VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MINISTRI I JASHTËM GREK VENIZELLOS - MODEL I NJË KRYEDIPLOMATI HIPOKRIT
Athina shoviniste ia ngrënë hijen Tiranës zyrtare që më 08 maj 1971
Nga ESHREF YMERI

E Martë, 10.22.2013, 08:54am (GMT1)


Nuk pritej asgjë e re nga vizita fluturake e ministrit të jashtëm grek Venizellos në vendin tonë më 14 tetor 2013. Të veçantën e asaj vizite e përbënte fakti se Venizellosi u shfaq para mbarë opinionit publik shqiptar me një hipokrizi të trefishtë.

Së pari, shqiptarët me vetëdije kombëtare janë bindur me kohë tashmë se çdo zyrtar i lartë grek që viziton vendin tonë, gjithmonë fsheh në vetvete rolin e tij të dyzuar: nga njëra anë, para mjeteve të informimit masiv, ai del me maskën e marrëdhënieve “korrekte” me vendin tonë, kurse, nga ana tjetër, thellë në qenien e tij, bën të vetën instinkti i hipokrizisë. Madje ky instinkt, i selitur me mjaft kujdes më shumë se një shekull e gjysmë në kthinat e politikës së jashtme greke në qëndrimin ndaj etnisë shqiptare, herë-herë i nxjerr lakuriq politikanët grek, si në rastin e ministrit të jashtëm Venizellos gjatë konferencës së shtypit në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Pamja e tij, para mjeteve të informimit masiv, pas pyetjes që iu bë për punën e ligjit të luftës me Shqipërinë, që është në fuqi që prej vitit 1940, të kujtonte atë të mbretit në përrallën e Andersenit (1805-1875) me titull “Uniforma e re e mbretit” (1837), në të cilën, heroi i saj, një çun i vogël, sapo e pa mbretin në rrugë siç e kishte bërë nëna, klithi me të madhe: “Po mbreti na qenka lakuriq!”.

Dhe “lakuriqësia” e Venizellosit u shfaq shëmtuar para gazetarëve të pranishëm kur pyetjes për ligjin e luftës ai i dha përgjigjen e mëposhtme:
“Greqia nuk ka frikë nga asgjë, i kemi kapëcyer pengesat e kaluara historike. Gjendjen e paqes mes Greqisë e Shqipërisë, Greqia e ka shpallur që në vitin 1987, me vendim të Këshillit të Ministrave” (Citohet sipas: “Çështja çame. Venizellos: s’e njoh. Bushati: shih realitetin në sy”. Marrë nga faqja e internetit “Shqiptarja.com”. 14 tetor 2013).

Kjo deklaratë e Venizellosit ishte një hipokrizi e pastër, me të cilën ai fshihte një mashtrim të shpëlarë që, në mbarë rruzullin tokësor, i shkon për shtat vetëm një politikani grek të nivelit të kryediplomatit.

Por përballë deklaratës hipokrite të Venizellosit, del në dritë një dokument mjaftt demaskues për politikën e jashtme greke lidhur me ligjin e luftës.

Në një shkresë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, dërguar ambasadës sonë në Athinë më 28 qershor të vitit 1999, deklarohet:
“Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë, në përgjigje të shqetësimit të ambasadës shqiptare, deklaron se ligji numër 2636 i vitit 1940 dhe ligji me numër 4560 i vitit 1966 mbeten ende në fuqi” (Citohet sipas faqes së internetit të z. Feliks Taho, me titull: “Shqipëri-Greqi - ligji i luftës ende në fuqi”. 15 tetor 2013).

