E Premte, 08.19.2022, 12:59am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
SERBIA DHE MAQEDONIA - DIPLOMACI KULTURORE ME HISTORI TË VJEDHUR
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 10.21.2013, 01:44pm (GMT+1)


Përvetësimi i historisë dhe i personaliteteve historike të njeri-tjetrit është bërë në Ballkan jo vetëm një normë shkencore, por edhe një normë politike dhe diplomatike. Në muajin tetor mbaruan ceremonitë zyrtare dhe festimet grandomaniake të projektit gjithëvjetor të shtetit dhe të diplomacisë serbe për 1700-vjetorin e Ediktit të Milanos, akt dhe vepër lapidare e perandorit romak Kostandini i Madh, që ka lindur në trevat ilire të Dardanisë. Zyrtarisht viti i ceremonive zyrtare u mbyll në 8 tetor, me premierën e një opere të posaçme kushtuar jetës dhe vdekjes së perandorit Kostandin dhe që u shfaq në Teatrin Kombëtar të Beogradit në prani të presidentit T.Nikoliç. Projektin shtetëror me emrin "Edikti i Milanos 313-2013, Serbia", me të cilin Serbia pretendoi autorësinë dhe të drejtën ekskluzive të celebrimit të përvjetorit të Ediktit të Milanos dhe të perandorit Kostandin, shteti dhe diplomacia serbe e shndërruan në një aksion të madh diplomatik për të afishuar ngjarjen e para 1700 vjetëve si sinonim i trashëgimisë serbe në historinë dhe në kulturën europiane dhe botërore. Diplomacia kulturore e Serbisë u angazhua gjatë gjithë vitit 2013 me veprimtari të shumta dhe të kushtueshme në disa shtete të Europës, duke synuar vetëm një objektiv: t'i krijonin botës bindjen se Kostandini i Madh dhe Edikti i Milanos i përkasin Serbisë. Ambasadat e Serbisë në gjitha vendet, ku janë akredituar nga Europa në Azi, shpallën se projekti i festimeve është shtetëror dhe në krye komitetit organizator qëndron presidenti i Serbisë dhe se ngjarja i takon kombit serb. Ambasadori i Serbisë në Vatikan, Mirko V.Jeliç, deklaronte në 17 shtator në Radio Vatikani se "Kombi i Serbisë, vendlindja e perandorit Konstandin, po feston 1700-vjetorin e Ediktit të Milanos".

Dimensioni diplomatik ndërkombëtar i celebrimeve të 1700-vjetorit kërkonte certifikimin e të drejtës së Serbisë, të historisë së Serbisë dhe të kulturës së Serbisë, mbi perandorin Kostandin dhe mbi Ediktin e Milanos. Kjo qe strategjia e shtetit, e qeverisë dhe e diplomacisë kulturore të Serbisë me përdorimin e 1700- vjetorit të Ediktit të Milanos. Por meqë historia operon dhe mbështetet vetëm në faktet dhe provat, pyetja e thjeshtë që qarkulloi me këtë rast gjatë gjithë vitit në mjediset diplomatike europiane dhe ballkanike është se si Kostandini i Madh i përket kombit të Serbisë dhe si Edikti i Milanos i përket kombit të Serbisë dhe historisë së Serbisë, kur në vitin e lindjes së perandorit romak dhe në vitin e shpalljes së Ediktit të Milanos, Serbia dhe serbët nuk ekzistonin si toponim dhe si tribu as në Europën Juglindore dhe madje as përtej Uraleve, nga ku u dyndën disa shekuj më vonë fiset sllave, pa emër të përveçëm, drejt zonave të ngrohta të Europës Juglindore. Çdo enciklopedi dhe çdo botim serioz shkencor, përfshirë edhe ato të shteteve sllave, e datojnë dyndjen e fiseve pushtuese sllave në Europën Juglindore në shekujt 7 dhe 8 të erës sonë. Ndaj nuk mund të mos i ngjajnë absurdit përpjekjet për të krijuar lidhje gjenetike të sllavëve dhe aq më pak të serbëve, me Kostandinin e Madh, i cili e shpalli Ediktin e Milanos 400 vjet para vërshimit të fiseve sllave në Europën Juglindore.

