E Martë, 12.07.2021, 07:32am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
LAJMI I FUNDIT
 

SUPERBUXHET 409 MILIARDË

Një buxhet për qytetarët

Nga SALI BERISHA


E Premte, 11.26.2010, 10:15am (GMT+1)

Shpreh kënaqësinë time që paraqitem sot në këtë aulë për buxhetin e vitit 2011, buxhetin më të madh në historinë e këtij vendi, buxhetin e një ekonomie, e cila renditet në 4-5 ekonomitë e botës me rritje ekonomike në kulmin e krizës, buxhetin e një ekonomie, e cila shënoi rritjen ekonomike më të madhe në grupin e vendeve të zhvilluara, buxhetin e një ekonomie që ka të gjithë potencialin për një ndryshim të rëndësishëm cilësor të jetës së qytetarëve shqiptarë. Shpreh kënaqësinë time se paraqes sot, në këtë sallë, buxhetin, kur këtu ndodhen përfaqësuesit e atyre që votuan për këtë qeveri dhe atyre që votuan kundër kësaj qeverie. Theksoj këtë moment, se një vit më parë, për ambicie paranojake për pushtet të një njeriu që konservon asgjë tjetër veçse psikologjinë e bllokmenit të ri dhe bunkerit, në të cilin është rritur, nuk kisha në këtë sallë përfaqësuesit e elektoratit që votoi kundër meje dhe kjo, vetëm e vetëm, se ky njeri nuk ka sensin e pendesës, por kompleksin e turpit. Ai që nuk ka sensin e pendesës, nuk ka dhe nuk mund të ketë vlerat më të vogla të njeriut të qytetëruar. Kompleksi i turpit është një kompleks që shtrihet prore në të gjitha speciet e mamiferëve. Por, ajo që e dallon homosapiens-in e qytetëruar është ndjenja e pendesës. Kam kënaqësinë që sot jeni në sallë dhe nuk iu nxori jashtë me një mesazh, siç bën, sepse cilido të jetë qëndrimi juaj ndaj meje dhe qeverisë sime, ju përfaqësoni shqiptarët, burra e gra, djem e vajza, të cilët unë i respektoj plotësisht e tërësisht. Ju përfaqësoni qytetarë, për të cilët ky buxhet shkon pa asnjë dallim. Ju përfaqësoni fshatra, qytete, lagje, komuna e bashki, në të cilat ky buxhet do të realizojë financimet dhe projektet më të mëdha në historinë e tyre. Unë uroj që të çliroheni nga psikologjia e bunkerit, ku iu ka ndryrë njeriu që kaloi jetën e tij nga bunkeri i bllokut në muzeun e Enver Hoxhës, njeriu që kaloi rininë e tij nga bunkeri tek muzeu, nga muzeu tek bunkeri dhe vazhdoi sërish jetën në muze. Dilni nga muzetë! Jeta është tjetër, muzeu është tjetër. Muzetë janë varreza e historisë. Jeta është e tëra në gjallërinë e saj. Ju nuk duhet të pranoni të ndryheni kurrë më.

Sms ndaj Ramës: Harroje se bëhesh kryeministër, duke ndenjur para derës sime !

Ky vend ka një memorie. Ju luajtët si Xhaferri me të gjitha kursimet e shqiptarëve. Kujtoni konferencat tuaja të shtypit. Por, ekonomia dhe sistemi i këtij vendi faktoi se nuk mund të merret peng nga askurrkush. Në kulmin e protestave, kur kryetari juaj në krizë të përjetshme, në krizë dhe i pashpresë, rrinte ditë e natë para selisë së kryeministrisë, i çova një mesazh, harroje se bëhesh kryeministër, duke ndenjur para derës sime. Një ditë iu thotë mocion për kryetaren e Kuvendit, pas tre orësh tërhiqet e iu thotë jo mocion për kryetaren e Kuvendit, një ditë iu thotë kutitë, ditën tjetër iu thotë poshtë kutitë dhe të gjitha këto jua bën juve, jo neve, sepse ne kemi një qëndrim institucional ligjor. Por, sërish ndjejmë keqardhje për të gjitha këto. Ashtu siç iu trajton ai juve, edhe Enver Hoxha do ta kishte lakmi. Të gjitha këto janë pjesë thelbësore e buxhetit, sepse ju nuk e votuat buxhetin. Po, ka lidhje thelbësore me të, sepse, të paktën, le të shërbejë gabimi që bëtë, për të votuar këtë buxhet, le të dëshmoni pendesën, për të votuar buxhetin që paraqes sot, buxhetin më të madh në historinë e vendit, buxhetin e një ekonomie solide, e një ekonomie, e cila shënon rritje të eksporteve 60 përqind, sa asnjë ekonomi tjetër. Absolutisht po zotëri, se sigurisht, po të hysh në poker gjithë ditën, e ke mendjen në poker, dëgjon veten Lady Gaga, Poker face. Këto janë vetëm një thirrje ndaj jush, të votoni këtë buxhet, i cili fund e krye i përkushtohet qytetarit shqiptar.

