CEREMONIA E ÇMIMEVE GRAMMY
E Hënë, 02.09.2015, 07:55pm (GMT+1)
Kompozitorë, interpretues, inxhinierë zëri e drejtues studiosh diskografike u mblodhën mbrëmë në Los Anxhelos për të nderuar arritjet më të mira të këtij viti në muzikë. Mbrëmja afirmoi artistin e ri britanik Sam Smith, i cili siguroi mbrëmë katër çmime grammy, megjithëse nuk fitoi në kategorinë më të lakmuar të mbrëmjes: Albumi më i mirë i Vitit.
Sam Smith ishte artisti më i vlerësuar në ceremoninë e mbrëmshme duke fituar në kategorinë e artistët të ri më të mirë, si dhe atë të albumit më të mirë vokal pop. Kënga e tij Stay with Me u zgjodh si regjistrimi më i mirë i vitit dhe kënga më e mirë e vitit. Jo keq për një artist që deri pak vjet më parë ishte i panjohur për publikun global.
Por Sam Smith nuk siguroi kurorën më të lakmuar të mbrëmjes, çmimin për albumin më të mirë të vitit. Ai konkurronte në këtë kategori me Beck, Byonce, Pharrell Williams dhe Ed Sheeran, por Grammy-n e fitoi Beck për albumin e tij Morning Phase.
Pharrell Williams nuk e mbylli mbrëmjen duarbosh. Ai fitoi mbrëmë në kategorinë e interpretimit solo në muzikën pop për këngën Happy.
Byonce dhe bashkëshorti Jay-Z fituan në kategorinë e interpretimit më të mirë në muzikën R&B.
Miranda Lambert, një tjetër fituese e Çmimeve Grammy, e cila u zgjodh në katerinë e albumit më të mirë të muzikës Country.
Mbrëmja nuk kaloi pa tone politike. Presidenti Barak Obama e shfrytëzoi këtë grumbullim talenti dhe fame për të përçuar mesazhin kundër dhunës në familje.
Si çdo herë, ceremonia e çmimeve Grammy është një mundësi për të vlerësuar arritjet e muzikës moderne, por edhe për të nderuar një traditë të gjatë e të pasur artistike. Madonna ishte ndër të ftuarit që interpretuan mbrëmë në skenën e Grammy-t.
Kanye West, Paul McCartney dhe Rihanna dëshmuan se talente krejt të ndryshme mund të gjejnë kordat e përbashkëta muzikore.
Dhe në dallim nga imazhi që ka krijuar me konstumet dhe interpretimet e pazakonta dhe ekstravagante, Lady Gaga doli mbrëmë në skenë me një paraqitje elegante të viteve 1950 për të interpretuar me Tony Bennet regjistrimin e tyre të ri Dancing Cheek to Cheek. Është e vërtetë shprehja se disa gjëra nuk dalin kurrë nga moda. Kjo këngë, ka konkurruar për Çmimin Oskar në vitin 1936 kur ishte pjesë e kolonës zanore të filmit Top Hat dhe fitoi mbrëmë një Grammy në kategorinë e Albumit më të mirë Tradicional Pop.za
www.voal-online.ch
|