Kushtuar motrës sime Drita Kripa Pelingu MIRUPAFSHIM MOTËR Nga RESHAT KRIPA
E Martë, 10.08.2013, 06:47pm (GMT+1)
Ike motra ime, ike në mes të duartrokitjeve të qindra admiruesve të tu. Ike kur e kishe plotesuar detyrën tënde të një artisteje të madhe të skenës. Ti ike por unë, vëllai yt i vogël, (eh çfarë them edhe unë, vëllai yt i vogël që po arrin të tetëdhjetat), dua të shkruaj dy fjalë për ty, për kujtimet e mia. Megjithatë, për ty unë isha gjithmonë një vëlla i vogël, sikur të isha ende një fëmijë dhe me të vërtetë unë mbeta një fëmijë përpara figurës tënde të ndritur.
Duartrokitjet që të përcollën për në banesën e fundit më sillinin para syve ato që ushtonin në skenat shqiptare kur interpretoje rolet e Irës, Klariçes, Luiza Milerit, Gertrudës, Kornelias, Budes, Mukadesit, Hallës dhe mbi të gjitha atë të Zojcikës rol që e kishe mbi gjithë të tjerët. Këto duartrokitje ishin shpërblimi që admiruesit e tu të shumtë të jepnin në çastin e përcjelljes tënde për në mbretërinë e përjetëshme.
Në mes të duartrokitjeve të admiruesve para syve më dilte jeta ime. Më dilnin ato vite të fëminisë sime të herëshme kur ti, ende e re, deklamoje para nesh skena nga dramaturgjia botërore. Ati ynë, kur të dëgjonte, thoshte se ti do të bëhesh një njeri i madh dhe, me të vërtetë, ti u bërë e madhe.
Por, mbi të gjitha, më dilnin para syve ato vite të turbullta, kur unë zgjodha rrugën nëpër gërxhe e shkrepa dhe kur ti ishe gjithmonë pranë meje për te më kthyer përsëri në gjirin e familjes, për të më kthyer përsëri në jetë. Ti nuk kishe mundësi të vije të më takoje, pasi ashtu ishin konditat e kohës, por ti ishe gjithmonë pranë meje. Unë e ndieja praninë tënde. Ishin kohë të vështira. Familja jonë jetonte në kondita të një mbijetese të tmershme. Por mua nuk më mungonte asgjë dhe kjo në saj tënden. Nuk mund t'i harroj kurrë pakot që më dërgoje me prindërit tanë ku në secilën prej tyre do të gjeja shënimin: "vëllait tim të vogël që e dua shumë".
Vitet rrodhën. Po afrohej koha që të kthehesha në gjirin e familjes. Në një pako që ti kishe dërguar ishte një kostum krejt i ri. Doje që unë të kthehesha si një dhëndër. Në xhepin e xhaketës një fotografi të një fëmije që nuk ishte më shumë se një vjeç. Nga pas saj një shënim: "Po të dërgoj fotografinë e Orës që sa herë të të marrë malli ta puthësh e përqafosh". Ishte fotografia e mbesës time të bukur. Kur e pashë, për herë të parë, më rrodhën disa pika lot nga sytë.
Erdhi, më në fund, dita që do të kthehesha në gjirin e familjes. Isha shumë larg qytetit të lindjes. Nuk mundesha të kthehesha brenda ditës atje. Ku të shkoja? Direkt nga skëtera erdha tek ty. Në hyrje të shtëpisë pashë të nderuarin doktor Kërçikun, në shtëpinë e të cilit banonte ime motër, që zbriste shkallët së bashku me zonjën e tij të nderuar. Më vështroi me habi dhe më pyeti:
-Ku shkoni? -Te motra, Drita iu përgjigja. Një shkëndijë shkrepi në sytë e doktorit -Drita, Drita. thërriti dhe u kthye mbrapa sihariq, sihariq.
Ti dole nga dhoma e habitur dhe më vështrove. Fillimisht nuk më njohe.
Kishim mbi pesë vjet pa u parë. Por kur më pe veshur me kostumin që më kishe dërguar, lëshove një klithmë dhe më rrëmbeve në krahët e tu duke derdhur lot të nxehtë. Edhe mua më shpëtuan lotët. Atë çast nuk do ta harroj kurrë deri sa të mbyll sytë.
Po si munde t'i bëje gjithë këto për një vëlla rebel që ishte ngritur kundra sistemit në të cilin jetohej? Sepse në krah kishe një bashkëshort ideal, një luftëtar të vërtetë të lirisë që kurrë nuk i braktisi parimet fisnike për një Shqipëri demokratike. Ishte pikërisht ky fisnik i rrallë që, megjithë shtrëngesat e kohës së errët, gjente rrugët e duhura për të jetuar pa u përlyer nga intrigat e pështira të kohës. Ai i përkiste atyre burrave që nuk të ndërhyri kurrë në marrëdhëniet e tua familjare, sido që të ishin ato dhe që nuk druhesh të vinte në familjen tonë në një kohë kur atë sistemi e kishte mbuluar me njolla të errëta.
Por ti vuaje, e dashur motër. Vuaje ti, por vuanim edhe ne, pasi ishim pikërisht ne shkaku i vuajtjeve të tua. Ti asnjëherë nuk e shfaqe këtë hidhërim. Duhesh të kalonin dyzet vjet, deri sa të vinte viti 1986 kur shteti shqiptar do të kujtohesh të të jepte titullin "Artiste e Merituar". Megjithatë unë i falënderoj ata që u bënë shkak që ti të merrje atë titull. Nuk e di se kush janë por, sidoqoftë, i falënderoj. Falënderoj gjithashtu Shoqatën "Ismail Qemali" për titullin me të njejtin emër që të akordoj në vitin 1996, Presidentin Mejdani për titullin "Mjeshtre e Madhe e Punës", Presidentin Topi për titullin "Nderi i Kombit" dhe bashkinë e Vlorës për titullin " Nderi i Qytetit". Një falënderim të veçantë i drejtoj Bordit Drejtues të Institutit Amerikan të Biografive për zgjedhjen e s'ime motre ndërmjet 500 personaliteteve më në zë të botës.
Thellësisht faleminderit të gjithëve!
Ti motër, megjithë fatkeqësitë që të ranë përsipër vitet e fundit, nuk u theve asnjë herë. Kishe një ëndërr. Doje t'i jepje fund jetës në skenë dhe ashtu ndodhi. Ti i dhe fund duke interpretuar "Përjetësisht dashuria", një pjesë e regjizorit të njohur Mihal Luarasi. Ishte drama e fundit që interpretove, vetëm disa muaj para se të shuhesh jeta jote.
Ti ike motër, ike nëpërmjet duartrokitjeve. Në homazhet e tua morën pjesë gjithë qytetarët e vendit tënd, pa marrë parasysh nëse ishin të djathtë apo të majtë. Morën pjesë funksionarë të atyre që, deri më dje, ishin në krye të shtetit, por morën pjesë gjithashtu edhe të atyre që sot janë në pushtet. Kjo sepse ti u përkisje të gjithëve. Sepse ti ëndërroje për një Shqipëri me të vërtetë demokratike ku njeriu të ishte mik me njeriun. A do të bëhet ndonjë herë Shqipëria e tillë? Sa do të dëshiroja! Por, a do të vijë ajo ditë? Nuk e di. Nuk jam në gjendje t'i përgjigjem kësaj pyetjeje. Kush të mundet le të përgjigjet.
Mirupafshim, motra ime! Mirupafshim në botën e përjetëshme
RESHAT KRIPA
|