E Premte, 05.27.2022, 03:43pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SPORT
 
IDE TË NJËJTA - KRYEMINISTRA TË NDRYSHËM
Nga AHMET SHQARRI

E Hënë, 05.12.2014, 07:38am (GMT+1)


Më pëlqen të besoj se komentet rreth një trajtimi më të mirë ndaj sportistëve tanë elitarë, tashmë janë miratuar edhe prej kryeministrit Edi Rama. Me këtë kam parasysh deklaratën e tij të para ca ditëve, kur në një pritje për kampionët më të shquar të vendit, u premtoi atyre një përkujdesje më të madhe dhe se deri në fund të vitit të ardhshëm, ata do kenë të gatshme një palestër moderne stërvitore, ndërkohë që në mbarim të këtij mandati qeverisës do të ketë përfunduar së ndërtuari edhe Parku Olimpik i Tiranës, një qendër e madhe kjo, që do t’i shërbejë lëvizjes cilësore të sportit shqiptar. Edhe pse të gjitha këto premtime optimiste jo domosdoshmërisht sigurojnë “mrekullinë” për sportin tonë të së ardhmes, megjithatë, nëse realizohen, ato do të ishin një mbështetje dhe një inkurajim për rezultate më të mira jo vetëm në peshëngritje dhe në ndonjë sport tjetër, që ende shfaqet suksesshëm në arenat ndërkombëtare, por për të gjitha disiplinat që ushtrohen tek ne. Gjithsesi, ajo që të bën të mos fluturosh si në ëndërr, po të qëndrosh me këmbë në toke, është që të shohësh konkretisht se sa është në gjendje kjo qeveri për të mbajtur premtimet, duke mos i besuar tjerrjes së koti të fjalëve dhe demagogjive pafund. Se raste të tilla, kur na është premtuar të na zbresin edhe qiellin në tokë, ne shqiptaret kemi pasur shumë gjatë këtyre dy dekadave e ca, që kur se lamë pas diktaturën dhe u futem në rrugën e demokracisë. Më i freskët ishte premtimi i kryeministrit të mëparshëm, që duke dashur të bëhet sa më karizmatik, i lejonte vetes edhe takime e pritje pompoze me sportistë dhe liderë të kësaj fushe, siç qe rasti me presidentin e UEFA-s, ish-futbollistin e famshëm të Juventusit dhe të Francës, Mishel Platini, ndaj të cilit u zotua solemnisht së bashku me institucionin më të lartë të futbollit evropian, do të ndërtonte në Tiranë një stadium nga më të mëdhenjtë dhe më modernët, që në 100-vjetorin e Pavarësisë së vendit (2012) do të ishte i gatshëm për të pritur një finale europiane!?
Por, kjo ishte një përrallë nga ato të shumtat, që na kanë treguar e duan të na i tregojnë herë pas here qeveritarët tanë, sipas konjukturave dhe interesave të tyre. Se në realitet, të paktën për sportin, deri tani nuk kemi parë ndonjë gjë të hajrit. Gjithkush e ka të lehtë të shohë ose të kujtojë, se që prej kohës së “hershme”, para viteve ‘90-të, tek ne nuk është ndërtuar asnjë pallat sporti, palestër ose ndonjë objekt tjetër sportiv. Ndërkohë që edhe ai sistem organizativ për mbarëvajtjen e sportit në shkolla dhe kudo, si për nga lëvizja masive dhe ajo cilësore, tashmë nuk ekziston sepse është shkatërruar e bërë hi, së bashku me të gjithë infrastrukturën nëpërmjet së cilës mbijetonte. Deklaratat e kryeministrit aktual për një trajtim ndryshe të sportistëve elitarë, duke iu siguruar atyre kushte shumë më të mira se deri tani, ku përfshihet edhe ndërtimi i një infrastrukture të plotë e moderne, nuk e dimë nëse do gjejnë zbatim konkret në kohën e duhur, duke e bërë kështu realitet më në fund një premtim të nivelit qeveritar. Në fakt, ide të kësaj natyre janë të bukura, sidomos kur shprehen nga autoritete të larta vendimmarrëse dhe aq më tepër kur ato realizohen konkretisht. Por, ajo që vihet në dyshim në këtë rast ka të bejë me premtimet e kaluara, që të thëna ashtu plot bujë prej kryeministrit të mëparshëm, nuk kanë mundur të shohin dritën jeshile të realizimit të tyre, siç ndodhi për shembull me stadiumin kombëtar “kuq e zi”, që as nuk u ndërtua dhe as nuk ka ndërmend të ndërtohet në Tiranë, por në vend të tij u gjet së fundmi si shpëtim rikonstruksioni i një stadiumi të vjetruar si ai i Elbasanit, me rritjen e kapacitetit të tij me nja 2-3 mijë vende më shumë. Duke i lënë mënjanë idetë dhe premtimet e paralizuara të një kryeministri, që kaloi si dhe deklaratat optimiste të kryeministrit aktual, realiteti që na ofrohet tani për tani në sportin tonë, megjithatë kërkon të ndryshojë patjetër. Që nga futbolli, sporti kryesor te ne, që edhe pse me popullori, megjithatë i mungojnë plotësisht spektatorët. Sepse nuk ka cilësi, nuk ka organizim dhe se klubeve pa përjashtim iu mungon statusi i tyre ligjor, një çështje kjo, që po zvarritet pa fund. Kur në të gjithë vendin privatizimi është në plan të parë, për futbollin dhe sportet e tjera, kjo gjë ka mbetur vetëm në letër, pa e ditur nëse do të realizohet ndonjëherë. Ajo që dihet deri më tani kur jemi në javën e fundit të kampionatit, është se edhe sezoni i ardhshëm do të na gjejë përsëri si mos më keq: pa një stadium të licencuar nga institucionet më të larta ndërkombëtare të futbollit, pa një rregull e një legjislacion të klubeve dhe me shumë anomali të tjera, që nuk i bëjnë dobi as këtij sporti dhe të tjerëve që ushtrohen në vendin tonë. Që kjo gjendje të ndryshojë rrënjësisht, duhet që ato premtime të qeveritarëve, sidomos të një kryeministri, të mbahen dhe të çohen deri në fund.

AHMET SHQARRI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ATLETI KENIAN, MAINA, FITON NË GJYSMËMARATONËN E PRISHTINËS (05.11.2014)
AKTI I FUNDIT NË BUNDESLIGËN GJERMANE (05.09.2014)
ADNAN JANUZAJ MË I PAGUAR SE CR7 DHE MESSI - KUR ISHIN NË MOSHËN E TIJ (05.07.2014)
ATELTIKO E REAL - DY EKIPE NGA MADRDITI NË FINALEN E LIGËS SË KAMPIONËVE (05.01.2014)
DËNOHET PRONARI I EKIPIT TË BASKETBOLLIT TË CLIPPERS (04.30.2014)
BELGJIKË - JANUZAJ NË PËRGATITJE PËR KAMPIONATIN BOTËROR (04.29.2014)
SUAREZ - LOJTARI I VITIT (04.28.2014)
FUTBOLLI NË ZI - NDËRRON JETË NË MOSHËN 45 VJEVARE ISH TRAJNERI I BARCELONËS VILANOVA (Lajm dhe fotogaleri) (04.25.2014)
LEGJENDA E FUTBOLLIT PELE - NËSE DO TË ISHA AKTIV, DO TË LUAJA ME BARCELONËN (04.12.2014)
HIDHET SHORTI I LIGËS SË KAMPIONEVE, REAL-BAYERN, CHELSEA-ATELTICO MADRID (04.11.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2022  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 

 
VOAL
[Shko lart]