Kjo deklaratë e ministrisë së jashtme greke zbulon fytyrën e vërtetë të shtetit karagjoz grek në qëndrimin ndaj Republikës së Shqipërisë në raport me ligjin e luftës.
Mendoj se prapavijat e Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme duhej ta kishin nxjerrë me kohë nga arkivi i saj shkresë-përgjigjen e ministrisë së jashtme greke të datës 28 qershor 1999 dhe zotit Ditmir Bushati duhej t’ia kishin vënë në dispozicion para ardhjes së Venizellosit në Tiranë. Me siguri që zoti Bushati ka qenë i bindur paraprakisht për përgjigjen e mësipërme të Venizellosit. Por po të kishte pasur në dorë shkresën e mësipërme, ai do të zbulonte hipokrizinë e homologut grek dhe do ta nxirrte atë krejtësisht “lakuriq” para mjeteve të informimit masiv dhe para mbarë opinionit publik shqiptar.

Normalisht, mbarë mjetet e informimit masiv, që të nesërmen e largimit të Venizellosit, duhej të ishin marrë posaçërisht me demaskimin e hipokrizisë së tij në konferencën e shtypit me zotin Dimir Bushati, sepse në atë konferencë ai mashtroi pa iu skuqur faqja për ligjin e luftës që edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet në fuqi. Por mjetet në fjalë, me përjashtim të zotit Feliks Taho në faqen e tij të internetit, nuk e bënë një gjë të tillë sepse ato, së bashku me politikën e Tiranës zyrtare, kanë vuajtur nga kompleksi i inferioritetit para Athinës.

Së dyti, ministri Bushati, me shumë të drejtë, i shtroi Venizellosit çështen çame. Por Venizellosi, përsëri në rolin e aktorit diplomatik të hipokrizisë greke, deklaroi se, demek, nuk e njihte çështjen çame. Kjo deklaratë e tij dëshmon se shteti grek asnjëherë nuk ka reaguar dhe nuk e ka rishikuar kurrë qëndrimin kriminal deri në barbari që mbajti ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë. Me krimet çnjerëzore që kreu ndaj një popullsie shqiptare, të pafajshme dhe të pambrojtur, shteti grek u radhit përkrah boshtit nazifashist në Luftën e Dytë Botërore. Krimet e bandave fashiste të Zervës, të frymëzuara nga kisha shoviniste greke dhe nga shteti shovinist grek, të kujtojnë krimet e nazizmit gjerman kundër popullsisë së pafajshme sovjetike në rajonet perëndimore të Bashkimit Sovjetik pas sulmit hitlerian të 22 qershorit të vitit 1941.
Me përgjigjen e tij hipokrite, se gjoja nuk e njeh Çështjen Çame, Venizellosi vërtetoi edhe një herë se shteti shovinist grek, edhe sot e kësaj dite, vazhdon të mbrojë masakrat e përbindshme që ai kreu me dorën e Napolon Zervës kundër Çamërisë në vitin 1944.

Çështja Çame nuk është çështje pronash individuale, siç kërkoi ta banalizonte Venizellosi me rekomandimet e tij për individë të veçantë që t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut. Çështja Çame është dhe mbetet një çështje e pastër politike. Thelbin e kësaj Çështjeje e përbëjnë rikthimi i popullsisë çame në trojet e veta stërgjyshore, kthimi i pronave të grabitura prej shtetit grek, kompensimi i të gjitha shkatërrimeve dhe vrasjeve kriminale dhe kërkimi i ndjesës publike para mbarë opinionit publik ndërkombëtar. Vetëm kështu zgjidhet çështja çame dhe jo me pallavrat që rekomandon Venizellosi.

Së treti, Venizellosi u mundua të reklamonte “gatishmërinë dhe dashamirësinë” e Greqisë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, duke deklaruar se Shqipëria së shpejti do të jetë edhe anëtare e Bashkimit Evropian. Madje nuk mungoi të theksonte disa herë se Greqia, duke filluar që nga 01 janari 2014, do të marrë kryesimin e Presidencës Evropiane.

