1.
TROPOJA ka lindë me emnin e bekuem MALËSIA E MIRË, përndryshe: ka lindë për këtë emën të lumnuem, me të cilin vjen me dinjitet prej kohnave e shkon me progres drejt kohnave, si një vend i mirë e me të mira, që ka ba e i ka lanë vend e rend, za e zenit vetes në hapësinat e tokës shqiptare, në këtë skaj të botës.
Si rrallëherë në këtë planet të pafund e në këtë jetë të pandalun, Toka u muer vesh me Qiellin për të krijue në Mesin e Dheut (Mesdhe) një vend të vogël e me vlera të mëdha, Tropojën e Artë, një nga më të Bukurat e Dheut të kësaj bote të lashtë e të re.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe: vet Zoti i Madh e vuni gishtin e tij hyjnor në trevën e sotme të Tropojës duke e krijue e bekue si një vend të florinjtë, nga gjinjtë e tokës, në gjakun e njerëzve të saj, në mençurinë e kohës, në mrekullitë e natyrës.
Toka rrotullohet rreth Diellit po veçse edhe Tropoja rrotullohet rreth vlerave të saj tuj marrë e dhanë me epokat, me kombin shqiptar në trojet e veta etnike, me hapësinat etno-historike mesdhetare e europiane prej këndej Paqësorit e deri përtej Atlantikut.
2.
"Male të Argjendta" i kanë pasë kthiznue në hershmëni të lashtë edhe malet e Malësisë së Gjakovës (Tropojës) ashtu sikurse Malet e Sharrit i kanë pasë thirr "Malet e Borës". Vetëm në shekujt e fundit të mijëvjeçarit të kaluem nëpër harta e burime diplomatike e mediatike i cilësuen: Bjeshkët e Nemuna, Bjeshkët e Namuna (Bjeshkë të Nemës).
Tropojanët i duan shumë bjeshkët e veta aqsa poeti Hamit Aliaj, në shenjtërinë e tij, skalit vargjet: Bjeshkët janë mbiemri im.
Fishta i madh te vepra "Mrizi i Zanave" vrellon: "Oh, ju bjeshkët e Shqyptaris / Ku ma mirë shndrit dielli e hana / E ku logu a i bujaris, / E ku rriten djelm si zana!...
Këto male epike e të mrekullueshme albanologu i shquem, Milan Shuflaj, i ka cilësue si "Zinxhiri i Botës".
E pra ban me e dit kah flitet shqip se ky emën i mjaltuem: Malësia e Mirë, ka venue e fektue prej hejcekurit në trajta të themelta: Malet e Arta, Malet e Arit, Malet e Bardha, Malet e Mira, Malet e Begata... Bohema e tyne historike na çon mrekullisht te emërtimi emblematik trojenik "Malësia e Mirë".
 
3.
Gurra e traditës e shpalime hartografike vrellojnë pikat e veta nëpër shenjime të rrallueme, ku na duhet me hulmue ngapak.
A thue Hyu Diell kur shkelzonte rrezet mesdhetare i argjendonte sy botës e faqe kohës bukuritë hoje e ujvarore të këtyre maleve epike ?! Apo siç thotë Fishta: "Shkëlxejë sfera e zjarrtë e diellit" mbi Alpet Shqiptare.
A thue lugje e shpate të tyne të kenë gjinjue aq shumë argjend sa me ia bulmue e hyjnue këtë emën hisenik e açik?!
Tuj ecë në hullinj të së vërtetës Çabej na e bjen prejardhjen e toponimit Qafë Prush si një vend ku pirustët shkrinin shumë metale, po edhe legjendat rrëfejnë se në motmote nuk i ndalej flaka e nuk i shkimej gaca.
Ndër epoka përcillet fakti i vendndodhjes së një shkritoreje të madhe të pirustëve aty ku Drini takohet me Valbonën. Kanga jehon: ".... Sherebelja në breg të Drinit / i ka gemat prej florinit". Tradita pohon se në këtë vend dej tevona ka pasë princa të pasun (si Spanët) që "i prenin lekët me dorë"?!
 
Nga çprushjet ndër disa të thanuna nuk ka aq miradije porogaçe për të thirrunit e kahershëm "Malet e Argjendta", pasi një mendje na e syth mendimin sikur treva jonë nuk ka pasë a të jenë shkri' aq shumë flori sa me e lulakue e lulnue si "Vend i florinit", po ka ndodh kjo tjetra që ka burime të pafund faktesh e realitetesh: Kjo trevë mbart aq shumë vlera njerëzore e natyrore të arta sa prej tyne i ka mbetë nëpër shekuj jete emni "Vend i florinit/ i florinjtë".
Në ma të parin shekull të mijëvjeçarit të dytë të erës sonë, kur mësynë në këto anë komanët të ndjellë e cytë nga perandorë bizantinë, u mrekulluen nga bukuritë e pasunitë e Malësisë së Gjakovës aqsa në kulmin e vet emocional deri në zenit real, mbetën tuj thirrë: "Altun"... "vend i florinjtë / i artë / i mirë".
Ky emën Altun i mbeti Tropojës edhe nga pushtuesit sllavë e otomanë, se në ato kohna nuk donin që në trojet tona alpine dardane të mirëthirreshin me emnin e vet burimor, universal e unik: "të argjendta", "të arta", ndaj e duvakuen me emnin e një gjuhe komane, që se kam hasë ndokund ndër letra të sotme e ndaj ma ha mendja se do të jetë një gjuhë e dekun.
 