Buxheti '11, një portofol familjar për çdo familje

Ky buxhet synon që, krahas portofolit familjar, t'i ofrojë çdo qytetari një portofol të dytë, këtë për fëmijët e tij, në mënyrë që ata të shkollohen më mirë se kurrë. Ndaj edhe ky buxhet ka rritur në mënyrë thelbësore investimet për arsimin, për shkollën. Ky buxhet shënon një rritje prej 8 përqind për shkollimin e vogëlushëve, të rinjve e të rejave të Shqipërisë. Kjo rritje do të përdoret për rikonstruksionin e qindra shkollave të reja, për rritjen e mëtejshme të rrogave të mësueseve dhe mësuesëve të vendit, një rritje që vetëm pak muaj më parë kryetari juaj do ta quante kriminale. Nuk ka asgjë më të sëmurë, më të papranueshme, se të konsiderosh rritjen e rrogave dhe pensioneve kriminale, por iu siguroj se rrogat e mësuesve do të rriten ndjeshëm. Ky buxhet është për çdo qytetar shqiptar, për shëndetin e tij. Ndaj buxheti rrit në 14 përqind shpenzimet për shëndetin e tyre. Unë i kuptoj qytetarët shqiptarë ende nuk kanë shërbimin mjekësor që meritojnë, por sot, ata i kanë 10 herë më të mëdha mundësitë e kujdesit shëndetësor, sesa i kishin 6 vjet më parë. Unë e kuptoj se sërish qytetarët shqiptarë ndjejnë lëndime, por sot, reforma e shëndetësisë ka dhënë e po jep efektet e saj gjithnjë e më të mëdha, së pari, në luftën kundër korrupsionit, së dyti, në rritjen e cilësisë së shërbimeve.

Në 2011 rritja më e madhe e pensioneve në gjithë Evropën

Buxheti më i madh në historinë e vendit është buxheti i të moshuarve tanë, i mbi gjysmë milion pensionistëve. Në një kohë, kur pensionet në Europë po njohin shkurtime deri në 30-40 përqind, kur vende të tjera po i ngrijnë ato, Shqipëria ka vendosur të realizojë rritjen më të madhe të pensioneve në vitin 2011 në të gjithë Evropën. Nuk do të gjeni një vend tjetër që rrit me 10 përqind pensionet në fshat dhe me 5 përqind pensionet në qytet, në mesatare e saj, madje shumica e vendeve për shkak të krizës nuk bëjnë as indeksimin. Por, kjo qeveri do ta bëjë dhe e bën e sigurtë këtë rritje, siç bëri vitin e kaluar dhe çdo vit rresht, sepse, të nderuar zotërinj, të ardhurat e këtij viti i tejkalojnë ato të vitit të kaluar, me gjithë vështirësitë, me 160 milionë dollarë. Por matematika e Ramiz Alisë iu ka lënë në klasë, ndaj hiqeni atë matematikë nga axhenda. Ajo ka lindur këtu. Në këtë sallë kemi qenë 20 vjet më parë, kur bëhej matematika e Ramiz Alisë, matematika e mashtrimit. Ndaj hiqni dorë prej saj! Ky buxhet bazohet në termat më reale. Ndryshe, më thoni si ndodhi që tregjet më të ndjeshme të të gjitha tregjeve, tregjet më instiktive, për deficion më të trembura, se të gjitha tregjet e tjera, tregjet financiare blenë bonot e kësaj qeverie, me një normë më të favorshme se të disa vendeve të eurozonës, më të favorshme se të gjitha vendeve të rajonit. Mendoni se kjo ishte gjë tjetër, përveçse besim i plotë tek dinamizmi dhe vitaliteti i ekonomisë shqiptare, natyrisht, edhe i kredencialeve të qeverisë. Pra, ky është buxheti i pensionistëve shqiptarë, të cilët do të kenë një rritje direkt të pensioneve 10 përqind në fshat, mesatarisht 5 përqind, sipas shkallëve në qytet.