Me fjalë të tjera, prapa deklaratës publike të Venizellosit për të “përkrahur” Shqipërinë, fshihej edhe deklarata e tij nën zë:
“Dëgjoni, ju, politikanë shqiptarë! Greqia do të bëjë gjithçka dhe do të rekomandojë që Shqipëria ta marrë statusin e vendit kandidat, por kujdes: kjo varet nga Greqia, se rruga juaj për në Evropë kalon nga Athina. Prandaj mos bëni asnjë naze për plotësimin e kërkesave të Athinës, siç janë kufiri detar, mohimi i çështjes çame, mosprekja e çështjes së ligjit të luftës, heshtja për mosnjohjen e kufirit tokësor me Shqipërinë nga ana e Greqisë, krijimi i komisionit të varrezave për ushtarët grekë, ngritja e varrezave të reja, përjetësimi i pushtimit të kishës ortodokse dikur shqiptare prej kishës ortodokse greke, avancimi i të drejtave të minoritetit grek e kështu me radhë”.

Madje, për të qenë edhe më impresionues para mjeteve të informimit masiv, Venizellosi deklaroi se Greqia na qenka njëri nga 30 vendet “më të zhvilluara” të botës.

Interesante! Kurse në një informacion të disa ditëve më parë, jepej një e dhënë befasuese:
“…shumë njerëz të pastrehë po kthehen për të jetuar nëpër shpellat e shumta që ndodhen pranë Akropolit në Athinë” (Citohet sipas: “Athinë, të pastrehët jetojnë në shpellat pranë Akropolit”. Marrë nga faqja e internetit e zotit Feliks Taho. 11 tetor 2012).

Kur u njoha me deklaratat hipokrite të Venizellosit për të na “përkrahur” për statusin e vendit kandidat, m’u kujtuan fjalët e zotit Sali Bollati, i cili shkruante para do kohësh:
“…sipas grekëve, megjithëse ata kanë mbetur “pa brekë”, si lypësa të vërtetë, u lindka e drejta që ta rekomandojnë ose jo Shqipërinë për në BE?!” (Citohet sipas: Sali Bollati. “Frika nga e vërteta?”. Marrë nga faqja e internetit e zotit Feliks Taho. Ribotuar më 17 tetor 2013).

Por gjatë vizitës në Tiranë, Venizellosi manifestoi edhe dy shfaqje çiltërie. Me këtë rast, ai u zhvesh tërësisht nga hipokrizia. Ishte rasti i vizitës së tij në Katedralen e Tiranës, ku u takua dhe bisedoi përzemërsisht me komisarin politik të Athinës në Shqipëri, Janullatosin.

Normalisht, shtrohet pyetja: ç’punë kishte Venizellosi të shkonte në Katedralen e Tiranës? Po të hamendësojmë për një çast sikur Katedralja e Tiranës të ishte kryeqendra e vetëm besimtarëve ortodoksë shqiptarë dhe Janullatosi ndodhet në krye të saj thjesht për rimëkëmbjen e fesë ortodokse fanoliane, pa kurrfarë prapavije shoviniste, atëherë ç’i duhet ministrit të jashtëm grek të shkojë atje për vizitë? Sigurisht që nuk duhej të shkonte dhe madje vetë Janullatosi nuk duhej të pranonte të takohej me të. Se në vendin tonë kanë ardhur për vizitë edhe personalitete nga vende myslimane, si kryeministra ministra apo zëvendësministra dhe asnjëherë nuk kanë shprehur ndonjë dëshirë të posaçme për të bërë vizitë në xhaminë e Tiranës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për personalitete të ardhur për vizitë nga vende katolike, të cilëve, po ashtu, s’u ka shkuar ndër mend për të vizituar Katedralen e Shën Palit.

Por me Venizellosin ndryshonte puna. Ai shkoi të takohej me Janullatosin se ky përfaqëson kalin e Trojës së Athinës zyrtare, i cili ka për mision greqizimin e Shqipërisë së Jugut, prandaj edhe kishën dikur fanoliane e ka shndërruar në filial të kishës shoviniste greke. Prandaj Venizellosit nuk i durohej pa shkuar në katedralen janullatiste, në të cilën fshihen interesat shoviniste të Athinës zyrtare.

