SHQETËSIM dhe ÇARTJE Nga FASLLI HALITI
E Premte, 04.04.2014, 09:54pm (GMT+1)
SHQETËSIM
Ç'kemi X, Y, Z? Hiç! Mbetemi të panjohur si zakonisht.
Ç'kemi Shoku 1-ish ? Nuk ankohem, Po kthehem në mit... Njihem kudo në botë,
Më njohin të gjithë.
1972, Drita --
ÇARTJE
Poemë.
Brenda vetes Kam tritol inati Kam dinamit inati gri, Inati im ka inat të egër tigri... Ç'farë inati ke kështu inati im?
Tritolin e inatit e çova në gurore për shpërthim.
Brenda vetes Kam amebën e smirës, Me gjemba që shpon shpirtra, Smira ime Uthulla, Acidi Që gërryen dhe ha enën e kuqe të zemrës. U shpua zemra ime, kupa e bakërt. Plasën venat, kapilarët periferikë. Gjaku mori trupin. Nuk qarkullon, Derdhet Nën lëkurë. Se ushqen më trurin, Përmbyt... Truri I përmbytur Prodhon figura çudane. Lemeri figurash gaforre, Konfiguracione shtrembëse.
Tru! Eja në vete Ç'bën kështu? S'ta duroj deformimin e figurës së prindërve. Pse ma deformon, ma bën hardhucë nënën? Pse ma bën dinozaur babanë?
Tru! T'i hodha trutë në erë! Ç'bën kështu?
Sy të shqyer, Të zgurdulluar, sferikë. Rrokullisen sytë, Kokërdhokët. Sy që rrotullohen si sy kameleonësh, Si sy kameleonësh që shohin para Mbrapa. Hundë Të zmadhuara, Shtrëmbëse Hundë të zvogëluara.
Pinoku Me hundë fasule, Sokrati me hundë Pinoku, Pinoku filozofon shkurt, Sokrati spiritoz në aeropag, Ofelia Me mjekër bionde. Otello bën dashuri të deformuar me Ofelinë, Hamleti puth me buzë të deformuara arapi Desdemonën, Shelgu i zi Dridhet nën ujin e gjelbër të pellgut, Si një Otello gjithë xhelozi.
Hamleti Pusht filozof. Hamleti, Don Zhuan, Teatral, marrok... Otello Xheloz? Xhelozi nuk vret, nuk mbyt... Xhelozi pret rivalin të vdesë, Otello Faqeziu, xhelozi, i pabesë !
Puthu Desdemonë! S'bën pabesi, Nuk aventuron. Ti bën dashuri, Dashuron.
Puthu Desdemonën nën shelgun e zi kësaj mbrëmje! Marrëzi e shtirur, fiktive, hamletiane!
Otello Tragjik Në xhelozi Puthu Desdemonë! Puthu, ti puthu, Ofeli!
Tru Të derdhur, Si vezë bretkosash plot larva të zeza, Që pluskojnë në ujërat pranverore. Vezë laraskash Në tru. I dëgjoni çukitjet?, Apo s'i dëgjoni, ju ?
Zogu laraman i laraskës sqepon lëvozhgat në tru.
Tru! Qenke pa tru! Krisi korja e hemisferave, Po të futet marrëzia nëpër krisat, të çarat kështu?
Qelqi i syrit plot arabeska.
Gjak! Ti s'paske gjak! Pushoje përmbytjen e trurit. Ushqeje, të paktën, trurin pak... Mençuria fishket. Thahet Pa ty zoti gjak...!
Po ti mençuri, ku e ke mençurinë?
S'ka mençuri Pa tru, Nga celulat e trurit vërshuan larva bretkosash. Kuakje në trurin e bërë pellg, kënetë,. Kor zarigogash në fluturim, Përfytyrime çudane. Shtrembëse, Si kulla e Pizës Imazhesh si gaforre, Mençurira idiote, gallofe...
Kush e ka fajin? Zemra e shpuar? Kush të shpoi Ty, Zemër ? Inati im i sertë? E kuptova... E shpove ti, Smira ime uthull, acid? Pa zemër paske qenë, moj smirë, e zezë, zi!
Unë Strehoja urrejtje dhe smirë? Vetja ime Strehonte çaste urrejtjesh, Bankete inatesh dhe smire?!
