E Martë, 10.04.2022, 09:57pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
KUMARI - SI MARRËZI PËRTEJ EVAZIONIT FISKAL
Nga MENTOR KIKIA

E Djelë, 10.20.2013, 09:40am (GMT+1)


Policia i emërton shpesh operacionet e saj me emra si “Stuhia e vjeshtës”, “Semafori”, “Mushka e Lazaratit”…, por më i godituri ndër ta duket të jetë emri i operacionit “Fundi i Marrëzisë”, që çoi në mbylljen e qindra kazinove të paligjshme. Përveç sipërmarrësve që e ushtrojnë këtë biznes dhe një grupi njerëzish të sëmurë pas kumarit, nuk besoj se ka pasur tjetër njeri në Shqipëri që nuk e ka aprovuar këtë aksion. Nisur nga emri, ai përmbledh dy argumente: “marrëzinë” dhe “fundin”.

Mania e kazinove e bëri këtë vend unik për nga përmasat e këtij biznesi, shkalla e lartë e informalitetit, mungesa totale e kontrollit shtetëror dhe posedimi i tij nga njerëz të botës së krimit. Të gjitha arsyet e botës të bëra bashkë, për të justifikuar deri edhe vënien e flakës në mënyrë masive. Por, ndërsa është një tjetër çështje se deri ku do të shkojë hetimi për të zbuluar se deri në ç’nivel të pushtetit shkonin fijet e këtij biznesi kriminal, është e rëndësishme të tregojmë edhe përmasat dhe pasojat sociale të këtij biznesi.

Njerëz që mendonin të siguronin paranë duke provuar fatin, u bënë vrullshëm ushtria e klientëve të një biznesi që zgjati kthetrat në çdo lagje e fshat të Shqipërisë, duke e bërë një nga industritë më fitimprurëse. Garazhe makinash, dyqane në katet e para të pallateve, ndërtesa me dhe pa leje, kudo, në anë të rrugëve, mes zonave të banuara dhe skutave të zonave informale, nga qendra e kryeqytetit deri në fshatra, u shndërruan në lojëra fati. Bixhozi u bë sëmundja më e madhe kolektive e shqiptarëve në periudhën postkomuniste.

Të dhënat e agjencisë së mbikëqyrjes së lojërave të fatit tregonin për një evazion fiskal me rreth 100 milionë dollarë në vit. Të dhënat e policisë tregojnë se këto mejhane janë burim potencial i krimit. Por kjo marrëzi kolektive ka edhe një kosto tjetër, edhe më të madhe, anipse jo në vlerë financiare. Kjo është plaga e madhe sociale që ka hapur ky biznes i zi, në të gjitha drejtimet, duke e goditur shoqërinë mu në zemër, duke e transformuar dhe degraduar atë.

Në mënyrë fare publike, sipërmarrës të lidhur me botën e krimit dhe me segmentet më të korruptuara e të inkriminuara të shtetit, kishin ngritur rrjetin më të madh të zhvatjes kolektive të shqiptareve, edhe pse shumëkush mund të thotë se të zhvaturit shkonin me dëshirë në derë të zhvatësit. Problemi është se ky biznes, është ndër përgjegjësit kryesore për degradimin e shoqërisë. Burra, që pasi linin në ruleta paratë e bukës së fëmijëve shfrynin mllefin duke rrahur gratë në shtëpi, adoleshentë që pasi humbnin paratë, derdheshin rrugëve për të grabitur. Shteti vajton më shumë koston financiare të kësaj shthurjeje, por më shumë se kaq, pasoja është tek mungesa e kontrollit të frekuentuesve të saj. Pa asnjë filtër, klientë të këtyre lojërave janë bërë të miturit, të cilët marrin kështu leksionin e parë më të keq të jetës së tyre. Statistikat e policisë tregojnë se pjesa dërrmuese e të miturve që janë implikuar në krime, e kanë bërë këtë pasi kanë humbur para në lojërat e fatit. Ata më pas vjedhin ose në shtëpinë e tyre, ose grabisin e vrasin njerëz në rrugë edhe për një varëse floriri. Kjo dalldi kolektive e shndërroi shoqërinë në një shoqëri kumari, ku gjithkush mendonte që të siguronte para jo përmes punës, por përmes bixhozit. Edhe pse në të vërtetë, të vetmit fitues dhe përfitues kanë qenë pronarët e këtyre bizneseve. Kronika e zezë e medias është e mbushur me raste deri vetëvrasjesh të njerëzve që, pasi kanë humbur kursimet apo kanë shitur edhe shtëpitë, i janë drejtuar vetëflijimit si zgjidhje përfundimtare. Ndërkohë që statistikat e drejtësisë flasin për një numër të konsiderueshëm divorcesh që janë shkaktuar si pasojë e degradimit të burrave në lojërat e fatit, apo shkatërrimit të ekonomisë familjare.
Ky biznes, jashtë çdo lloj kontrolli, e meriton plotësisht epitetin “marrëzi”, marrëzi e shtetit, marrëzi e institucioneve, marrëzi e njerëzve, me pak fjalë një marrëzi kolektive shqiptare.