Shfaqja e dytë e çiltërisë së Venizellosit gjatë vizitës në Tiranë, ra në sy me shoqërimin e tij prej Pirro Dhimës, një ish-shqiptar i greqizuar, i cili, që kur është larguar nga Shqipëria në vitin 1990, është shquar për veprimtarinë e tij antishqiptare. Me shoqërimin e tij prej Pirro Dhimës, Venizellosi sfidonte diplomacinë shqiptare dhe mbarë opinionin publik shqiptar. Dhe kjo për faktin se fytyrën e vërtetë të Pirro Dhimës, si antishqiptar, më 14 tetor 2013, e zbulonte me fakte të qarta faqja e internetit e gazetës “Tribuna” dhe faqja e internetit “KOHAnet”, me titull “Pirro Dhima, shqiptar i greqizuar, shoqëron në Tiranë Venizellosin”.

Të sillesh me hipokrizi në mërrëdhëniet me një individ të caktuar të rangut tënd, do të thotë të mos ushqesh kurrfarë respekti ndaj tij. Në kuadrin e politikës së jashtme, të sillesh me hipokrizi ndaj një vendi fqinj, do të thotë që jo vetëm të mos ushqesh kurrfarë respekti ndaj tij, por edhe “ta mbash sëpatën nën gunë” për realizimin e epsheve të tua shoviniste. Pikërisht e tillë është politika greke në qëndrimin ndaj vendit tonë. Ajo, e para e të parave, nuk ushqen kurrfarë respekti ndaj vendit tonë. Dhe kjo e ka arsyen e vet.

Pas provokacioneve të gushtit të vitit 1949, në të cilat Greqia, nga shqiptarët, e hëngri dajakun që meritonte, politika e jashtme e Shqipërisë, prej gati 22 vjetësh, u karakterizua nga një qëndrim paradoksal që zbriti deri në nivelet e një servilizmi të pështirë ndaj Athinës zyrtare.

Në librin e vet shkencor me titull “Tensioni greko-shqiptar. 1939-1949” (Shtëpia Botuese “GEER”. Tiranë, 2002), prof.dr. Beqir Meta ka hedhur mjaft dritë mbi traditën e këtij servilizmi me të vërtetë skandaloz. Vetëm në periudhën mes viteve 1954-1966, politika e jashtme e Enver Hoxhës pati ndërmarrë 49 aksione të pastra diplomatike për vendosjen e marrëdhënive me shtetin grek, ndërkohë që ky i fundit shënonte vetëm tri nisma të vakta mes viteve 1966-1968. Por, për fatkeqësinë tonë kombëtare, Enver Hoxha, në ngutjen e tij të çuditshme për të lidhur marrëdhënie diplomatike me Athinën, nuk shtroi kurrfarë kushtesh paraprake para Athinës zyrtare.

Dhe këto kushte, siç i parashtron me shumë të drejtë prof Meta, duhej të ishin:
Së pari, abrogimi i ligjit të luftës.
Së dyti, të njihet tërësia territoriale e Shqipërisë dhe të respektohen kufinjtë ekzistues.
Së treti, popullsia e dëbuar çame të kthehet në trojet e veta stërgjyshore dhe të njihet minoriteti shqiptar në Greqi.

Por Enver Hoxha nuk shtroi asnjërin prej këtyre kushteve dhe më 08 maj të vitit 1971 vendosi marrëdhënie diplomatike me Greqinë, me një epërsi të paimagjinueshme interesash në favor të saj. Pra, ka 42 vjet që Greqia ia ka ngrënë hijen Tiranës zyrtare, prandaj edhe sillet në një mënyrë mjaft shpërfillëse ndaj vendit tonë. Kjo ra në sy fare qartë gjatë intervistës së Venizellosit, i cili kërkonte të kacagjelohej para zotit Ditmir Bushati, duke mashtruar për ligjin e luftës dhe për Çështjen Çame.