Rritje të ndjeshme të pagave në çdo sektor

Ky është buxheti i punonjësve të Shqipërisë. Kjo administratë është një pasuri e madhe kombëtare, një pasuri e vërtetë kombëtare, e cila me aftësimin e vazhdueshëm të saj e ka bërë Shqipërinë vendin e suksesit të vërtetë të reformave. Do të rriten ndjeshëm rrogat në të gjithë sektorët. Unë e kuptoj që kjo ju lëndon, por nuk keni të drejtë që të shpallni se kjo bëhet për qëndrime elektorale, sepse ato u ngritën në prill të vitit 2009 dhe thatë se e bëni për qëllime elektorale. Dhe kur u realizua dhe në prill të vitit 2010, e shpallët kriminale dhe tani do ta quani prapë elektorale, por gaboni. Sa të jetë në pushtet Sali Berisha, qytetarët shqiptarë do të kenë rritje rrogash dhe pensionesh. Buxheti është i të gjithë punonjësve të kësaj administrate, prindërve dhe fëmijëve të tyre, të cilët pas 1 korrikut, do të kenë një buxhet familjar, do të kenë në portofolin e në kontot e tyre një buxhet më të madh, se kurrë më parë.

650 milionë USD investime në rrugë, shkolla e ujësjellës për fshatrat

Buxheti 2011 është buxheti i fermerëve të Shqipërisë, i "skllevërve të socializmit", i "skllevërve" më të vuajtur të atij sistemi. Përveç rritjes 10 përqind të pensioneve, kam kënaqësi të informoj se investimet në fshat, në shkolla, kanalizime, ujësjellës, rrugë, frutikulturë, tregje janë 650 milionë dollarë, investimet më të mëdha në historinë e vendit. Zhvillimi i qëndrueshëm rural është politika konstante e kësaj qeverie. Në fshatrat e Shqipërisë do të asfaltohen rreth 2 mijë kilometra rrugë. Në fshatrat e Shqipërisë do të ndërtohen mbi 300 ujësjellës, do të rikonstruktohen e ndërtohen qindra shkolla dhe qendra shëndetësore të reja, do të ndërtohen qindra kilometra kanalizime. Politika e kësaj qeverie, për t'i bërë ato të llamburitin si lagjet e qytetit, çdo ditë po bëhet e do të bëhet realitet. Kam kënaqësinë e madhe se sot janë me dhjetra e dhjetra komuna tërësisht të asfaltuara, sikundër iu informoj zotërinj deputetë, se janë 91 komuna të palidhura me rrugë të asfaltuara me akset rrugore kombëtare, 45 prej të cilave, nga Lekbibaj në Bogovë, në të gjithë territorin e vendit, me këtë buxhet do të lidhen me akset kombëtare. Kudo, ku jetojnë shqiptarët, do të ndryshojë jeta e tyre. Buxheti është i fermerit shqiptar, sepse ky buxhet do të mbështesë fuqishëm industrinë përpunuese të prodhimeve shqiptare, prodhimeve më të shijshme që mund të bëhen. Ky buxhet do të hedhë hapat e mëdhenj e të fuqishëm të prodhimeve bio dhe unë iu garantoj se prodhimet bio do të bëhen dora-dorës, drejtim kryesor i bujqësisë shqiptare. Vendi ka nevojë për vizion, ju i ofroni kuti. Ne ju ofrojmë horizont për t'u kapur.

