Foto nga samiti i NATO-s në Çikago
Por për arsye të krizës së tanishme ekonomike dhe buxhetore në Shtetet e Bashkuara, e cila gjatë disa viteve të fundit ka prekur gjithashtu Evropën dhe pothuaj mbarë botën, akademikë, gazetarë, analistë e komentatorë jo vetëm këtu në Amerikë por edhe në Evropë e më gjërë, kanë shkruar dhe kanë komentuar, duke nxitur debatin mbi rënjen e mundshme ose jo të rolit të Amerikës si fuqia ekonomike, politike dhe ushtarake numër një në botë. Shumë prej tyre, me të drejtë argumentojnë, duke venë në dukje se problemet ekonomike gjatë disa viteve të fundit në Amerikë, si edhe faktorët ekzistues shkencorë, teknologjikë dhe arsimorë, të çojnë shumë veta në përfundimin se Shtetet e Bashkuara kanë marrë tatpjetën dhe se Amerika nuk është më fuqia botërore që ishte dikurë. Qëndrimi i shumë prej këtyre debatuesve, i cili në sipërfaqe duket i logjikshëm, është se për cilindo shtet, ekonomia është barometri me të cilin matet fuqia e një vendi. Ata mendojnë gjithashtu se rënja e Amerikës si superfuqi ekonomike dhe ushtarake mund t'i atribohet njëherazi edhe angazhimeve të mëdha ushtarake amerikane anë e mbanë botës si dhe shpenzimeve të tepërta ushtarake për t'i përballuar këto angazhime. Argumentat e tyre janë se Shtetet e Bashkuara përballen me të njëjtat probleme, me të cilat historikisht, përballeshin perandoritë e herëshme evropiane si Britania e Madhe, Spanja, Franca, e të tjera.
Në të njëjtën kohë, duket se jo vetëm politikanët, por edhe amerikanët e thjeshtë janë lodhur me luftërat përtej detit duke i shkuar gjithkujtë në ndihmë, dhe si qytetarë të një shteti demokratik, veçanërisht këtë vit zgjedhjesh presidenciale -- janë duke rivlerësuar prioritetet ekonomike dhe ushtarake të vendit të tyre. Pesimistët, që kryesisht i përkasin krahut të majtë akademik e politik në Amerikë, në përkrahje të argumentit të tyre venë gjithashtu në dukje rritjet ekonomike të shteteve të mëdha si Kina e India, me të cilat sipas tyre, Amerika nuk mund të konkurojë. Këto janë pikëpamjet e pesimistëve.
Mirëpo akademikë dhe ekspertë të tjerë politikë, ekonomikë dhe ushtarakë disa prej të cilëve kanë botuar libra kohët e fundit në mbrojtje të tezës së tyre se Amerika nuk është në rënje -- megjithëse janë dakord se Shtetet e Bashkuara janë duke përjetuar një periudhë të vështirë, sidomos në fushën ekonomike, dhe thonë se një ri-vlerësim i prioriteteve kombëtare është i nevojshëm -- nënvijojnë se historikisht, Amerika është përballur edhe më parë me kriza serioze të mbrendshme dhe të jashtme politike, shoqërore, ekonomike dhe ushtarake, ndohsta më të mëdha se këjo e ditëve të sotëme. Por me gjithë problemet serioze --mbi të gjitha -- këta eskpertë, të cilët mund t'i quajmë mendimtarët optimistë, thonë se Amerika do të vazhdojë të jetë një superfuqi botërore për një kohë të gjatë. Ata janë të bindur se, megjithë krizat e herë pas herëshme, është sistemi amerikan ai që lëshon pe dhe u përshtatet lehtë krizave dhe situatave të krijuara, dhe se është ky sistem kushtetues amerikan që edhe sot do të nxjerrë këtë vend nga kriza e tanishme ekonomike.
Një ndër këta është autori dhe profesori në universitetin Xhorxhtoun në Uashington, Robert Libër, i cili kohët e fundit botoi librin pikërisht mbi subjektin se pse roli i Shteteve të Bashkuara në botë nuk është në rënje. Në botimin e tij, i cili kohët e fundit edhe nxiti debatin në lidhje me këtë subjekt, ai shkruan se Amerika ka aq potencial natyror, njerëzor dhe politik, sa që është e aftë të përballojë çdo krizë. Ai thotë se "thelbi i argumentit tim është se pjesa më e madhe e debatit në lidhje me këtë çështje thekson më shumë dhe në një mënyrë aspak proporcionale, faktorët material dhe ekonomik, ndërkohë që u duhet dhënë rëndësi, politikave, ideve, garancive të kushtetutës, si edhe alternativave që kanë në dizpozicion udhëheqësit politikë amerikanë.''