Ka një boshllëk të madh kohor dhe historik, që nuk mund të fshihet dhe as mund të mbushet dhe që pengon të lidhësh qoftë dhe simbolikisht perandorin romak Kostandinin dhe Ediktin e tij të Milanos, me historinë serbe dhe me popullin serb. Shteti, qeveria dhe diplomacia serbe shtihen sikur e harrojnë këtë vërtetësi historike dhe hollësi shkatërruese për pretendimin e pronësisë serbe mbi Kostandinin dhe Ediktin e Milanos. Mungesa e certifikatës së pronësisë historike është kaq flagrante, saqë diplomacia kulturore serbe detyrohet të shpikë njërin pretekst pas tjetrit për justifikuar këtë zbrazëtirë. Kështu, "Radio Serbia International", instrument zyrtar i diplomacisë kulturore serbe i destinuar për jashtë, për të mbajtur në këmbë pretendimin e shtetit dhe të diplomacisë serbe për pronësinë mbi Kostandinin dhe mbi Ediktin e Milanos, hidhte tezën se "mjafton që vendlindja e Kostandinit gjendet në Serbi dhe nuk është e rëndësishme lidhja me kohën".

Pretendimi i diplomacisë kulturore serbe mbështetet në dy argumente antihistorike dhe antilogjike: që Kostandini ka lindur në rrethinat e Nishit dhe që nuk ka rëndësi nëse Serbia dhe serbët nuk ekzistonin në atë kohë në rajon, as në Nish e as në hapësirat e Europës Juglindore. Argumenti i vendlindjes është vërtet me përmasa absurdi, sepse fakti që perandorë romakë si Kostandini kanë lindur në territoret e Ilirisë, shumë shekuj para se fiset sllave të kishin pushtuar trojet e Ilirisë, nuk prodhon logjikë për të reklamuar se ata perandorë u përkisnin popujve sllavë, që do të vinin në Ballkan disa shekuj më vonë. Kjo nuk është shkencë, por fantashkencë. Për fat të keq, qeveritë dhe diplomacitë e disa shteteve sllave në Ballkan duan t'i bëjnë të tyret dhe janë dashuruar pas disa perandorëve romakë apo personaliteteve të shquara të historisë antike, të cilët kanë lindur në trevat ilire, shumë shekuj përpara se sllavët të nguleshin si pushtues në këto hapësira.
Është interesant se ardhacakët po kërkojnë të grabisin historinë dhe personalitete historike të dy popujve më të vjetër që gjetën në Ballkan, shqiptarëve dhe grekëve. I njëjti fenomen vërehet edhe me qeverinë e Maqedonisë, e cila në kërkim të një identiteti të munguar historik, ka shpallur projektin megaloman "Shkupi 2014", duke mbushur sheshet e kryeqytetit me statuja dhe monumente të personaliteteve apo ngjarjeve të historisë, që i përkasin Greqisë dhe Ilirisë. Qeveria dhe diplomacia maqedonase kanë formuluar si doktrinë dhe stra-tegji zyrtare pretendimin se Aleksandri i Madh, i cili ka jetuar jo njëqind, por njëmijë vjet para se sllavët të zbrisnin në Ballkan, i përket shtetit të sotëm maqedonas. Në këtë lo-gjikë antihistorike të manipulimit politik e diplomatik me vendlindjet e personaliteteve historike në trojet ballkanike, që do të pushtoheshin shumë më vonë nga sllavët, Maqedonia po pretendon për shembull se perandori romak Justiniani i Parë është maqedonas, vetëm nga fakti se ai ka lindur në rrethinat e Shkupit, pa u merakosur për faktin historik se perandori ka lindur në vitin 482 të erës sonë, pra 300-400 vjet para zbarkimit të sllavëve gjatë lumit Vardar. Qeveria e Shkupit e ka bërë këtë pretendim instrument të diplomacisë së saj kulturore dhe në 18 tetor Ministria e Kulturës e Maqedonisë financoi simpoziumin ndërkombëtar "Ditët e Justinianit të Parë", ku ministrja e Kulturës në fjalën e hapjes kumtoi argumentin e madh se Justiniani ka vendlindjen në Shkup. Natyrisht, ajo nuk tha se Shkupi në atë kohë ishte territor i Ilirisë dhe se Justiniani ka lindur 300 vjet para dyndjes së sllavëve në rajonin tonë, kur nuk kishte këmbë sllavi në gjithë hapësirën ballkanike.

