Të Premten që kaloi u varros në lagjen Ferfeks të shtetit Virxhinia, jo larg Uashingtonit, Hysen Biberaj. Ai u përcoll nga qindra bashkatdhetarë dhe miq amerikanë të familjes. Gjatë ceremonisë përkujtimore, Frank Shkreli, mik i Hysenit dhe i familjes Biberaj, tha këto fjalë me atë rast:
------------------------------------------
E nderuara familja Biberaj, të afërm, miq e dashamirë të Hysenit dhe të familjes. Jemi këtu për t'i dhënë lamtumirën e fundit një burri malësor, i cili kurrë nuk iu përul rrethanave të vështira dhe asnjëherë nuk iu nënshtrua padrejtësisë dhe hipokrizisë.
Hysenin e kam njohur për pothuaj 40-vjetë më parë, pasi isha njoftuar me të birin, Elezin, në universitetin Lehman në Nju Jork, në fillim të 70-ave. Ç'prej asaj kohe deri më sot, Hyseni megjithëse unë nga Shkreli i Malësisë së Madhe e ai nga Tropoja e Malësisë së Gjakovës -- më bëri pjesë të pandarë të familjes së tij mbasi ai u shpërngul nga Nju Jorku në Uashington kur i biri i tij Elez Biberaj filloi punën në Zërin e Amerikës. Për këtë e falënderoj nga zemra.
Si shumë prej nesh, pjesën më të madhe të jetës së tij, Hyseni e kaloi jashtë Ardheut. Me të ardhur në Amerikë, Hyseni iu përvesh punës së rëndë për të rritur tetë fëmij, me përpjekje të pandërprera, e me cilësi të rralla ndershmërie, ndërkohë që posedonte një vizion pothuaj të përpikët, duke e bërë familjen e tij një shembull të pashoqtë jo vetëm për botën shqiptare, por edhe për vendin e adaptuar Amerikën. Nuk e besoj se mund të gjendet ndonjë familje shqiptare me më shumë diploma universitare e postuniversitare se familja e Hysen Biberajt. Përgjegjës për këtë fakt ishte vet Hyseni, i cili i ndihmonte, i këshillonte e bile i shtynte fëmijtë e tij djem e vajza të vazhdonin shkollën e të kryenin universitetin. Si rrjedhim, familja Biberaj ka në mesin e saj autorë e publicistë, bisnesmenë, avokatë e llogaritarë.
Meritat e kësaj familjeje janë të mëdha. Dje, ish-ambasadori i parë amerikan në Shqipëri, Zotin Rajerson, i cili erdhi për të shprehur ngushëllimet e tij familjes për humbjen e babait e gjyshit të tyre, në bisedë e sipër u shpreh se Amerika i ka borxh Hysen Biberajt për kontributin që ka dhënë familja e tij për këtë vend. Ai ra dakord se edhe Shqipëria dhe i gjithë kombi shqiptar i ka borxh kësaj familje për kontributin e dhënë për lirinë e demokracinë që shqiptarët gëzojnë sot në Ballkan.
Megjithëse pa ndonjë shkollë të madhe, Hyseni e dinte mirë historinë e kombit tonë. Ai i njihte mirë, pasi kishte qenë dëshmitar, vuajtjet e papërshkrueshme të popullit tonë gjatë dekadave të shekullit të kaluar nën komunizëm një histori burgimesh, internimesh, ekzekutimesh publike dhe vrasjeve të fshehta në burgjet e Enver Hoxhës dhe të komunizmit jugosllav.
Hyseni ishte gjithmonë i informuar mirë pasi ndiqte me kujdes lajmet mbi zhvillimet aktuale në trojet tona dhe gjithmonë i gatshëm për të biseduar në lidhje me to. Më kujtohet se gjatë torturave çnjerëzore e masakrimeve kundër shqiptarëve të Kosovës nga ana e forcave kriminale të regjimit terrorist të Millosheviçit, Hyseni shpesh shprehte mërzinë e madhe dhe ankohej se pse botës nuk i vinte keq rreth krimeve që po ndodhnin në Kosovë dhe pyeste se si ishte e mundur që nuk revoltohej ndërgjegjja e të gjithë shqiptarëve.
Atdhedashurinë Hyseni e kishte traditë në familje e farefis. Çdo gjë dhe çdo aktivitet që ndërmirrte Hyseni duke filluar nga përkujdesja për familjen që ishte prioriteti numër një për të e deri tek nismat për të ndihmuar shqiptarët në nevojë, siç ishte ndihma e tij për viktimat e përmbytjeve në rrethin e Shkodrës vitin që kaloi Hyseni i bënte me qellimin më të lartë altruistik dhe për hir të naltësimit të emrit të mirë të kombit të vet.
