VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

"NJË MILION KUQEZI", NISMA E AK NË LONDËR
E Shtunë, 12.24.2011, 10:43am (GMT1)

"Në Londër ndodhi copëtimi, por mund të fillojë edhe bashkimi". Me këto fjalë nisi në Londër inspiruesi i "Aleancës Kuq e Zi", Kreshnik Spahiu fushatën "Një milion kuqezi".

Kjo fushatë synon për 100-vjetorin e pavarësisë të bëhen një milion aktivistë të kësaj aleance dhe të shndërrohet në lëvizje popullore mbarëkombëtare në trojet etnike dhe në diasporë.

Disa qindra emigrantë që jetojnë dhe punojnë në Britani u tubuan në qendër të Londrës në aktivitetin e "Aleancës Kuq e Zi". Kreshnik Spahiu reagoi shumë ashpër ndaj censusit që u publikua nga qeveria shqiptare, duke thënë se është i turpshëm reagimi grekëve dy ditë para publikimit dhe se qeveria duhet të përgjigjet pse informoi Greqinë para shqiptarëve për rezultatin?

"Artificialisht censusi ka zvogëluar kombin më të madh në rajon, duke e nxjerrë si popullsinë më të vogël. Ne jemi një nga popujt më të mëdhenj në Ballkan më shumë se kroatët, serbët, maqedonasit, malazezët, boshnjakët, por censusi grek na copëtoi", tha Spahiu.

Aksioni "Abetare në çdo familje të re emigranti" po zhvillohet masivisht në disa qytete evropiane për ndërgjegjësimin e prindërve emigrantë që t'iu mësojnë gjuhën shqipe fëmijëve.

Së shpejti "Aleanca Kuqezi" do t'iu dhurojë shqiptarëve një program me ëndrrat e Ismail Qemalit dhe Adem Jasharit për një Shqipëri Kuq e Zi larg dhe ndryshe nga ata që tradhtuan këto ideale, deklaroi Spahiu në Londër.

Aleanca Kuq e Zi ditë më parë reagoi ashpër kundër deklaratës së kryeministrit Berisha i cili u shpreh kundër bashkimit të Shqipërisë me Kosovën.

Qindra emigrantë u regjistruan si anëtarë në fushatën "Një milion kuqezi" dhe ndërmjet tyre edhe boksieri i njohur shqiptar me banim në Londër, Kreshnik Qato.

Mësohet se rreth 200 shqiptarë nga Londra do të udhëtojnë në Tiranë, në muajin maj, në Kuvendin Mbarëkombëtar të Aleancës Kuqezi, ashtu si dhe qindra emigrantë nga gjithë Evropa.

(http://www.koha.net)


 

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.