Deputetët e PS nuk prekin dot ndryshimin nga ethet e kryetarit

Shqipëria po ndryshon çdo ditë. Mjerë ata që kanë sy dhe nuk e shikojnë. Të mos kesh sy je i falur, por kur ke sy e nuk e shikon, dënon veten tënde. Realiteti është i pamëshirë. Ndaj edhe ky buxhet është i projekteve më të mëdha kombëtare, në fushën e bujqësisë, i ullirit dhe jo i kumbullave të kuqe. Një ditë dëgjoja një komentator, ekspert i bujqësisë, teksa deklaronte se duheshin 100 vjet për të mbjellë 20 milionë rrënjë ullinj. Unë them se e kishte gabim, me ritmet e socializmit duhen 200 vjet, me ritmet e lirisë 4 vjet plotësojnë 20 milionë rrënjë. Ju ftoj ju, deputetë e agronomë të të dy krahëve politikë, të vini pas meje në inaugurimet e impianteve të mëdha të kultivarëve të ullirit. Ju ftoj të shkoni në zonat nga keni ardhur dhe do të gjeni se në dy vjet, Shkodra ka mbjellë ullinj më shumë se në 50 vjet, se Berati, në dy vjet, ka mbjellë ullinj se në 70 vjet, do të gjeni se ju vuani nga ethja e kryetarit, ndërsa fermerët e ultësirës vuajnë nga ethja e ullirit. Ethen e kryetarit nuk ua qetësoj unë, megjithëse edhe atë do jua qetësoj, absolutisht, do t'iu shpëtoj prej saj. Ky projekt po ecën me shpejtësinë më të madhe e të paimagjinueshme. Krahas këtij projekti, projekti i ri i arrës, gështenjës, lajthisë, bajames e shegës do të fillojë me shpejtësi. Dua të bëj një dallim. Unë e kam fjalën për shegën që po t'i heqësh lëvozhgën nuk nxjerr pallatin, por frytin më të shijshëm. Koincidenca është koincidencë, nuk kam pse ta shmang, por bëra dallimin midis jush. Unë iu garantoj se sot, ju e merrni me të njëjtin humor, siç morët projektin e shtrirjes së internetit në çdo shkollë, katër vjet më parë, por zbatimi i të cilit e ka ngjitur Shqipërinë në çatinë e Evropës, për shtrirjen e internetit në shkolla. Pas 4 vitesh, ky vend do të kenë me dhjetra milionë rrënjë të reja nga këto drurë frutorë. Në këtë projekt qëndron një nga potencialet më të mëdha të bujqësisë shqiptare. Një gjeograf i famshëm ka shkruar se po "të hekurosje" malet e Shqipërisë do të nxirrje një gjysmë Kanadaje. Imagjinoni se si do të ishin luginat e tyre me këta drurë frutorë, të përcaktuar nga Bashkimi Evropian si destinacioni më kryesor i Shqipërisë. Ndaj po ju kërkoj të shkoni në zonat tuaja elektorale, të uleni me fermerët, t'i nxisni, t'i inkurajoni që të mbjellin këta drurë frutorë, të aplikojnë që të marrin grante për to.

Lepri i Bashkisë Tiranë bllokoi kredinë japoneze prej 110 milionë USD për kanalizimet

