VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - SHEFQET HOXHA FESTON MES LIBRAVE 80-VJETORIN E DITËLINDJES…Nga Prof. MURAT GECAJ publicist e studiues-Tiranë

                                                                                      

E Shtunë, 05.18.2024, 08:24pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
SHEFQET HOXHA FESTON MES LIBRAVE 80-VJETORIN E DITËLINDJES…
Nga Prof. MURAT GECAJ publicist e studiues-Tiranë

E Premte, 04.04.2014, 08:57pm (GMT+1)


1.
Siç është e njohur nga të gjithë, organizimi i festimit të ditëlindjeve bëhet në mënyra e vende të ndryshme. Kështu, rasti e ka sjellë që kam marrë pjesë në ngjarje të tilla të gëzuara, në mjedise kolegësh e miqësh, në Muzeun Historik Kombëtar, në Akademinë e Shkencave ose në Ministrinë e Kulturës. Aty është folur për jetën dhe veprimtarinë e një personi të caktuar, duke përmendur edhe punët e kryera, botimet e ndryshme etj. Ditëlindje të tilla kanë organizuar mjaft të njohur të mi, por po përmendi, ndër ta, prof. Alfred Uçin-Akademik, prof. Hamit Boriçin, Isa Halilajn-"Mësues i merituar" etj. Kujtoj këtu se edhe unë ftova familjarë e dashamirë, kolegë e miq etj., kur kisha 70-vjetorin e lindjes dhe, në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar, përurova librin jetëshkrimor, "Ëndrrat "˜e grisura' të jetës sime"(Tiranë, 2010). Por, jorrallë, në festa ditëlindjesh kam qenë edhe në rrethe më të ngushta familjare ose shoqërore. Aty është kënduar e vallëzuar ose janë ngritur dolli, duke shprehur kështu kënaqësinë për kolegun a të afërmin. Është e kuptueshme, se në të gjitha rastet e mësipërme, pjesëmarrësit e kanë uruar nga zemra "kryedollibashin": për jetëgjatësi, begati e arritje në punë, si dhe gëzime e lumturi, vetjake e familjare.

Ndërsa, kësaj here, dëshiroj t'u tregoj për një ditëlindje krejt ndryshe e të veçantë, në të cilën ishte hera e parë që merrja pjesë. Përmes Internetit, lexova këtë njoftim-urim, nga Izet Duraku: "Urimet më të mira studiuesit Shefqet Hoxha, në 80-vjetorin e tij! Me këtë rast, ditën e premte, më 4 prill 2014l, ora 10.00, në Bibliotekën Kombëtare çelet ekspozita, me më shumë se 40 tituj, nga veprat e tij, përmes të cilave "farkëtohet kujtesa jonë kulturore...". Sapo ishte lexuar ky njoftim, kolegë e miq dhe dashamirë të tij nisën të uronin dhe ta vlerësonin atë, tanimë, jo me referate e kumtesa, por me fjalë zemre. Ndër ta, ishin edhe këta emra: Nazmi Doçi, Zamir Haxhija, Bedri Istrefi, Kujtim Morina etj. Meqenëse ndjeva kënaqësi e detyrim shoqëror, edhe unë shkrova këto radhë: "Përshëdetje të përzemerta dhe urimet më të mira për ditëlindjen, prof. Shefqet Hoxha-"Mësues i Popullit", studiues dhe botues i njohur, që me përkushtimin, punën e gjithanshme dhe botimet e shumta, ia keni ngritur lart vlerat vendlindjes dhe tërë Atdheut! Me respekt të veçantë: Murat Gecaj, Tiranë, 3 prill 2014".
2.
Sipas lajmërimit, që ishte bërë, në orën e caktuar u ndodha në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të kryeqytetit. Salla shkencore e saj është "vatra", ku prof. Shefqet Hoxhën e gjen pothuajse çdo ditë, duke lexuar e shkruar, bashkë me mjaft studiues e shkrimtarë të tjerë. Aty ishte çelur ekspozita me librat e shumtë, të cilët mbajnë firmën e këtij veterani të arsimit tonë kombëtar dhe studiuesi të palodhur, me origjinë nga rrethi i Kukësit dhe tash disa vjet banues në Tiranë. Ishin të pranishëm famikljarë, kolegë e miq të tij, bashkëkrahinës, studiues e shkrimtarë, poetë e publicistë dhe punonjës të Bibliotekës Kombëtare, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj. Në këtë ngjarje të gëzuar morën pjesë arsimtarët veteranë dhe botuesit e njohur: Isa Halilaj, Xhavit Biçaku e Mustafa Hoxha, Isuf Spahia, Fejzulla Gjabri e Shefqet Gjana etj.
Tubimin e hapi prof.Aurel Plasari, drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Pastaj, për jetën dhe veprimtarinë e gjatë arsimore dhe botimet e shumta të prof. Shefqet Hoxhës, foli publicisti e studiuesi Izet Duraku. Me këtë rast, për të pranishmit u shpërnda fletëpalosja, me të dhëna nga jeta dhe botimet e autorit Sh.Hoxha. Kujtoj këtu se një shkrim për atë ka publikuar, afër tre vjet më parë, studiuesi nga Malësia e Gjakovës (Tropojë), Nuradin Lushaj (Revista "Mësuesi", nr.6, qershor 2011).