Dhe këtu nuk duhet të flitet vetëm për kazinotë. Pa asnjë dyshim që ky biznes do të ekzistojë, por duhet të futet në binarë ligjorë dhe rreptësisht të kontrollueshëm. Operacioni policor, i cili po justifikohet me paligjshmërinë financiare, duhet të shtrihet përtej tyre. Duhet të përfshijë edhe epideminë e dyqaneve të basteve sportive dhe bingove, të cilat po njësoj janë bërë stacione të degradimit të shoqërisë. Kumari është i zi, edhe kur është legal dhe paguan taksat. Edhe një lokal bastesh është i paligjshëm kur pranon një 13-vjeçar të bëhet pjesë e këtij biznesi, edhe pse pronari mund të paguajë taksat.

Ai tashmë e ka bërë dëmin në degradimin dhe kalbëzimin e shoqërisë, ndaj dhe duhen masa drastike për të vendosur rregull, sa të mundet, në këtë shthurje të përgjithshme, për të menduar për të ardhmen. Ndaj dhe ”fundi” i kësaj marrëzie duhet të jetë shumë më gjithëpërfshirës sesa shkulja e makinerive elektronike të kazinove-mejhane (kazino është fjalë e madhe në këtë biznes), të cilat, deri tani nuk kanë paguar taksat tek shteti por tek shtetari i korruptuar. Shoqëria shqiptare është në krizë. Dhe shoqëria si një organizëm i gjallë, nuk vuan njësoj si qeveria nga krizat financiare apo korruptive, shoqëria përjeton për pasojë të tyre disa kriza të tjera, të cilat nuk rikuperohen me kredi apo borxhe. Krizat e shoqërisë i kanë pasojat afatgjata dhe shumë të rënda, të cilat, kur shndërrohen në plagë, nuk shërohen as me para e as me operacione policore, të çfarëdolloj përmase qofshin.

Nuk ka shprehje më të gjetur sesa ajo e shkrimtarit amerikan me rrënjë të hershme shqiptare, Piter Lukas, i cili, gjatë një interviste televizive, pasi kishte vizituar Shqipërinë poshtë e lart, tha: “Përse hapni kaq shumë kazino, përse nuk hapni fabrika që të punoni?”.
MENTOR KIKIA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
POEZIA - TOKA QË NA USHQEN BUKURINË E ARDHMËRIMITEsé nga ARTUR VREKAJ (10.20.2013)
DHJETË VJET LUMTURIM - NËNË TEREZANga FRANK SHKRELI (10.20.2013)
PËR AKADEMIK MARK KRASNIQIN Reagim i ELIDA BUÇPAPAJ (Marrë nga libri Akademik Mark Krasniqit – Kujtime e Përjetime – Shënime Biografike 1920-2012 -e ribotojmë me rastin e 93 vjetorit të lindjes) (10.19.2013)
S'I KA FAJET BRUMI, POR DORA QË GATUAN!..Nga LEBIT MURTISHI (10.16.2013)
AMANETI I ÇUAR NË VEND! - KATOVICA - ËSHTË ZBATUAR SI NJË SKENAR PA NDRYSHUAR PIKË E PRESJE Nga FRANK SHKRELI (10.15.2013)
NË METROPOLIN SHQIPTAR KURBAN BAJRAMI FESTOHET PRAPË NËN QIELL TË HAPUR Nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.15.2013)
ÇËSHTJA ÇAME NË REND TË DITËSNga ARTUR VREKAJ, Worcester, MA SHBA (10.15.2013)
GJEOPOLITIKA TREGTARE E RUSISËNga SHABAN MURATI (10.14.2013)
GOJA TË RRJEDHTË MJALTË, PO PUNA ËSHTË BËRË BALTËNga RAMIZ LUSHAJ (10.14.2013)
TË NDËRTOJMË SHTETIN APO TË JETOJMË ME RREZIKUN MAJTAS SHILA DJATHTAS KARIBDA?!Nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.13.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2022  
D H M M E P S
            1
2 3 4 5 6 7 8
9 10 11 12 13 14 15
16 17 18 19 20 21 22
23 24 25 26 27 28 29
30 31          
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]