Një nga zhvillimet më të mëdha, më historike është zhvillimi i turizmit në këto 6 vjet. Buxheti do të jetë buxheti i turistëve të Shqipërisë. Nga 300 mijë vizitorë që vinin në këtë vend, sot vijnë 3.5 milionë. Kam kënaqësinë e madhe t'iu informoj se brenda tre-katër muajve kemi asfaltuar çdo kilometër rrugë, që zbret nga akset kombëtare drejt brigjeve të detit, nga Velipoja në Ksamil dhe në total, janë rreth 300 kilometra rrugë. Kam kënaqësinë t'iu informoj se do të financohen 14 impiantet e ultësirës bregdetare për përpunimin e ujërave të zeza, në mënyrë që brigjet e Shqipërisë të jenë brigjet më të pastra të rajonit. Tirana përbën një problem se, për fat të keq, ndotësi kryesor drejt detit, prapë është Tirana dhe megjithëse kjo qeveri i ka siguruar Bashkisë së Tiranës, vetëm kredi japoneze për ujërat e zeza dhe kanalizimet 110 milionë dollarë, ajo nuk ecën se nuk e lënë lepujt. Problemin ju e keni tek lepuri. Ky buxhet shkon për turizmin, por jo vetëm për turizëm bregdetar. Këtë vit qeveria jonë kap majat. Maja e parë që kapim është Çajupi. Duhet të keni parasysh një gjë. Në qoftë se kryetari i kësaj force politike e kaloi fëmijërinë e tij duke kaluar nga një majë në tjetrën, kryetari juaj e kaloi duke kaluar nga një bunker në tjetrin. Pasioni im për majat është i papërmbajtshëm. Do të shkojmë në Çajup, do të ecim drejt Bogovës, për të kapur Tomorin. Ne do ta kapim malin frymëzues. Po ecim drejt Dhëmblesë, po ecim drejt Mokrës, do të ecim drejt thellësive të Gramshit, për të bërë të njohura bukuritë e tyre, po ecim drejt Korabit, po asfaltojmë rrugën drejt Valbonës, drejt Thethit, drejt Shishtavecit dhe të gjitha drejtimeve. Unë iu garantoj ju se në këto tre vjet nuk do të ketë luginë malore apo luginë turistike që nuk do të kapet nga infrastruktura e re. Kështu na qeshnit ju edhe për internetin, i cili ka pasur një nivel penetrimi për të ardhur keq, për të cilin kur më pyesnin skuqesha para se të flisja, nivel vetëm prej 4,8 %.

Një vit më parë PS refuzoi buxhetin duke i shërbyer karriges së Ramës

Një vit më parë, ju nuk votuat një buxhet, i cili, për të gjithë fëmijët e Shqipërisë, bëri që këtë vit, në shkollat e mesme të Shqipërisë të ulen për herë të parë në historinë e tij mbi 90 përqind e fëmijëve që mbaruan klasën e 9-të. Për të rinjtë e Shqipërisë, ky buxhet bëri që për herë të parë 70 përqind të tyre që morën maturën të ulen në bankat e universiteteve dhe vendi të kalojë standardet evropiane. Buxheti që ju nuk votuat, pasi dikush iu përzuri nga salla në mënyrën më paranojake, bëri që pensionistët shqiptarë në qytet e fshat, kudo që janë, të kenë një pension më të lartë. Ky buxhet dyfishoi pensionet për të gjithë pensionistët në fshat. Ky buxhet vendosi kufirin 100 dollarë në muaj dhe të ardhurat pensionale minimale 112 dollarë në qytetet e vendit. Ju nuk e votuat atë, se nuk ishit në sallë. Ky buxhet rriti pagën mesatare të shqiptarëve nga 270 mijë lekë katër vjet më parë, në 470 mijë lekë; pagën mesatare të mësuesve të fëmijëve tanë nga 230 mijë katër vite më parë, e rriti në 460 mijë lekë; pagën mesatare të mjekëve që kurojnë njerëzit tanë nga 220 mijë lekë, e rriti në 530 mijë lekë. A kishit ju gjë me buxhetin? Asgjë nuk mund të kishit, se të gjitha këto janë interesat tuaja, aq sa janë edhe të miat dhe të deputetëve të mazhorancës. Asgjë nuk mund të kishit, përveç karriges së atij që nuk ka interesa të tjera mbi tokë veç interesave të pushtetit të tij, veç interesave të atij që bën biznes nga mëngjesi deri në darkë, me interesat e shqiptarëve. Çfarë ju ndante juve nga ky buxhet, i cili përfundoi pothuajse tërësisht infrastrukturën e të gjithë ultësirës bregdetare nga Velipojë në Ksamil? A nuk janë zgjedhësit tuaj, ata, të cilët përfituan më shumë se gjithë të tjerët nga buxheti që ju nuk e votuat? Dhe jo vetëm kaq, por u angazhuat në veprimet më absurde, bëtë çdo gjë që të falimentonin bankat.