Qenkam një zero atëherë dhe unë. Zero Me bisht! Ku e ka bishtin zeroja? Ç'u bë? Ia prenë Apo ia fshehën tinëzisht?
Kurse Ti Njësh, Je biznesmen, je bos. Duke qëndruar para zerove Ti bën me to miliona, miliarda, një kaos...
Çudira zerosh! Zerot Bëjnë çudira, Zerot ndërtojnë vila, Vila Për 1-eshin, Për 2, 3...shin
Njëshi - Bosi, Çifçiu Më i madh, Dyshi, treshi, katra, pesa: Bosët, çifçinjtë më të vegjël, Vrapues që ia marrin cilitdo në kthesa...
Për njëshin, Për dyshin, Për treshin..., Parajsa - një shkretëtirë, një Saharë. Diku. gjetkë, kullosin, harbojnë ata... I bien Botës kryq e tërthor. Udhëtojnë Mbi kurrize zerosh, Siç e kanë zakon ata të na cilësojnë, Mbi kurrizet e taksapaguesve, domethënë, Në tavolina Zeuzësh ambrozion ata shijojnë...
Ne zerot që ua mbushim tavolinat Tavolinat si të zeusit Ua shtrojmë ne Me të gjitha Të mirat E kësaj toke! Për vete ne, Hamë thërrimet, Lëpijmë kockat, Hamë mbeturinat e kësaj bote...
Si, si, si? Si? Ju zerot, Skelete ?!, Ju zerot, kockë e lëkurë?! Propagandë e kuqe komuniste! Sot zerot, më rrumbullake se kurrë...!"
Ekipi i 1-shit 2, 3- shit Luan bilardo, Bixhoz, Luan me zare Nëpër kazino vendi, Në kazino të zeza shqiptare Kazino të kobshme ballkanike, Evropiane. Zerot Duartrokasin Frenetikisht përherë Njëshi ka shumë fansa, Të tjerët pak tifozë e shumë klakerë. Sa harxhon klani i 1, 2, 3- eshit...? Më shumë se bunkerët, Më shumë se tunelet? Po miliarda zerot Sa Harxhojnë Po Bunkerët Sa kushtojnë ?
Brenda neve zerove indinjata, Urrejtja, protesta, përgjojnë në pritë, Rrinë në pozicion ofensiv, në pozicion beteje Çdo sekondë, çdo minutë Çdo orë, çdo Ditë...
Urre, Urre, Urre, urrejtja ime e urryer! Protesto, Protesto Protesta ime pa pikë proteste!
S'po më ndahesh nga gjoksi moj urrejtje. S'e kupton vërtet që unë s'të dua? Unë plaku Ti rinohu...
Më urrejnë dhe mua!
Zelli im po kalbet, Vullneti im po bëhet skelet, Shpatullat po dembelosen çdo ditë, Duart e mia të thara, Përtace, S'po lajnë dot njëra-tjetrën, Pa le pastaj të lajnë fytyrën. Dembelia Placentë urrejtjeje, smire, zilie, inati.
U prishe vullneti im...
Vullnet pa vullnet, Vullnet pleh, Me kë t'i kapërcej pengesat? Ku t'i gjej përpjekjet volitive? Karakter! Unë Mburrem me ty, Pse tregohesh pa karakter Vullneti im, Unë mburresha me ty. Më dole pa vullnet Dhe ti.
Mençuri marroke, Budallaqe mençuri. Po të flak nga deriçka e trurit dhe ty.
Plasën sytë. S'i shoh hardhucat, Akrepat, Gaforret e përfytyrimeve në sy. Uji qelqor i syve u derdh. Përmbyti mjedisin: Sferat e syve u rrokullisën. Drita e syve doli si rrufe sferike nga sytë. Rrufeja sferike e syve zgjon. Nuk vret, Përkëdhel, Nuk trondit.
Mbete Vetëm, Zonja inteligjencë. Të humbi mençuria. Erudicioni, Kultura. Nisi stina e vjeshtës. Kultura, erudicioni, mençuria- Gjethe të verdha vjeshte, Shkundur nga stuhia.