Logjika e përkufizimit të etnisë së personalitetit antik historik në bazë të kufijve të sotëm politikë të vendlindjes, e kthen shkencën në folklor dhe natyrisht, të tillë e bën dhe diplomacinë, që ndjek atë rrugë. Sepse në këtë interpretim kokëposhtë do të duhej që Turqia të festonte përvjetorët e shumë filozofëve të mëdhenj grekë të antikitetit, që kanë lindur në territorin e sotëm të Turqisë, shumë shekuj përpara se osmanët të kapnin Azinë e Vogël. Në enciklopedi mund të gjesh dhjetëra e qindra filozofë, shkencëtarë, shkrimtarë dhe udhëheqës të shquar, që kanë lindur në territoret e shteteve, që nuk i kanë të përkatësisë kombëtare, por në botën e qytetëruar nuk mund të pranohet as shkencërisht dhe as diplomatikisht të shpallet pronësia kombëtare mbi këto personalitete, vetëm nga fakti se ku kanë lindur. Mbi këtë interpretim kokëposhtë u ngrit edhe pretendimi i shtetit dhe i diplomacisë së Maqedonisë për të shpallur përkatësinë maqedonase të Nobelistes shqiptare Nënë Tereza, duke spekuluar me faktin që ajo ka lindur në qytetin e Shkupit, i cili tani përfshihet në kufijtë politikë të shtetit të ri në lindje të Shqipërisë.

Natyrisht, ka disa shpjegime kjo diplomaci kulturore me histori të vjedhur. Qeveritë e disa shteteve sllave, si Serbia apo Maqedonia, e kanë shndërruar në politikë shtetërore akaparimin e historisë dhe të personaliteteve të shquara historike të popujve dhe të territoreve, që kanë ekzistuar para ardhjes së sllavëve në Balkan. Në radhë të parë shpjegohet me kompleksin e inferioritetit historik dhe të mungesës së një gjeneze historike të lidhjes së ardhacakëve me territoret ku jetojnë sot. Duke akaparuar dhe keqpërdoruar sot historinë e popujve që gjetën në Ballkan, diplomacitë e Serbisë dhe të Maqedonisë rreken të dëshmojnë përkatësinë dhe vjetërsinë e tyre ballkanike dhe europiane. Fushata politike dhe diplomatike si kjo e Serbisë për Ediktin e Milanos organizohen edhe si një mënyrë për të mbajtur lart frymën e nacionalizmit dhe të etnocentrizmit serb. Nga ana tjetër, fryrja dhe pompoziteti zyrtar i celebrimeve të vitit të 1700- vjetorit të Ediktit të Milanos synojnë të ngrenë në planin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Serbisë pretendimin efemer se Europa Perëndimore i ka një borxh të madh Serbisë, e cila ka përfaqësues të tillë si krijuesi i Ediktit të Milanos dhe duhet t'i falë Serbisë shumë mëkate historike dhe t'i akordojë me një çmim më të lirë integrimin europian.

Serbia dhe Maqedonia nuk kanë histori antike në Ballkan dhe histori vjedhin ato shtete që nuk kanë dhe jo ato që janë të pasur me histori antike në këto hapësira. Natyrisht, nuk mund të shmangim nevojën për të theksuar se vjedhjet e historisë lehtësohen edhe nga një farë neglizhence e shteteve dhe popujve të vjetër, të cilët duhet të jenë më aktivë në ruajtjen e historisë, të personaliteteve historike dhe të trashëgimisë historike të tyre.

SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Barometri diplomatikE SAKTË, "DAÇIQI NUK ËSHTË POP", POR AS THAÇI NUK ËSHTË HOXHË!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (10.20.2013)
NUK MUND TË HIQET ROBËRIA DUKE I MËKUAR ARGATËT E SAJ...Nga LEBIT MURTISHI (10.20.2013)
KUMARI - SI MARRËZI PËRTEJ EVAZIONIT FISKALNga MENTOR KIKIA (10.20.2013)
POEZIA - TOKA QË NA USHQEN BUKURINË E ARDHMËRIMITEsé nga ARTUR VREKAJ (10.20.2013)
DHJETË VJET LUMTURIM - NËNË TEREZANga FRANK SHKRELI (10.20.2013)
PËR AKADEMIK MARK KRASNIQIN Reagim i ELIDA BUÇPAPAJ (Marrë nga libri Akademik Mark Krasniqit – Kujtime e Përjetime – Shënime Biografike 1920-2012 -e ribotojmë me rastin e 93 vjetorit të lindjes) (10.19.2013)
S'I KA FAJET BRUMI, POR DORA QË GATUAN!..Nga LEBIT MURTISHI (10.16.2013)
AMANETI I ÇUAR NË VEND! - KATOVICA - ËSHTË ZBATUAR SI NJË SKENAR PA NDRYSHUAR PIKË E PRESJE Nga FRANK SHKRELI (10.15.2013)
NË METROPOLIN SHQIPTAR KURBAN BAJRAMI FESTOHET PRAPË NËN QIELL TË HAPUR Nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.15.2013)
ÇËSHTJA ÇAME NË REND TË DITËSNga ARTUR VREKAJ, Worcester, MA SHBA (10.15.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Gusht 2022  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31      
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]