Në mbyllje të këtij tubimi mbresëlënës, prof. Sh.Hoxha i falënderoi përzemërsisht folësit e pjesëmarrësit, familjen e tij dhe punonjësit e Bibliotekës Kombëtare, si dhe profesorët e akademikët e paharruar: Eqrem Çabej, Aleks Buda, Mahir Domi, Androkli Kostallari, Qemal Haxhihasani etj., për mbeshtetjen dhe ndihmën ndaj tij. Në shenjë mirënjohjeje, mbesa e tij i dhuroi atij një buqetë me lule të freskëta.

3.
Shefqeti ka lindur më 5 prill 1934, në Bicaj të Lumës, në një familje me tradita atdhetare. Studimet e para i kreu në vendlindje dhe më tej nuk iu nda mësimeve e studimeve, deri sa u diplomua për gjuhë e letërsi shqipe, në vitin 1959. Detyrën e mësimdhënësit e nisi që në vitin 1952 dhe nuk u shkëput asnjëherë nga ky profesion i nderuar, deri sa doli në pension, në vitin 1996. Gjatë jetës së tij, ka qenë mësues e drejtues i shkollave 8-vjeçare e të mesme, inspektor arsimi dhe pedagog në filialin e Institutit Pedagogjik të Shkodrës. Bashkëpunoi me institutet shkencore të vendit tonë dhe ishte nënshkrues i akteve përkatëse, në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 1972). Në vitin 1996, mori gradën "Doktor i Shkencave" dhe më 2007, "Prof.ass". Për meritat e shumta në fushën e arsimit tonë kombëtar, më 1995, Presidenti i Republikës i dha titullin e lartë "Mësues i Popullit". I përfshirë në jetën politike të vendit, në vitet 1992-1996, ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Ashtu siç u tha në këtë përvjetor të shënuar të prof. Shefqet Hoxhës, duke u bazuar në përvojën e pasur jetësore, që në rini ai filloi të botojë shkrime, në gazeta e revista të kohës. Ndërsa, në vazhdimësi, siç dëshmohet qartë nga skedarët e Bibliotekës Kombëtare, punimet e para me tematikë nga vendlindja i mblodhi në librin me titullin domethënës, "Gjurmime toponimike"(1998). Më tej, vit pas viti, në një periudhë kohore 15-vjeçare, përveç studimeve në revistat shkencore, ai shkroi e publikoi mbi 34 libra, ku është autor dhe 6 të tjerë, ku është bashkautor. Ata janë në gjini dhe lloje të ndryshme, kryesisht, për krahinën e Lumës. Ndër ta, janë librat me përmbajtje historike dhe për figura të shquara atdhetare, arsimin e gjuhësinë, zakonet e traditat popullore, për kulturën, foklorin dhe etnografinë etj. Libri më i fundi i tij është "Malziu-bubrrime historike-etnografike-folklorike-gjuhësore"(Tiranë, 2013). Në mënyrë të përmbledhur, për studimet e librat, që kanë autorësinë e prof. Shefqet Hoxhës, na njeh botimi i tij, me titullin"Shkrime dhe botime"(Bibliografi), Tiranë, 2014.

...Mund të shkruanim më shumë për birin e denjë të krahinës së Lumës dhe tërë rrethit të Kukësit e më gjerë, prof. Shefqet Hoxhën. Por e shfrytëzojmë festën e 80-vjetorit të ditëlindjes së tij, për t'i uruar atij nga zemra: Jetëgjatësi, begati e krijimtari, me botime të reja dhe gëzime e lumturi, vetjake e familjare!

Tiranë, 4 prill 2014

Prof. MURAT GECAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DITËT E FUNDIT TË BAJRAM CURRIT SIPAS DOKUMENTEVE ARKIVORE TË SHTETIT SHQIPTARNga VELI HAKLAJ, studiues (04.03.2014)
Deutsche Welle, MERKEL - SHQIPËRIA NË RRUGË TË MBARË DREJT EVROPËS (04.02.2014)
Me gjuhën e popullit:"BALLI KRYEMINISTËR" NGA BROJA, "BOLLANI" NGA MITROVICA DHE "TAVARISHI" (KUMBARA) I TYRE NGA MARECI...Opinion nga AGRON SHABANI (03.31.2014)
BALADË PËR BACË BAJRAMIN- Dragobi, fundmarsi, 1976 -Poezi nga ZEQIR LUSHAJ (03.29.2014)
ÇFARË NDODHI NË NËNTOR 1982 NË BURGUN E SPAÇIT ME REXHEP GOÇIN (03.29.2014)
Fosilet e Rankovicit dhe UDB-se apo, KU PO TË DHEMB ORE 'AKADEMIK' AGRON GASHI!Nga AGRON SHABANI (03.29.2014)
PSE U VRA TRIMI I DRAGOBISË?!Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...Nga FRITZ RADOVANI (03.28.2014)
GËRVENI, SHTETI I SË DREJTËS DHE MARRËVESHJA E DETITNga BESNIK BAKU, PhD në të Drejtën Ndërkombëtare (03.28.2014)
Nga mërgimi apo:TË FALA NGA 'KOSOVA SOT'!Nga AGRON SHABANI (03.27.2014)
NEPOTIZMI TEK MAXHORANCA - DJALI I BRAHOS, RUÇIT E FINOS EMËROHEN DREJTORË TEK ANTANga ARTAN SHAHINI (03.27.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]