Këto tre lëshime të rënda, në dëm të interesave madhore kombëtare që Enver Hoxha i bëri shovinizmit grekokaragjoz, ia rritën së tepërmi hundën Athinës zyrtare, e cila erdhi e u bë kaq arrogante, saqë pas dhjetorit të vitit 1990, vëndin tonë filloi ta shikonte me shpërfillje, si tigri drenushën. Orekset shoviniste greke erdhën e u shtuan së tepërmi pas marrjes peng të emigrantëve tanë, për të cilët, për interesat e agallarëve grekë, shteti grek kufirin me vendin tonë e shqeu kat e kat në dhjetëditëshin e fundit të muajit dhjetor 1990.

Klasa politike që erdhi në pushtet në vendin tonë pas vendosjes së pluralizmit, në vitin 1966 nënshkroi një të ashtuquajtur traktat miqësie dhe bashkëpunimi me Greqinë. Po cilat ishin pasojat e atij traktati për Shqipërinë? Duhet pranuar me plot gojën se ato pasoja ishin dhe vazhdojnë të mbeten të vajtueshme. Shqipëria, në bazë të atij traktati, jo vetëm që nuk përfitoi asgjë, por i bëri lëshime të tjera të rënda Greqisë. Sot, 17 vjet pas nënshkrimit të atij traktati, vërejmë se Shqipëria ka përballuar një kosto shumë të rëndë që është shoqëruar me 154 emigrantë të vrarë nga strukturat e shtetit grek, me pushtimin e kishës ortodokse fanoliane prej kishës shoviniste greke (pushtim ky, i konkretizuar me vendosjen në krye të saj të komisarit politik të Athinës me emrin Janullatos), me ngritje kishash me simbolikë greke, me ngritje varrezash për ushtarë agresorë grekë dhe memoriale e manastire në nderim të tyre, me hapje shkollash greke edhe atje ku nuk ka këmbë minoritari, me dyndje deputetësh dhe lloj-lloj plehrash nga stani i politikës greke drejt vendit tonë, ku kanë bërë thirrje të hapura për të ashtuquajturin Vorio Epir, për Himarë dhe për Korçë greke, me ngritje flamujsh grekë, me ngritje të një sistemi të tërë bankash greke, me kërkesa këmbëngulëse për pushtimin e hapësirave tona detare etj.

Pra, qëndrimi shpërfillës i Athinës zyrtare ndaj vendit tonë, ka gjetur një truall mjaft ushques edhe gjatë këtyre 23 viteve të periudhës paskomuniste. Tirana zyrtare ka heshtur për tre lëshimet e rënda të Enver Hoxhës që u përmendën më lart. Më 14 tetor, për herë të parë, dëgjuam të prekej publikisht çështja e ligjit të luftës dhe Çështja Çame, për të cilën ministri Bushati, me shumë të drejtë, i bëri thirrje Venizellosit ta shohë realitetin në sy. Shpërfilljen e Greqisë ndaj Çështjes Çame, deri tani, e ka ushquar vetë Tirana zyrtare, e cila është tallur me Rezolutën Çame. Ajo Rezolutë që u botua në Fletoren Zyrtare ishte mjerane. Ajo nuk përmbante asgjë nga thelbi i Rezolutës që deputetët Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri e bënë publike më 10 dhjetor 2012. Në Rezolutën e Fletores Zyrtare nuk përfshihej pika 2 e Rezolutës së 10 dhjetorit 2012 që përbën thelbin e zgjidhjes së Çështjes Çame:

“Kërkon rivendosjen e të drejtave themelore të shtetasve shqiptarë, ish shtetas grekë, që përfshin rikthimin e pronave, njohjen e të drejtës së riatdhesimit, njohjen e të drejtës së rimarrjes së shtetësisë, dhe të të drejtave të tjera të pakicave kombëtare”.

