Diplomacia e shtetit të pavarur të Kosovës është e re sa shteti, por mosha e re
nuk mund të jetë justiï¬kim për gabime të përsëritura në marrdhëniet
ndërkombëtare të Kosovës. Një gabim i përsëritur, i cili është bërë fenomen
negativ në politikën ndërkombëtare të qeverisë së Kosovës është ai i shpalljes
në publik të njohjeve diplomatike të Kosovës, përpara se ato t'i shpallë
shteti, që e ka njohur Kosovën. Rasti më i fundit, që mori formën e një
skandali diplomatik, është ai i shpalljes nga zëvendëskryeministri i parë,
Behgjet Pacolli, në 17 gusht, se Republika e Malit e ka njohur Republikën e
Kosovës, gjë që e shtyu kryeministrin Hashim Thaçi t'i bëjë edhe falenderim
Malit në 21 gusht në fjalën e tij në Këshillin e Sigurimit, dhe në 23 gusht
presidenca e Republikës së Malit me një komunikatë përgënjeshtroi se shteti i
saj e ka njohur Kosovën dhe misioni i Republikës së Malit në OKB në 24 gusht
qarkulloi deklaratën zyrtare se Mali nuk e ka njohur Kosovën.
Është lehtë të merret me mend se çfarë ndjesie ka shkaktuar në qarqet
diplomatike ndërkombëtare një ngjarje e tillë, që mund të klasifikohet e rëndë
dhe që e nxjerr qeverinë e Kosovës në një pozicion komprometues dhe Kosovën në
një imazh negativ. Jo rastësisht nxituan të gjitha mediat serbe, ruse, kineze dhe
të shteteve jodashamirëse me shtetin e Kosovës, që t'i bënin jehonë një
skandali të tillë diplomatik. E theksova edhe më sipër se ky nuk është një rast
i izoluar, por është bërë fenomen negativ në diplomacinë e shtetit të Kosovës,
e cila i shpall njohjet përpara kohe dhe e ka kthyer procesin e njohjeve
diplomatike nga një proces gjithëpërfshirës shtetëror, në një aksion personal
se kush do të marrë bajrakun e meritave të njohjes, sikur njohjet diplomatike
të ishin aksione tregu. Duhet pranuar se merita e krijimit dhe e vazhdimit të
këtij fenomeni i takon presidentit dhe zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, i
cili angazhimin diplomatik në të dy postet, ku u emërua, e kuptoi si një aksion
personal në bursë.
Por nuk mbetet jashtë fajit edhe qeveria e kryeministrit Hashim Thaçi, e cila
lejoi krijimin e kësaj dukurie dhe në qeverinë e Kosovës nisi një garë mes
anëtarëve të saj se kush do të marrë përsipër merita për njohjet diplomatike.
Dhe kjo garë zyrtare rurale nxiti fenomenin që çdo bisedim ndërkombëtar për
njohje me një shtet apo premtim diplomatik nga një shtet për shqyrtimin e
njohjes së Kosovës, menjëherë i servirej publikut si njohje dejure e Kosovës.
Në politikën e qeverisë së Kosovës për njohjet janë shfaqur dy linja dhe dy
paralele diplomatike, një nga zëvendëskryeministri i parë dhe tjetra nga
Ministria e Jashtme, përgjithësisht kundërvënëse njëra me tjetrën. Kjo ka qenë
një garë absurde me vetveten, që disa herë i ka prishur punë procesit të
njohjeve, sepse kujdesi më i madh ka qenë jo njohja, se sa marrja mbi vete e
meritës së njohjes. Kjo garë e papranueshme mes institucionesh shtetërore, u
shtri edhe në ministri të tjera, titullarë të të cilave, pa u menduar dy herë,
kanë shpallur para kohe se ky apo ai shtet do ta njohë Kosovën, siç bëri me 15
gusht dhe ministri i Shëndetësisë i Kosovës, i cili sapo u kthye nga samiti i
jashtëzakonshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, OIC, shpalli se
Egjipti, Tunizia, Algjeria dhe Jemeni do ta njohin Kosovën, në një kohë kur
asnjë prej shteteve të mësipërme nuk ka dhënë njoftim zyrtar për këtë.
Ky fenomen negativ duhej të ishte bërë prej kohësh objekt analize në qeverinë e
Kosovës, por pas rastit të Malit, kjo analizë është domosdoshmëri. Ata që
merren ose pretendojnë të merren me diplomaci në Kosovë duhet të kenë kaq
njohuri, ose të kenë këshilltarë, që kanë dijeni dhe praktikë për punët e
diplomacisë, se nuk mundet kurrsesi shteti, që njihet, ta shpallë aktin e
njohjes përpara shtetit, që e njeh. Mbi të gjitha duhet patur parasysh se akti
zyrtar i njohjes nuk duhet konsideruar premtimi, që bën gjatë takimeve apo
bisedimeve diplomatike presidenti apo ministri i Jashtëm i një shteti të huaj.
Duhet që ai premtim të sanksionohet në akte, dokumente dhe kanale zyrtare, dhe
pasi të dorëzohet sipas të gjitha praktikave ndërkombëtare në qeverinë e
Kosovës, mund t'i jepet sihariqi opinionit publik të brendshëm dhe
ndërkombëtar.
