Me nxitim të madh personal dhe shtetëror, dhe papritur të ulet zyrtarisht në fronin presidencial, Presidenti i ri i Serbisë, Tomislav Nikoliç, Nikoliç, fluturoi më 26 maj në Moskë për vizitën e tij të parë jashtë shtetit dhe për bisedime me Presidentin e ri të Rusisë, Vladimir Putin. Preteksti i sajuar i ftesës për të marrë pjesë në Kongresin e 13-të të partisë sunduese ruse "Rusia e bashkuar", në një kohë kur Nikoliç kishte dhënë dorëheqjen si kryetar i Partisë Progresiste Serbe dy ditë më parë, ishte një shashkë propagandistike për të ndihmuar ndoshta disa zyrtarë dhe diplomatë filoserbë në Perëndim, të cilët kërkojnë të vetëqetësohen me iluzionin se Tomislav Nikoliçi ka ndryshuar dhe nuk është më as zëvendëskryeministri i Qeverisë së Millosheviçit në kohën e spastrimit etnik në Kosovë, dhe nuk është më as Nikoliçi i para katër viteve, i cili kur u zgjodh kryetar i Parlamentit të Serbisë, deklaroi se Serbia është më mirë të bëhet provincë e Rusisë se sa anëtare e Bashkimit Europian.
Çështja themelore nuk është se a ka ndryshuar Tomislav Nikoliçi, por se sa do të ndryshojë për të keq Serbia, tani që Tomislav Nikoliçi u zgjodh President i Serbisë. Teoritë europiane të transformimit të politikanëve nga ujq në dele, kur marrin poste drejtuese shtetërore, nuk pinë ujë në Ballkan. Nëse diplomacia flet me shenja dhe sinjale, Presidenti i ri i Serbisë e dha provën e parë se zemra presidenciale rreh për Rusinë dhe se ai do të përpiqet që Serbia në marrëdhëniet serbo-ruse të marrë statusin e deklaruar prej tij kur ishte kryetar i Parlamentit të Serbisë. "Kombet tona kanë një histori të afeksionit të përbashkët, të afinitetit historik, të fesë së përbashkët dhe të gjuhës së përbashkët", deklaroi Presidenti i ri i Serbisë në takimin me Presidentin e Rusisë. Veçimi dhe specifikimi i këtyre elementeve bazikë të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Rusisë nuk ishte retorikë kortezie për Vladimir Putinin, i cili e ka shumë më të qartë nga ç'e kanë në Bruksel, se kush është në thelb Tomislav Nikoliçi dhe cila është në thelb klasa politike serbe. Mesazhi i Presidentit serb ishte në adresë të Bashkimit Europian, për t'i thënë në mënyrë të qartë se në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bashkimit Europian, në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Perëndimit, këto elementë bazikë mungojnë.
Presidenti ri i Serbisë piketoi disa qëndrime themelore të politikës së jashtme të Serbisë, të cilat edhe aq sa u thanë si fillim në Moskë, mjaftojnë për të kuptuar prirjen e drejtimeve, që do të ndjekë politika e Serbisë me Presidentin e ri. Këto qëndrime që vijnë në mënyrë të dukshme era antieuropianizëm, qëllimisht u lëshuan nga Moska. Jo vetëm për të kënaqur veshët e protektorëve të mëdhenj të Kremlinit, por edhe për t'i dërguar Brukselit mesazhin se në çdo thellim të kursit antieuropian të Serbisë, Presidenti ka dhe do të ketë mbështetjen e Rusisë. Jo rastësisht Vladimir Putin deklaroi publikisht se presidenti Nikoliç të llogarisë mbështetjen e Moskës në zbatimin e politikës së tij. Vërejtja e parë, që Presidenti i ri serb lëshoi nga Moska në drejtim të Brukselit, ishte se sipas mendimit të tij "Rruga e Serbisë drejt Bashkimit Europian është e pasigurt". Këtë pasiguri Nikoliçi e gjen tek Brukseli, sepse u kërkon të gjithë shteteve aspirante zbatimin e standarteve dhe kritereve të forta të pranimit. E gjen edhe tek vetja e tij, sepse në konceptin e tij politik, integrimi europian i Serbisë nuk përputhet me vizionin e Nikoliçit për të ardhmen e vendit. Pasiguria që Presidenti serb sheh tek një perspektivë europiane e Serbisë, është një dëshmi e nënshtrimit të tij ndaj kërcënimeve të njëpasnjëshme, që i kanë drejtuar Serbisë, edhe Kryeministri dhe President i ri i Rusisë, Vladimir Putin, edhe Presidenti i mëparshëm dhe Kryeministër i ri, Dimitri Medvedev, që integrimi euroatlantik i Serbisë të mos cenojë interesat ruse.
Mesazhi tjetër antieuropian i Presidentit të ri të Serbisë nga Moska ishte afishimi antiatlantik i tij. Ai jo vetëm përsëriti para Putinit premtimin se Serbia nuk do t'i bashkohet NATO-s, por deklaroi se gjatë fushatës elektorale ai u foli hapur qytetarëve se ai nuk do ta fusë Serbinë në NATO dhe mbi këtë bazë fitoi. Pra ai e reduktoi fitoren e tij presidenciale mbi kredon antiatlantike të frymës dhe të mendimit të tij politik, të cilat i rikonfirmoi përsëri në Moskë.