E para u këput gjethja e mençurisë, Ra në moçal si këmbë pate; E dyta ra gjethja e kulturës, Noton në pellg me rosat; E treta u këput gjethja erudite. Ra në llucë. Mbeti Trungu im Me degë të zhveshura. Era dredh degët me forcë.
Degët dredhin trungun gjer në tokë.
Trungu im plot miza. Mizat hanë kalbësirën trungore. Po përparon kalbësira... Rrufetë frikësojnë frikën. Vetëtimat i përcëllojnë vetullat trimërisë . Trimëria me vetulla të përcëlluara ikën dhe ikën.
Trimëri Futi krahun frikës. Jepi dorën! Vetëtimë bandite me shtiza flake. Rrugë kriminale me krisma: Rrufera pa humanizëm, kulturë. Vetëtima injorante! Përvëloni majat e lisave. Kurseni shkurret dhe kaçubet me përkulje galante.
Bubulloni bubullima budallaqe, Servile të vetëtimave! Stuhira Me flokët gaforre. Dallgë Në panik! Sulmojnë Apo ikin të thyera Dallgët me vrap? Në shekuj ato sulmojnë brigjet, Dhe brenda brigjeve mbeten prapë?
Po ai shkëmb pse qan?
Është Niobea që qan? Le të pëlcasë së qari mburravecja! Sfidohet perëndesha Latonë? Ç'iu desh Niobesë të sfidonte perëndeshën. Humbi fëmijët sfidantja mitike për pak sfidë. Edhe ti perëndesha Latonë, Nerone paske qenë... Vriten gjashtë vajza. Vriten shtatë djem?
Edhe vajzën që i le gjallë qyqes Niobe Dyllë të verdhë ia le, Frika që i kalle asaj, E zverdhi Atë...
Brenda meje, Dashuria. Një Dashuri e padashur me mua. Si s'më deshe, Si s'më dashurove moj dashuri! U shtire ti me mua Apo unë U shtira me ty?
S'të kam dashur unë? Po më akuzon? Duam më mirë Më mirë dashuromë Dashuromë moj e dashur dashuri, dashuromë!
Ju veshët e mi pa timpan jeni kështu, I dëgjoni apo s' dëgjoni Gjëmimet, Bubullimat? Ju sy Pa bebëza jeni, Ç' bëhet rreth e rrotull Shikoni apo nuk shikoni? Ju dhëmbë pa nerva, ju pret nxirja! Si, s' më besoni?
Gjuha shkretëtirë, me kokrriza rëre. Me fjalë të zhuritura, Të thata Si rërë Sahare!
Fjalë lakuriqe mbi rërën e gjuhës, Mendimet kërrusen në tru. Ka mendime pa fjalë? Pyet memecët! M'u tha gjuha për një syth fjale, M'u tha fjala për një lule mendimi, M'u thanë mendimet për idera të reja Idetë I mori uria Për pak filozofi. Mjerë memecët: Kanë etje, Kanë uri Për një fjalë... Ej, memecëria ime, memecëri!
Po filozofia Pse më duhet? Hahet si buka? Pihet si uji? I merret erë si lules, Vishet si xhaketë, Si pallto në stinën dimërore? Mbathet si këpucët? Vishet si shall Në kohëra Dëbore, Mbjell, korr, shin, gatuan, ajo vallë?
Filozofia Një Xhungël. Më trembin tigrat, luanët, Më helmojnë kobrat, Më tallin majmunët, Më përqeshin papagajtë: Më çjerrin macet e egra e xhunglës së saj. Brenda vetes Kam Jetë Dhe Vdekje.
Pa jetë s'ka vdekje... Vdekja Është Skifteri, Ujku, luani. Jeta është zogu, kaprollja, fazani, dreri...!
Ka Zogj Pa skifterë? Ka skifterë pa zogj? Ka drerë pa luanë? Ka luanë pa drerë? Flaka I duhet drurit, Apo druri, flakës? Shuhet Flaka Apo digjet druri?
Po zjarrin kush na e solli, kush na e pruri?
Kur s'ka korrent, Na rri varur xixëllonja si llambë vajguri, Kur jeta bëhet e përjetshme. Vdekja Bëhet e vdekshme.
Lamtumirë moj vdekje e vdekshme!
Përshëndetje ty jetë e përjetshme...!
Nga libri «Çartje», 2000,
FASLLI HALITI
|