të rradhës (!)

Nga deklarata e LSI e të premtes tek kjo e të shtundes kemi avancim politik: Nëse, një ditë më parë “e gjen të udhës” të ftoj dy palët në dialog, të nesermën kërkon të “mbështesë dialogun që zhbën konfliktualitetin”. Kjo është e randësishme, sepse në ftesën e parë thuhej se LSI do të “promovojnë idenë e një takimi” dhe për ma tepër është e shumëpritur që nga “ide” të kthehet në nismë dhe ma e mira e mundshme: të jetë mision politik e qytetar i saj, pasi kjo parti politike parlamentare në pushtet– e treta në vend, e ka traditën e vet të kahershme. Natyrisht për të ecur ma larg në këtë dialog dypalësh mazhorancë-opozitë për ligjin e Statutit të Nëpunësit Civil duhet që kryenegociatorja LSI të rikthehet tek konsensusi i 30 majit 2013 për t’i hapur rrugë dialogut të mëtejshëm, të takimeve të tjera dhe për çështje të tjera me interes kombëtar.

RAMIZ LUSHAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
TË NDËRTOJMË SHTETIN APO TË JETOJMË ME RREZIKUN MAJTAS SHILA DJATHTAS KARIBDA?!Nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.13.2013)
SHUMË ZHURMË NË TIRANËNga AFRIM KRASNIQI (10.12.2013)
STOP FRIKËSIMIT DHE KËRCËNIMIT NDAJ SHTYPIT TË PAVARURNga FRANK SHKRELI (10.10.2013)
MIRADMINISTRIMI I SHTETIT PËRBALLË SYNIMEVE JAKOBINISTENga ROMEO GURAKUQI* (10.10.2013)
SHBA DHE MESAZHET PËR SHQIPËRINËNga AFRIM KRASNIQI (10.09.2013)
'GJENERATA E RE' - PROBLEME TË VJETRA!Nga Dr. PËRPARIM KABO (10.09.2013)
AKUZË GJENOCIDI PËR KRIMET KOMUNISTE NË RUMANINga FRANK SHKRELI (10.08.2013)
Kushtuar motrës sime Drita Kripa PelinguMIRUPAFSHIM MOTËRNga RESHAT KRIPA (10.08.2013)
POLITIKA SHQIPTARE NË HIGH HEELS PËRPARA TRAGJEDISË LIVE TË SOFIE QENDROS Nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.08.2013)
SI SISTEMI I SË DREJTËS SË KONTABILITETIT MUND TË SHPËTOJË TË ARDHMEN E AMERIKËSNga ISH KONGRESMANI AMERIKAN ME ORIGJINË ARBËRESHE, JOSEPH DIOGUARDI (10.08.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Gusht 2022  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31      
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]