VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PROGNI NDJESË TIFOZËVE - NUK MË LANË TË LUAJA NË POZICIONIN TIM NATYRAL

E Mërkurë, 05.21.2014, 08:53am (GMT1)



Futbollisti i FK Kukësit, Gerhard Progni pas humbjes për titullin e Kupës së Shqipërisë i kërkon ndjesë tifozëve dhe sqaron pozicionin e tij.

Duke komentuar ndeshjen e fundit me Flamurtarin, por edhe gjithë sezonin e fundit, Progni shprehet se është detyruar të luajë jo në pozicioni e tij natyral, duke e pasur kështu të pamundur të shënojë edhe golat që tifozët prisnin.

“Për gjithë tifozët e FK Kukësit, ata kuksianë, tropojanë, hasjanë, prizrenas e gjakovarë kisha një dëshirë shumë të madhe që Kupa e Shqipëria të vinte në Kukës. Detyrat që mu ngarkuan në këtë ndeshje më bënë të mos kisha mundësi të luftoja për një gol. Ju e patë që unë përfundova në detyrën e mbrojtësit të djathtë. Lojtari sakrifikon për ekipin 1, 2 apo 3 ndeshje, unë kam sakrifikuar 5 muaj e fundit rreth 20 ndeshje në kampionat e kupë, duke luajtur në pozicione të improvizuara dhe jo ne rolin tim natyral. Një gjë e tillë nuk është vlerësuar nga një pjesë e tifozerisë po as nga zyra e shtypit e klubit, përkundrazi kjo zyrë është munduar dhe të dëmtojë imazhin tim. Unë në pozicionin tim natyral besoj se e kam shpërblyer besimin dhe përkrahjen që më keni dhënë. Në atë pozicion, megjithëse mesfushor, në pjesën e parë të kampionatit shënova 5 gola dhe ata që më zëvendësuan në këtë rol për gjithë pjesën e dytë të kampionatit shënuan nga 1 gol”, shkruan Progni në një status të tij në Facebook.

Gerhard Progni u shpreh më tej se situata aktuale ku gjendet brenda këtij ekipi e detyron të shikojë edhe ofertat që i vijnë nga klubet e tjera.

“Këto gjëra më kanë stresuar e mërzitur pa masë, ndaj do bëj një takim me njerëzit e respektuar që e ngritën Kukësin në majat e futbollit shqiptar, Presidentin Gjici dhe për respekt Kryebashkiakun Halili, do shoh kushtet e ofertën dhe do shqyrtoj kushtet dhe ofertat e ekipeve të cilat s’më kanë munguar dhe gjatë vitit të kaluar. Oferta madje kam pasur edhe nga ekipe jashtë Shqipërisë, por për të mos braktisur Kukësin i kam refuzuar, gjë të cilën dhe presidenca e dinte. Me respekt për gjithë ata që na ndoqën e përkrahën në dy vite në stadiumet e Shqipërisë dhe Europës e në veçanti presidencën e mrekullueshme e shumë korrekte të FK Kukësit”, komentoi Progni.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.