Athina ka edhe një arsye më shumë të tallet me Çështjen Çame. Sepse Tirana zyrtare, më 26 shtator të vitit 2013, boton në Fletoren Zyrtare një Rezolutë Çame të 08 prillit të vitit 2004. Ky është një turp që nuk e ngre as dheu, as qielli. Kur me një çështje të tillë është tallur vetë Tirana për 9 vjet me radhë, si të mos tallet shumë më tepër edhe vetë Athina?!

Kishte bërë shumë mirë zoti Feliks Taho, i cili në faqen e vet të internetit të datës 12 tetor 2013, kishte botuar edhe Rezolutën e Fletores Zyrtare, edhe Rezolutën e 10 dhjetorit 2012, në mënyrë që publiku ta shikonte se sa larg janë ato rezoluta nga njëra-tjetra.

Por ajo që të lë një shije të hidhur në Rezolutën Çame të Fletores Zyrtare, është paragrafi i parë i saj:
“Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, duke vlerësuar nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve miqësore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë…”

Të lësh mendjen! Greqia mban në fuqi ligjin e luftës, nuk njeh tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, nuk njeh Çështjen Çame, kurse Tirana zyrtare marrëdhëniet me Greqinë na i vlerëson si “shumë miqësore”. Kurse në realitet, Greqia, ligjërisht, ka qenë, është dhe vazhdon të mbetet një shtet armik për Republikën e Shqipërisë.

Gjithsesi, është si është Rezoluta e Fletores Zyrtare, tani ajo duhet shoqëruar me Dosjen Çame, me të gjitha krimet e shovinizmit grek, e cila duhet t’i dorëzohet Brukselit, Kongresit Amerikan dhe Departamentit të Shtetit. Mendoj se çdo shqiptari, në mbarë trojet tona etnike, që e ka të shtrenjtë çështjen kombëtare, do t’i gëzohet zemra nëse Kryeministri Rama dhe zoti Ditmir Bushati do ta marrin në dorë seriozisht zgjidhjen deri në fund të Çështjes Çame. Kjo është një çështje shumë madhore dhe zgjidhja e saj atyre do t’ua skalisë emrin në faqet e historisë sonë kombëtare. Ministri Bushati u tregua vërtet dinjitoz në përballjen me Venizellosin për tri çëshje themelore: për ligjin e luftës, për Çështjen Çame dhe për kufirin detar. Nga ajo konferencë shtypi doli në pah fakti se Venizellosi qenkesh munduar deri në Tiranë sa për të bërë një “teferiç” të thjeshtë, pa qenë i përgatitur absolutisht për problemet që do të dilnin në përballjen me ministrin Bushati. Edhe kjo mungesë përgatitjeje nga ana e Venizellosit, dëshmon përsëri për qëndrimin shpërfillës të politikës së jashtme greke ndaj vendit tonë.

Në satirën e të Madhit Fishta me titull “Nën hajat të parrizit”, të shkruar gati një shekull më parë (1914), lexojmë një fjali fort dëshpëruese:
“Shqiptarët janë si i don armiku”.

Dhe dihet se si i do armikut shqiptarët: të përçarë, të hanë kokat e njërit tjetrit, të jenë pre e tradhtisë dhe e mercenarizmit, në mënyrë që ai, armiku, me duart e vetë shqiptarëve, t’i arrijë objektivat e veta shoviniste në dëm të interesave tona kombëtare.

Është koha të shpresojmë se në hapat që do të ndërmerren për zgjidhjen e Çështjes Çame, klasa politike shqiptare do të jetë e bashkuar dhe do të flasë me një zë të vetëm para autoriteteve ndërkombëtare, në mënyrë që Greqisë t’i çirret maska përfundimisht për gjenocidin që ka kryer kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë dhe të heq dorë një herë e mirë nga shpërfillja dhe nga hipokrizia në qëndrimin ndaj Republikës së Shqipërisë.

Santa Barbara, Kaliforni
21 tetor 2013

ESHREF YMERI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.