"LE TË USHTOJË KAMBANA E LIRISË" - 50 VJET NGA FJALIMI HISTORIK I MARTIN L. KING-UT Nga FRANK SHKRELI
E Premte, 08.16.2013, 06:03am (GMT+1)
Ishte muaji gusht i vitit 1963. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lëvizja për të drejtat civile e udhëhequr nga prifti protestant, i përndershmi Martin Luther King, kishte arritur kulmin. Ajo ishte një lëvizje, misioni i së cilës ishte për të siguruar të drejta të barabarta për shtetasit zezakë afrikano-amerikanë dhe kundër diskriminimit të tyre në aktivitetet e jetës së përditshme në këtë vend. Ishte në përpjekje e Martin Luther Kingut, si udhëheqsi kryesor i kesaj lëvizjeje që t'i siguronte popullit të vet të pakën mundësinë për të marrë pjesë në të ashtuquajturën "ëndërrën amerikane."
Qendra Martin L. King në qytetin Atlanta të shtetit Xhorxha, në një njoftim për mediat në lidhje me këtë pëvjetor, shpalosi planet për festimin prej dhjetë ditësh të këtij përvjetori, njëkohësisht u bën thirrje komuniteteve në Amerikë dhe anë e mbanë botës që të marrin pjesë në përkujtimin e këtij përvjetori duke u rënë kambanave, (me 28 gusht,në ora 3 pa dreke, sipas orës së Uashingtonit), në kujtim të njërit prej fjalimeve më historikë të shekullit të kaluar, fjalim ky që ndryshoi përgjithmonë Amerikën dhe pati jehonë anembanë botës.
Vajza e Martin L. King-ut, Bernice King u bëri thirrje komuniteteve të ndryshme anë e mbanë botës që të adaptojnë programe përkujtimore, që sipas saj, "të bashkojnë njerëzit me pikpamje të ndryshme politike dhe kulturore, ashtuqë të festojmë humanizmin e përbashkët në mënyra krijuese dhe shpresëdhënse, në frymën e "ëndërres" së Martin Luther King-ut.
Fjalimi u mbajtë në datën 28 gusht, 1963 në përmbyllje të të ashtquajturit , "Marshimi në Uashington", ku morën pjesë mbi 250-mijë marshues, përfaqsues të të gjitha racave, para monumentit të presidentit Abraham Linkolnit në Uashington. Marshimi ishte pa dyshim demonstrata më me rëndësi në historinë e lëvizjes së të drejtave civile në Amerikë, dhe fjalimi i Martin Luther Kingut ishte kulmi i atij marshimi. Thirrja e marshuesve ishte "për punë e për liri" dhe për të drejta të barabarta, por ishte toni i shpresës në fjalimin e Martin L. King-ut ai që, sipas historianëve, e dallon atë fjalim klasik dhe për këtë ai mbahet mend dhe kujtohet.
Sipas historianëve dhe bashkpuntorve të ngushtë të tij, Martin Luther Kingu e kishte përgatitur më përpara fjalimin për këtë rast të rëndësishëm, megjithëse ai rrallë herë, sipas tyre, i shkruante fjalimet dhe predikimet e tija, por fliste gjithmonë pa letër. Por pjesën më të rëndishme, për të cilën ky fjalim mbet në histori, ai nuk e kishte të shkruar. Atje nga fundi i fjalimit, thuhet se ai largon mënjanë fjalimin e shkruar dhe i drejtohet turmës me këto fjalë:
"Unë u them ju sot miqë të mi se ndonëse përballemi me vështirsitë e mëdha të sodit dhe të nesërmës unë gjithnjë ëndërroj. Është këjo një ëndërr që i ka rrënjët e saja thellë në ëndërrën Amerikane. Është një ëndërrë, se një ditë ky komb do të zgjohet dhe do të jetojë sipas, nenit themelor të kushtetutës, se "˜Ne i konsiderojmë këto të vërteta si provë dhe dëshmi se të gjithë njerërzit janë krijuar me të drejta të barabarta.'