Një numër akademikësh dhe ekspertësh amerikanë të dalluar, janë dakord me Zotin Libër, përfshirë edhe profesorin njohur të marrëdhënjeve ndërkombëtare në universitetin Princeton, Aaron Fridberg, i cili duke komentuar librin e Zotit Libër, pranon se "Shtetet e Bashkuara janë duke përjetuar një periudhë tjetër shqetësimi në lidhje me fuqinë dhe rolin e tyre në botë. Megjithëse Profesori Libër është i vetdijshëm për problemet me të cilat përballet vendi, ai paraqet bindjen e tij se, tani si edhe më parë, shqetsimet për rënjen e rolit amerikan në botë janë tepër të ekzagjeruara.''
Në përgjithësi, "optimistët'' e rolit kryesor e të vazhdueshëm të Amerikës në botë, argumentojnë se ndonëse Kina dhe India kanë patur kohët e fundit një rritje ekonomike të rëndësishme, asnjëra prej tyre nuk posedojnë fuqinë e instucioneve amerikane dhe as nuk i kanë resurset ose burimet natyrore e materiale të Shteteve të Bashkuara. Kina është vendi më i madh autoritar në botë shkelse e të drejtave themelore të popullit të vet, ndërsa India është një shtet i fragmentuar dhe i varfër. Ata thonë gjithashtu se Amerika, si asnjë vend tjetër në botë, ka potencialin njerëzor dhe aftësinë unike për të tërhequr -- ose për të përdorur një term teknik -- për të amortizuar raca, fe, grupe etnike e kultura të ndryshme nga e gjithë bota një faktor ky me shumë rëndësi për të ruajtur rolin mbizotrues të Shteteve të Bashkuara në marrëdhënjet ndërkombëtare, ekonomike politike dhe ushtarake.
Kështuqë, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara rivlersojnë rolin e tyre në botë dhe ndërsa në Çikago, aleanca NATO bisedoi dhe vendosi politikat ushtarake përfshirë edhe tërheqjen e forcave të aleancës nga Afganistani, revista britanike "Economist'', duke komentuar mbi disa libra botuar kohët e fundit mbi politikën e jashtme, ndoshta e tha më së miri, se roli amerikan në botë nuk është në rënje duke thënë në një koment të saj se ndonëse "Këjo mundë të jetë një periudhë e vështirë, ndërkohë që po ndryshon bota, Amerika posedon çdo gjë që i nevojitet për të ruajtur rolin e saj në botë....në të vërtetë është e doemosdoshme që Shtetet e Bashkuara të bëjnë një gjë të tillë, pasi nuk ka asnjë vend tjetër në botë, i gatëshëm për të marrë përsipër këto përgjegjësi.''
Revista amerikane Tajm iu përgjigj më së miri pesimistëve që pretendojnë se Amerika po humb rolin e saj historik në botë, duke shkruar se, "Ne si amerikanë jemi në favor të krijimtarisë kudo që të gjëndet. Ne jemi apostuj të begatisë dhe mbrojtës të shkëmbimit të lirë të ideve. Kur sa më shumë njerëz, në sa më shumë vende anë e mbanë botës janë të lirë dhe të të kundërshtojnë dhe të luftojnë diktaturat, të çpikin gjëra të reja, të komunikojnë lirisht, të protestojnë; këjo nuk do të thotë mbarimin e rolit udhëheqës të Shteteve të Bashkuara. Në të vërtetë, ky fakt në vetvete, është një triumf i sistemit amerikan.'' Sepse, sipas revistës Tajm, shumë breza amerikanësh kanë punuar rëndë dhe kanë sakrifikuar që vendi të arrinte rolin që ka luajtur dhe luan sot Amerika në botë. Revista Tajm përfudnon duke thënë se me vazhdimin e punës së rëndë dhe sakrificave në të ardhmen, roli i Amerikës do të jetë ai që ishte edhe më parë në një botë që gjithnjë e më shumë pasqyron vlerat e vet Shteteve të Bashkuara në fusha të ndryshme të marrëdhënjeve ndërkombëtare, por edhe në respektimin dhe në mbrojtjen e lirive bazë të njeriut kudo në botë.
Frank Shkreli