Në 3 vite, mbi mesataren e vendeve të BE për përdorimin e internetit

Duhet të ndiheni krenar se sot po i afrohet 80% penetrimi i internetit dhe iu garantoj se në tre vjet do të dalë mbi mesataren evropiane dhe iu garantoj se në tre vjet penetrimi i internetit, për hir të rinisë shqiptare do të arrijë në nivelet më të larta në botë. Ky buxhet është buxheti i Shqipërisë evropiane. Unë e kam deklaruar se çfarë është Shqipëria evropiane. Shqipëria evropiane nuk është një Shqipëri eterike, as Shqipëri ideale. Shqipëria evropiane është Shqipëria e rrugëve të asfaltuara, e shkollave të reja, e resorteve turistike, është Shqipëria e ujësjellësve, e kanalizimeve e prodhimeve bio, është Shqipëria e shkollimit më të mirë, e standardeve të kujdesit shëndetësor, ndaj dhe po ecim drejt saj shumë të sigurtë. Buxheti është buxheti i guximit, duhet ta pranoj këtë, por duhet t'u them se në qoftë se kam humbur ndonjëherë ndonjë betejë në jetën time, kam humbur vetëm kur më ka rënë guximi. Nuk mund të them gjë tjetër, veçse guximi është çelësi i fitores. Guxuam për të dalë në tregjet financiare evropiane, në një kohë kur rrebeshi vërtitej nga një vend në një vend tjetër të eurozonës. U vlerësuam shumë më mirë, se ata që ishin klasifikuar dy apo tre herë më lart se sa ne. Sërish vitin e ardhshëm ne do të paraqitemi në tregjet evropiane.

Rruga e Arbrit , autostrada Tiranë-Elbasan dhe Boshti i Jugut, tre projektet më jetike

Ka individë, të cilët nga zyra e mashtrimit, marrin udhëzime për të shpërndarë thashetheme. U deklarojnë matjanëve dhe dibranëve se tek Ura e Vashës mbaron Rruga e Arbrit. Buxheti 2011 është buxheti i akseve të mëdha. Unë jam këtu për t'u dhënë fjalën qytetarëve të Matit dhe të Dibrës se Rruga e Arbrit do të përfundojë në shkallën e Tujanit. Rruga e Arbrit do të vazhdojë ndërtimin me vendosmërinë më të madhe dhe po përfundon tërësisht projekti për Qafën e Murrizit dhe se rruga do të vazhdojë në mënyrë të pandalshme, sepse Rruga e Arbrit është rruga e dytë e kombit dhe se nuk do të ketë asnjë lloj pengese. Pasioni im për kombin ka qenë dhe mbetet pasioni i parë. Në qoftë se njeriu analizon konstelacionin e idealeve më i shenjti është kombëtari. Këtu qëndron edhe motivi dhe forca pse ndërtuam ne, rrugën e kombit dhe pse do të ndërtojmë ne rrugën e dytë të kombit. Fatmirësisht ky ideal është sot, ideal europian, është forcë frymëzuese e udhëzuese. Do të fillojë tuneli, autostrada Tiranë-Elbasan. Tenderi dhe prokurimi do të bëhen brenda këtij viti, me mbështetjen e fuqishme të këtij buxheti. Tuneli i Elbasanit dhe autostrada Tiranë-Elbasan është përparësia absolute e qeverisë sime. Do të ecet drejt Bushtit të Jugut. Ata që përdorin Beratin si arenë rivalitetesh politike do të kuptojnë se qytetarët e Beratit kanë interesa krejtësisht të tjera. Nuk kanë interes pallatin e Fidelit. Ato janë interesa të kryetarit. Qytetarët e Beratit kanë Boshtin e Jugut, interes jetik, sepse qyteti i tyre mijëra vjeçar nuk mundet kurrë të qëndrojë siç është, por do të shndërrohet në një qendër të fuqishme të trafikut, në të cilën do të vërshojnë qindra e mijëra turistë në të katër anët e vendit, si nga Tirana, po ashtu dhe ata që vijnë nga Saranda e Gjirokastra për të parë thesaret përrallore të këtij qyteti nga më të vjetrit. 2500-vjeçar thotë historia, por nuk ka garanci se mund të jetë edhe më i vjetër.