Duke nxituar dhe shpallur përpara kohe dhe përpara se të jetë akt zyrtar i
njohjes së Kosovës nga një shtet tjetër, mund të krijohen situata të pakëndshme
diplomatike, të cilat vënë në dyshim funksionimin e Kosovës si shtet dhe të
aftësisë së qeverisë së saj si partner serioz ndërkombëtar. Sepse shpallja
parakohe, në mënyrë të njëanshme dhe pa u konfirmuar zyrtarisht, është thyerje
e kodit dhe e normave të praktikës diplomatike dhe të marrëdhënieve
ndërkombëtare, sipas të cilave temat dhe rezultatet e bisedimeve dypalëshe
bëhen publike pas një konsensusi nga të dy palët. Nëse njëra palë, si është në
rastin konkret Kosova, shpall përpara vaktit se iks qeveri e ka njohur Kosovën,
kjo shkakton irritim të madh në qeverinë e shtetit, që ka premtuar njohjen.
Sepse, edhe nëse Mali mund të kishte premtuar njohjen e Kosovës, hapi i
shpalljes së kësaj njohjeje në mënyrë të njëanshme mund ta ketë irrituar
presidencën e atij shteti në atë shkallë, sa të ketë tërhequr mendimin e
mëparshëm për njohje.
Kjo praktikë negative e qeverisë dhe e diplomacisë së Kosovës mund të ketë
efekte negative dhe në shtetet e tjera, që nuk e kanë njohur ende Kosovën dhe
që mund të frenohen më shumë në bisedimet dhe në marrjen e vendimit për njohjen
e Kosovës, sepse nuk kanë siguri që bisedimet e tyre me zyrtarë të lartë
kosovarë do të mbeten konfidenciale. Nga ana tjetër dihet se në shtete të
ndryshme, midis forcave politike dhe madje midis institucioneve qeveritare,
disa herë ka mendime të kundërta lidhur me Kosovën dhe me njohjen e saj.
Qeverive të atyre shteteve mund t'u duhet kohë edhe punë që të arrijnë një
konsensus politik apo parlamentar për njohjen e Kosovës. Nëse Prishtina nxiton
dhe shpall, ende pa u arritur ky konsensus në atë shtet, ahere dëmton njohjen e
vet nga ai shtet.
Elementi më negativ, që rezulton nga fenomeni, që po analizojmë, ka të bëjë me
Serbinë. Duke shpallur se ky apo ai shtet e ka njohur apo do ta njohë Kosovën,
pa u marrë ende vendimi zyrtar nga ato shtete, Prishtina me dorën e vet zgjon
nga gjumi Serbinë dhe diplomacinë serbe, e cila nxiton të bëjë presione të reja
të drejtpërdrejta mbi shtetet e njoftuara, që të mos e njohin Kosovën. Serbia duhet
të vihet përpara fakti të kryer, pasi vetë shtetet e tjera ta shpallin njohjen
dhe jo Prishtina t'i kujtojë Serbisë se ka ende kohë që të pengojë këtë apo atë
shtet, kandidat për njohjen e Kosovës. Po në këtë optikë, njohjet e
paralajmëruara dhe të paautorizuara për t'u shpallur, vënë në lëvizje
diplomacinë ruse dhe kineze që të ushtrojnë të gjitha presionet e mundshme mbi
shtetet e Afrikës, të Azisë apo të Amerikës Latine, të cilat janë në prag të
njohjes së Kosovës. Sepse, nëse Kosova vetë paralajmëron botën se ky apo ai
shtet afrikan apo aziatik do ta njohë, diplomacia ruse dhe kineze do të
nxitojnë të ndikojnë për ta kthyer vendimin e pritur zyrtar të njohjes. Sepse
është e kuptueshme se, nëse tek qeveria e Malit do të shkojë diplomacia ruse
dhe kineze, të cilët kanë prani, ndihma dhe ndikim të madh në shtetet afrikane,
me siguri që presioni i tyre do të jetë më efektiv se sa premtimi ndaj Kosovës
apo ndaj ndonjë titullari të saj.
Procesi i njohjes së Kosovës duhet të jetë një nga prioritetet e politikës së
jashtme dhe të diplomacisë së Kosovës, dhe si çdo prioritet shtetëror, ai nuk
mund të jetë dhe nuk duhet lejuar të jetë veprim apo hobi personale e njërit
apo tjetrit zyrtar. Qeveria nuk duhet të stresohet kaq shumë nga zhurmat qoftë
të propagandës serbe dhe ruse, qoftë të disa forcave opozitare brenda, se
procesi i njohjeve ka ngecur. Streset qeveritare çojnë në gabime, që i paguan
shteti dhe funksioni i tij ndërkombëtar. Unë i përkas atij grupi, që mendon se
njohja e Kosovës nga 91 shtete, brenda këtyre katër vjetëve e gjysëm është një
sukses, dhe mbaj distancë dhe nga grupi i atyre, që flasin në majë të mullarit
se po të kishin qenë ata në krye të qeverisë së Kosovës furtuna e njohjeve do
të kishte rrëmbyer 192 shtete të OKB-së. Nuk duhet harruar se shtetet e reja,
që dolën nga ish-Jugosllavia, në kohën kur kishin moshën e shtetit të Kosovës,
nuk kishin njohur ende nga pikëpamja diplomatike njëri-tjetrin dhe as një e
treta e shteteve, që kanë njohur Kosovën, nuk i kishin njohur ish-republikat
jugosllave. Nuk duhet harruar se as Kinën, që është nga fuqitë më të mëdha të
botës, edhe sot e kësaj dite nuk e njohin të gjithë shtetet anëtare të OKB-së.
Procesi i njohjes së shtetit nuk është garë sportive, por është një proces i
gjatë, i vështirë dhe që kërkon kohë. Është një proces, që nuk lejon gabime si
ato që analizuam, dhe që kërkon bashkëveprimin e të gjithë institucioneve të
shtetit, ku objektivi madhor është Kosova dhe ruajtja e reputacionit të saj
diplomatik e ndërkombëtar.