Për shkak të rritjes së vazhdueshme të numrit absolut dhe relativ të popullsisë
së Kosovës, është rritur dendësia e përgjithshme e popullsisë. Kosova sot,
sipas vështrimit monografik të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka
dendësi dy herë më të madhe se mesatarja e vendeve në rajon dhe deri në tri
herë më shumë se vendet tjera.
Në vitin 1948, në 1 kilometër katrorë jetonin 63.3 banorë, në vitin 1961
- 88.5 banorë, në vitin 1974 - 114.2 banorë, në vitin 1981 - 145.5 dhe në
vitin 1991 rreth 180 banorë. Ndërsa, sipas regjistrimit të fundit të
popullsisë, i cili u bë në vitin 2011, në 1 kilometër banorë në Kosovë jetojnë
177.4 banorë.
Problem të theksuar pas luftës në Kosovë paraqiti shpërngulja e popullatës nga
zonat rurale në ato urbane. Dendësia e popullsisë në zonat urbane, sipas
njohësve të çështjeve demografike, krijoi probleme të mëdha në fusha të
ndryshme.
Profesori i Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës, Ibrahim Ramadani, thotë
për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë, në këto 14 vjetët e fundit kishte
emigrim të madh të popullatës nga zonat rurale në ato urbane dhe kjo ndodhi
pikërisht për shkak të mungesës së infrastrukturës së përgjithshme që ishte në
zonat rurale.
Kjo shpërngulje nga zonat rurale në ato urbane, shton profesor Ramadani, krijoi
dendësi të madhe në qytete, e që kësaj dendësie nuk i parapriu asnjë element
apo planifikim infrastrukturor.
"Ndodhi emigrimi masovik nga viset rurale në ato urbane, sidomos nga zonat
kodrinore dhe malore, të cilat nuk ofrojnë kushte të mira ekzistenciale për atë
popullatë. Njerëzit shpresonin për të gjetur kushte më të mira dhe për atë
mësynin qytetet, e sidomos kryeqytetit, Prishtinës, duke shpresuar se do të
gjejnë kushte më të mira, por ndodh shumë herë që në këto qytete jeta e tyre
keqësohet edhe më shumë se sa ku ishin më parë", thotë Ramadani.
Shpërngulja e popullatës së Kosovës nga zonat rurale në ato urbane paraqiti një
problem të madh, pasi që sipas profesor Ramadanit, qytetet nuk arritën dhe gati
ishte e pamundur të ofronin infrastrukturë për gjithë këtë numër të popullatës
që vinin në qytete.
Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, shton Ramadani, ishte njëri nga vendet që pati
më së shumti njerëz të ardhur nga zonat rurale dhe në këtë mënyrë popullsia në
kryeqytet u rrit në mënyrë të paparashikuar, kurse në qytet mungonte një plan
zhvillimor për gjithë këtë numër të banorëve.
"Qytetet zhvillohen me plan dhe planifikohet një pjesë e caktuar e sipërfaqes
ose e zonës për t'u populluar në periudhën kohore në 10 vitet e ardhshme e më
shumë dhe atëherë investohet në infrastrukturë, ndahen parcelat, pastaj fillon
ndërtimi i objekteve, bëhet vendosja e popullatës dhe kështu problemet evitohen
në atë mënyrë, pra me plan", shton Ramdani.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovë, numri i përgjithshëm i
banorëve në Kosovë është 1.8 milion, prej tyre mbi 600 mijë jetojnë në zonat
urbane dhe mbi 1 milion në zonat rurale.
Prishtina, e cila konsiderohet si një nga qytete më të populluara ka një numër
prej rreth 200 mijë banorëve.
Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Asdren Osaj, thotë për Radion Evropa e Lirë
se brenda kompetencave që përcaktohen me Ligjin për vetëqeverisje lokale, i
janë përgjigjur kësaj sfide duke bërë hartimin e disa planeve rregulluese dhe
urbanistike.
"Ne, si komunë, së bashku edhe me ministritë që e kanë këtë fushë, jemi duke
punuar që t'i përgjigjemi kësaj sfide. Është një sfidë e madhe. Ne kemi bërë
disa investime në zonat rurale, në mënyrë që banorëve t'u krijojmë kushte dhe
mundësi që ata ta zhvillojnë jetën e vet edhe nga zonat prej nga vijnë apo prej
nga janë zhvendosur. Kemi pasur një zhvillim pozitiv në këtë drejtim, sidomos
në zonat e Gollakut, në fshatrat e Mramorit dhe pjesë tjera, ku ne kemi bërë
investim të mirë dhe kemi një kthim të qytetarëve në ato pjesë", thekson Osaj.
Ai bën të ditur se janë në përfundim të dy planeve zhvillimore komunale dhe
urbanistike, të cilat do të përcaktojnë vijat ose kufijtë urbanistik. Por, siç
thotë Osaj, buxheti që ata kanë, është i pamjaftueshëm për të krijuar
infrastrukturë të nevojshme për numrin e madh të banorëve të Prishtinës.
"Ajo çka duhet të ndodhë në vitet në vijim, është që për të liruar qytetin nga
numri i madh i banorëve ose qytetarëve që vijnë në Prishtinë dhe që dëshirojnë
të banojnë në Prishtinë, është krijimi i kushteve më të mira nga zonat nga ata
vijnë. Një shembull i mirë do të ishte ndërtimi i institucioneve, shkollave apo
elementeve tjera në zonat më larg kryeqytetit", shpjegon Osaj.