PS ka motive reale për ta votuar ketë buxhet

Tek ky buxhet gjeni motivin për ta votuar. A mund të votoni ju kundër rrugës së dytë të kombit? A mund të votoni kundër autostradës së Elbasanit? Çfarë do i thoni ju qytetarëve të Elbasanit në rast se nuk votoni buxhetin, çfarë do u thoni ju qytetarëve shqiptarë, në Mat, Dibër të Madhe, Tetovë e kudo, nëqoftëse nuk votoni buxhetin. Nuk mund të paraqiteni ashtu sikundër nuk jeni, sepse unë kam besim në atdhetarinë tuaj. Në qoftë se një njeri përpiqet me çdo kusht për interesa të veta të nëpërkëmbë interesat e qytetarëve shqiptarë, ai e ka bërë të qartë këtë qëndrim, por juve ju takon të mbroni interesat e qytetarëve shqiptarë në këtë sallë. Ndaj thirrja ime është ta votoni buxhetin. Ju menduat se unë e fillova fjalimin tim për politikë, duke thënë se munguat vitin e kaluar. E fillova për t'u bërë thirrje që këtë radhë ta votoni këtë buxhet, ta ndiqni dhe monitoroni këtë buxhet, qindarkë për qindarkë dhe kjo është detyra juaj, të qëndroni si garant të zbatimit të tij të përpiktë, si garant të transparencës së plotë, të përdorimit të tij, të qëndroni si garant të orientimit të tij në përparësitë më madhore. Ky është morali i opozitës dhe këtë pret shoqëria shqiptare. Është e vërtetë se buxheti kalon edhe me votat e mazhorancës, por ka një ligj, ka një moral, ndaj dhe ju ftoj, të nderuar deputetë, të votoni këtë buxhet, për t'u bërë me votën tuaj bashkautorë në buxhetin më të madh që ka njohur vendi, në historinë e tij, në buxhetin që në harkun kohor 1-vjeçar, do të sjellë transformimet më të mëdha, se çdo buxhet tjetër.

SALI BERISHA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SHQIPËRI: PARLAMENTI MIRATOI BUXHETIN PAS NJË SEANCE MARATONË (11.26.2010)
SHKUP: POLICIA NDËRHYRI NË TELEVIZIONIN A1 (11.26.2010)
SHBA: PROKURORI I NJU JORKUT KONFIRMON EKSTRADIMIN E ALMIR RRAPOS (11.26.2010)
ULRIKE LUANCEK: PENGESË E LIBERALIZIMIT TË VIZAVE PËR KOSOVËN JANË PESË VENDET ANËTARE TË BASHKIMIT EVROPIAN (11.25.2010)
MUSTAFA: JAP DORËHEQJE NESE NUK RRITET LDK-ja (11.25.2010)
PDK SOLEMNISHT KANDIDON THAÇIN PËR KRYEMINISTËR (11.25.2010)
REUTERS: BE SË SHPEJTI DO TË HAPË DIALOGUN PËR VIZA ME PRISHTINËN (11.25.2010)
KRASNIQI E LOCKLEAR DISKUTOJNË PËR SIGURINË (11.25.2010)
PDK DHE AAK: TË NXIRREN MËSIME NGA RAHOVECI (11.25.2010)
OBAMA NUK MENDON PËR GARË ME SARAH PELIN (11.25.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2021  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
KLIKONI NË WWW.VOAL.CH - ZËRIN E SHQIPTARËVE NË NJË DIZAJN TË RI - WWW.VOAL.CH  -  VOAL
80 TË RINJ AMERIKANË E MBAJTËN PARA KUVENDIT KONCERTIN ME KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
80 AMERIKANË KËNDOJNË SOT PARA KUVENDIT TË SHQIPËRISË KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
PROTESTA SOT NË SHKUP - TË DORËHIQET QEVERIA NË TËRËSI
NËNKRYETARI I PARLAMENTIT EVROPIAN KËRKON DORËHEQJEN E GRUEVSKIT
DEPARTAMENTI AMERIKAN I SHTETIT - NDJEKIM NGA AFËR SITUATËN NË MAQEDONI
MAQEDONIA NGRE TRIDHJETË AKUZA PËR TERRORIZËM
LUBOMIR FËRÇKOSKI - QEVERIA NË SHKUP PO NXIT TENSIONET NDËRETNIKEFërçkoski - Konflikti në Maqedoni s'ka të bëjë me “Shqipërinë e Madhe”
MANIFESTIM SPONTAN NË TIRANË 'KUMANOVË NUK JE VETËM'
MUSTAFA - 700 SHQIPTARË NGA MAQEDONIA JANË ZHVENDOSUR NË PRESHEVË

 
VOAL
[Shko lart]