Presidenti i ri serb dha gjithashtu sinjalin se kursi i Serbisë për Kosovën do të jetë edhe më i ashpër dhe më agresiv. Në këtë sens ai paraqiti kushtin presidencial që Beogradi nuk do të pranojë sugjerimet e Brukselit për vendosjen e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, si një rrethanë për të ndihmuar integrimin europian të Serbisë. Presidenti serb madje i lëshoi një kërcënim paraprak BE-së, duke deklaruar se, kur ai të shkojë të vizitojë Brukselin në 13 qershor, do të verifikojë nëse ata në Bruksel kanë bërë ndonjë marrëveshje paraprake për Kosovën me ish Presidentin Boris Tadiç, dhe nëse është ashtu, unë do t'ia them këtë popullit serb me zë të lartë dhe të qartë.
Dhe si për ta vulosur predispozicionin e tij antiperëndimor, Presidenti i ri serb, i cili ka qenë një nga përgjegjësit kryesorë të politikës së Serbisë në kohën e luftërave kriminale të Serbisë kundër popujve joserbë të ish Jugosllavisë, formuloi akuza ndaj Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës të Krimeve të luftës në ish Jugosllavi. "Ne kemi dyshime të shumta rreth rrethanave të vdekjes së Sllobodan Millosheviçit në Hagë", deklaroi bashkëpunëtori i ngushtë i 'kasapit' të Ballkanit. Në postin e Presidentit, kjo apologji e krimeve të luftës bëhet politikë zyrtare dhe shtetërore.
Ardhja e Tomislav Nikoliçit në postin presidencial në Serbi është një sinjal negativ për zhvillimet në Ballkan. Një sinjal, që paralajmëron një kurs më agresiv dhe më nacionalist të Serbisë, me pasoja të një pastabiliteti më të madh dhe të trazirave të reja në marrëdhëniet e saj si me Kosovën, ashtu dhe me shtetet e tjera të rajonit. Maska e çngjyrosur europiane, që Nikoliçi i vuri fytyrës së tij prej ultranacionalisti dhe radikali, kur krijoi partinë e vet në vitin 2008, nuk mund të shërbejë si qetësues i shqetësimeve dhe i pasigurive, që sjell me vete Presidenti i ri i Serbisë.
Në një formë diplomatike, BE e shprehu një notë shqetësimi kur dërgoi me të shpejtë në Beograd më 24 maj të dërguarin e saj Miroslav Lajçak tek Presidenti i sapozgjedhur serb bashkë me një ftesë për vizitë në Bruksel. BE e shprehu një notë më të thellë shqetësimi dhe kur paralajmëroi Beogradin pas zgjedhjeve presidenciale se nuk do të ketë bisedime të reja me Kosovën, nëse Serbia nuk zbaton marrëveshjet e arritura deri tani në bisedimet Serbi-Kosovë me ndërmjetësimin e BE-së.
Dilema që nxjerr situata e re politike serbe, është që BE nuk duhet të bëjë me Presidentin e ri serb, Tomislav Nikoliç në vitin 2012, gabimin e madh, që bëri me Presidentin e ri serb, Vojislav Koshtunica në vitin 2000, pas ikjes së Sllobodan Millosheviçit. BE dhe Perëndimi bënë një investim të jashtëzakonshëm politik, diplomatik, propagandistik dhe ekonomik mbi Koshtunicën, duke neglizhuar profilin e tij real ultranacionalist dhe antiperëndimor. Në emër të mbështetjes së tij dhe të potencialeve demokratike dhe europiane, u nxitën në mënyrë artificiale dhe me një ritëm të ndryshëm nga ai i shteteve të tjera ballkanike shkallët e pranimit europian të Serbisë, sjellje që çoi në krijimin dhe në përhapjen në Ballkan të mendimit se BE, me favorizimin e pamerituar të Serbisë, po ndjek politikën e standarteve të dyfishta. Presidenti Koshtunica e keqpërdori dhe e shkatërroi investimin e BE për të. Dështimi me Presidentin Koshtunica qe i plotë dhe Koshtunica arriti deri në kulmin e arrogancës që refuzoi të nënshkruante Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, që Brukseli ia afroi me gjenerozitet të madh, ndonëse Qeveria e Koshtunicës mbante të fshehur kriminelët e luftës, Ratko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç. Urimi është që Brukseli të mos e përsërisë këtë gabim fatkeq edhe me Presidentin e ri serb Tomislav Nikoliç. Politika e indulgjencave të pamerituara, që Brukseli i ka dhënë dhe vazhdon t'i japë Serbisë, nuk i mënjanoi rreziqet e orientimit dhe të atraksionit fatal të udhëheqjes së Serbisë nga Rusia dhe të largimit faktik nga Perëndimi.
Këtu shtrohet edhe një problem i karakterit strategjik. Mes BE dhe Rusisë po zhvillohet një luftë e gjatë, herë e hapur dhe herë e fshehur, për ta tërhequr Serbinë secili në kampin e vet. Në diplomacinë e Brukselit evidentohet një defekt, që e gjykojnë klasën politike serbe mbi parametra europianë, në një kohë që duhet të mos harrohet për asnjë moment gjeneza dhe shpirti i saj bizantin dhe ballkanik. Që do të thotë se është nevoja e një deshifrimi real të asaj çka zien brenda politikës, interesave, prirjeve dhe mentaliteteve të klasës politike serbe. Kjo do të bëjë që në disa zyra europiane të mos ngrihen supet me habi se si fitoi Nikoliçi pas marrjes së statusit të shtetit kandidat në BE, dhe të mos iluzionohen nga maskat e modës politike europiane të stinës, që vishen në Beograd. Hidhësia e orientimit dhe e mendimit politik të Presidentit të ri serb, shfaqet fare hapur që në ditët e para, dhe kartolina politike dhe diplomatike e Presidentit serb lexohet qartë: "Me dashuri nga Moska, Nikoliçi".