Asokohe e deri më sod, në hapakohë prej nja njëmijë vitesh, i ndeshim në gurgullima e në vetëtima historie emërtimet e trevës tonë si krahinë : "Altun " (komanët, viti 1084), "Zhupani i Altunit" (serbët), "Altun-ili" (otomanët) etj., çka tregon se në përditshmëri ka bashkudhtue ky emën, tuj i mbetë Tropojës me domethanien shqiptarisht: "Malësia e Mirë".
 
4.
Nuk jena futë në thelluta të shtegtimit të emnit "Malet e Argjendta", pasi të miren e lakmon gjithkush. Nuk po dij kah u vorbullnue a u vrellnue ky emën, po veç due me e rithanë edhe ket' tjetrën: "e argjendta" nis e thirrnohet edhe në trajten e bukur, nusërore e hyjnore: "të bardha".
Ky emën ka mbetë në traditë e në realitete historike e natyrore, në kangë popullore..., ku lartësitë tona alpine kthiznohen si "Malet e Bardha", "Bjeshkët e Bardha" etj..
Kjo ka ndodhur ndryshe nga fqinjtë kufitarë: Në veriperëndim, në thellësi, malet i kanë pasë thirrë "Malet e Zeza" ( "Cerrna Gora") e prej këndej i mbeti edhe një shteti të mavonshëm emni "Mali i Zi", që na i ka marrë shumë toka e male të Dardanisë Alpine, të Malësisë së Gjakovës.
Në Pukë disa male marrin emnin e përgjithshëm "Malet e Zeza" e që sot ka mbetë emën i përveçëm i një krahine "Malzi" (në kufinin administrativ të qarkut e të rrethit të Kukësit).
Tropoja e ruejti ndër motmote e shekuj emnin e vet "Male të Bardha", çka kuptohet domethania edhe "Male të Mira" e përndryshe "Malësia e Mirë".
 
Në rrjedha e kulme të historisë, në ashtin e shtatin e traditës, këto male alpine të Malësisë së Gjakovës (në tanësi apo pjesë të tyne) iu janë dhanë emna të njoftun në burime gojore e të shkrueme si Malet e Altunit, Malet e Pultit, Malet e Spanëve (të Pjetërspanëve), Malet e Berishës etj., po asnjani prej tyne nuk jetnoi në kohna sa ai ma i lashti, i zanafillës: Malet e Argjendta, Malet e Arta, përndryshe: "vend i florinjtë/ i artë/ i mirë" e prej kësaj edhe në shek. XVI-XVII e ma vonë kur vjen organizimi etno-historik në "male" a në bashkim etno-gjeografik të fiseve" Tropoja ka pasë veç një emërtim: "Malësia e Mirë".
5.
Kur këto male të Malësisë së Mirë i kanë pasë thirrë "Bjeshkët e Bardha", ma i madhi mal i tyne e ka pasë emnin "Mali i Bardhë", që tevona ia keqdhanë një tjetër emën sllavët: "Jezerca"(!) siç i quajtën edhe Bjeshkët të Nemuna (Bjeshkët e Nemës), që në shekujt e vonë (XIX-XX) u keqfutën si terma skuthe në disa gjuhë të huaja në literaturat politike, gjeografike, historike, fetare, sipas ceneve e cytjeve sllave.
Vet Shkëlzeni është një nga malet e argjendta, një mal simbolik, një vend i shenjtë, i përmendun në epikën legjendare për kreshnikë e zana.
Emnin e mori nga vet shkëlqimi i tij i argjendtë, i bardhë, nga vezullimet e vizionet e ditëve me rreze dielli e të kapuçimit nga bora e parë dhe e mbrame e motmoteve.
Mali i Shkëlzenit hyni në vetëdijen e në odën malësore, në letërsinë gojore e të shkrueme, në kronikat e historisë, si një simbol i vitalitetit krenar të Malësisë së Mirë, të njerëzve të saj të mirë, të tokës së saj të mirë.
Çdo tropojan e ka në vetveten e tij nga një Shkëlzen të argjendtë, të bardhë, të mirë, nga një Shkëlzen të krenarisë për vendlindjen e vet, të kontributeve për kombin e vet.
Çdo tropojan është Shkëlzen në lartësisë e dinjitetit të vet.
Mos ma prekni Shkëlzenin e truallit tim, të shpirtit tem!