Hyseni nuk i kurseu askujt mbështetjen dhe përkrahjen e tij. Gjatë viteve në Amerikë, ai bëri me qindra garanci për emigrantët shqiptarë të shpërndarë anembanë rrugëve të Evropës, sidomos në Itali. Kushdo i kërsiste në derë të Hysen Biberajt, aty gjente ngushëllim e ndihmë miqësore mikpritjeje, bile në shumë raste edhe për të panjohurin një frymë miqësore këjo mikpritjeje që ka dalluar kombin tonë nga të tjerët me shekuj dhe një veti kjo që ka lartësuar moralin e tij.
Hysen Biberaj ishte simbol i gjallë i brezit të tij që fatkqesisht po zhduket dal nga dalë brez ky që jetën e vet e jetonte duke u bazuar në ndihmën e Zotit dhe në vlerat e virtytet e pastra që dallojnë kombin tonë urtia, nderi e burrnia dhe të cilët e donin dhe vendosnin interesat e Shqipërisë dhe të kombit mbi ato personale.
Gjatë dekadave të fundit, shtëpia e Hysenit këtu në Virxhinia, afër Uashingtonit, ishte si të thuash një ndalesë e detyrueshme e udhëheqësve më të lartë shqiptarë nga të gjitha trojet si dhe pjesëtarë të ajkës kulturore e artistike të kombit që vinin për vizita zyrtare në Uashington. Si anëtar të familjes që më konsideronte, unë isha gjithmonë i ftuar në shtëpinë e Hysenit kur kishte vizitorë të tillë. Më kujtohet se në raste të tilla, Hyseni fliste pak, por fjalët e tij ishin të peshuara mirë dhe të matura, e në frymën më miqësore.
Megjithëse e ndiente veten të kënaqur në shoqërinë e përsonaliteteve të tilla i shkonte biseda sidomos me Presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova gjatë një periudhe që po shkruhej historia moderne e kombit Hyseni mbi të gjitha ishte shembull si bashkshort, si prind dhe si gjysh. Për festën e Bajramit dhe për raste familjare, në shtëpinë e tij, paraqitej dhe shfaqej një skenë e lumnueshme kur të gjithë fëmijët viheshin në rend për të përshëndetur gjyshin. Fytyra e Hysenit pasqyronte një kënaqësi të mendjes dhe të shpirtit.
Skena të tilla shpesh më kujtojshin traditën tonë, kur dikur mblidheshim rreth votrës në frymën më të shëndoshë të dokeve tona, kur rreth zjarmit të votrës mblidhej e gjithë familja e në krye të votrës rrinte i zoti i shtëpisë. Jam i sigurt se nipat e mbesat e Hysenit, dashtë e pa dashtë, janë influencuar nga shembulli dhe parimet e të zotit të shtëpisë këtij burri fisnik e të ndershëm.
Kështuqë trashëgimia e Hysenit, megjithse në dhe të huaj dhe larg Tropojës së tij të dashur -- për familjen e tij dhe për të gjithë ne që e kemi pasur fatin e mirë për ta njohur do të jetë një dëshmi e gjallë që lëshon rreze njerëzie ndaj vlerave më të mira të kombit tonë, për dekada në të ardhmen.
Hyseni ndërroi jetë pasi ka përmbushur me ndërgjegje të plotë dhe me nder të gjitha detyrimet e tij ndaj familjes dhe ndaj Atdheut. Prandaj kujtimi i tij do të mbetet i gjallë, jo vetëm në zemrat e familjes së tij, në zemrat e miqve, shokëve e dashamirësve të tij por mbi të gjitha edhe në historinë e qëndresës anti-komuniste shqiptare.
Fatkeqësisht, me Hysenin sikur po mbyllet një periudhë historike e një brezi që vështirë se mund të zëvendsohet lehtë. Hyseni ishte jo vetëm simbol, por edhe një anëtar krenar i këtij brezi, brez i cili mbi të gjitha donte të mbante lart --para botës nderin e Shqipërisë etnike, brez ky i cili tërë jetën punoi për rivendosjen e drejtësisë dhe lirisë për të gjithë kombin shqiptar. Ishte ky një brez i pas Luftës së Dytë Botërore që e kishte kuptuar se komunizmi ndërkombëtar do t'i sillte kombit shqiptar dëme të papërshkrueshme, pasojat e të cilit nuk do shlyhen për një kohë të gjatë.
I dashur Hysen të qoftë e lehtë toka e lirë e këtij vendi të madh e bujar, për të cilin vetë, fjalë të mira fole gjithmonë.
Të falendroj nga zemra për dashninë dhe miqësinë ndaj meje dhe familjes time. Qoftë i përjetëshëm kujtimi i yt dhe i Madhi Zot të dhashtë qetësi në jetën e pasosur.
Familjes së dashur Biberaj dhe mbarë farefisit këtu dhe anembanë trojeve tona shprehjet më të gjalla me ndjenja përdhimtimi -- me urim që këtë dhimbje t'ua kthejmë në gëzime mbas sodit.