Atëherë sikur deshti që pësëri të theksonte "˜ëndërrën'' e tij përtej drejtësisë dhe barazisë midis racave, ai foli për një të ardhme që tejkalonte edhe ndryshimet raciale, duke thënë se, "Ëndërrojë se një ditë në kodrat dhe logjet e shtetit Xhorxha, bijtë dhe bijat e ish-skllevërve dhe bijtë e bijat e ish-skllavo-pronarëve do të kenë mundësinë të ulen së bashku në të njëjtën sofër të vëllazërimit....Ëndërroj se një ditë, katër fëmijtë e mi do të jetojnë në një vend, ku ata nuk do të gjykohen për nga ngjyra e lëkurës së tyre, por për nga karakteri i tyre."
Ishte shpresa biblike e Martin Luter Kingut 50-vjetë më parë, që pothuaj askush nuk e parashikonte atë ditë të nxehtë të gushtit, të vitit 1963. Ishte e vështirë të parashikohej 50-vjetë më parë ndoshta edhe për vet Martin Luter Kingun -- se, sot në 50-vjetorin e këtij fjalimi historik, do të ishte një president i Shteteve të Bashkuara me origjinë afrikano-amerikane, ai i cili do të kryesojë festimet me rastin e këtij përvjetori, ku sipas organizatorëve, do të fillojnë në Atlanta dhe do të vazhdojnë në Uashington për gjithsejt 8 ditë, dhe ku pritet të marrin pjesë me qindra mijëra veta nga Amerika dhe qindra mijëra të tjerë anë e mbanë botës. Përfshirë ish-presidentë, kongresmenë e senatorë dhe zyrtarë të qeverisë federale, si edhe përfaqësues të lartë ndërkombtarë dhe të organizatave kombëtare dhe ndërkombtare.
Më 28 gusht, ditën aktuale të 50-vjetorit të mbajtjes së fjalimit historik, do mbahet një shërbim ndër-fetar në Uashington para ceremonive dhe para se Presidenti Barak Obama të mbajë fjalimin e rastit, në shkallët para monumentit të Abraham Linkolnit, ekzaktërisht aty ku 50-vjetë më parë mbajti fjalimin e tij i Përndershmi Martin Luter King, duke i deklaruar kombit dhe botës, se " Ëndërroj se do vijë dita kur të gjithë bijtë dhe bijat e Perëndisë, të bardhë e zezakë, hebrejë dhe të tjerë, përfshirë katolikët dhe protestanët do të bashkohemi dhe dora dorës të këndojmë së bashku se më në fund jemi të lirë, jemi të lirë më në fund dhe falenderojmë të Madhin Zot, se më në fund me të vërtetë jemi të lirë."
Për lexuesit anglisht-folës do të rekomandoja që pot ë kenë mundësi të ndëgjojnë këtë fjalim në youtube. Është 17-18 minuta i gjatë por është me të vërtetë një fjalim klasik për nga përmbajtja po se po, por edhe për nga mënyra e të shprehurit të këtij oratori të madh. Është një fjalim plot pasion që të frymëzon për të mbrojtur drejtësinë, është si një gjëmim kundër padrejtësisë, por është njëkohsisht edhe një fjalim shprese për një ditë më të mirë për të gjithë bijtë dhe bijat e Perëndisë. Është këjo një thirrje nga një gjuhë biblike që mundë të keqen me të mirën, nga goja e një predikatori Baptist protestan, por edhe një udhëheqsi moral kombëtar, i cili tani me të drejtë e ka monumentin e tij ball për ball me monumentet e themeluesve dhe baballarëve të kombit amerikan, në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington, në mirënjohje të kontributeve të tij ndaj këtij kombi dhe mbarë njerëzimit.
|